Home / Lajme / Maqedoni / Vanhoute: Pa marrëveshje nuk ka as zgjedhje, mund të ketë sanksione (VIDEO)

Vanhoute: Pa marrëveshje nuk ka as zgjedhje, mund të ketë sanksione (VIDEO)

Shkup, 21 Tetor – “Nuk mund të ju them cili është plani B, por konsideroni se çfarë ndodhi në shtete të tjera, jo nga ky rajon, që kishin probleme me sundimin e ligjit. Konsideroni shembullin e Bjellorusisë!”, u shpreh Piter Vanhaute.

Nëse nuk respektohet dhe zbatohet Marrëveshja e Qershorit dhe Korrikut, nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme në prill të 2016-tës. Kështu theksoi prerë përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet politike Piter Vanhaute, në takim me gazetarët. Jo vetëm kaq, por Vanhojt paralajmëroi se Maqedonisë mund t’i ndodhë edhe skenari i Bjellorusisë, nëse nuk respektohen marrëveshjet e firmosura.

“Nuk mund të ju them cili është plani B, por konsideroni se çfarë ndodhi në shtete të tjera, jo nga ky rajon, që kishin probleme me sundimin e ligjit. Konsideroni shembullin e Bjellorusisë!”, u shpreh Piter Vanhaute.

Në vitin 2012, Bashkimi Evropian vendosi në listë të zezë 210 qytetarë të Bjellorusisë, thuajse gjithë kreun më të lartë shtetërorë, duke përfshirë presidentin Aleksander Llukashenko dhe familjen e tij. Gjithashtu, disa funksionarëve iu bllokuan edhe xhirollogaritë bankare. Listat e zeza dhe bllokimi i xhirollogarive bankare, sipas Vanhautes, janë treguar metoda efikase në shumë shtete, për zhbllokimin e proceseve të ndryshme. Pas dështimit të afatit të djeshëm, 20 tetorit, për votimin e Qeverisë teknike, sipas Vanhautes vihet në pikëpyetje Marrëveshja e Përzhinos në tërësi. Po bëhen përpjekje për ringjalljen e procesit, që sipas tij do të zgjasin vetëm deri në fund të javës. Problemi kryesor, siç thotë Vanhaute, është mungesa e llogaridhënies nga partitë politike.

“Vlerësimi im personal është se mungon llogaridhënia nga të gjitha partitë politike. Kur vijnë në pushtet, ata mendojnë se mund të jenë mbi ligjin. Gjithashtu, problem i rëndësishëm është edhe mosfunksionimin e Kuvendit. Ju keni Parlament, por nuk shoh se po bën gjërat që duhet t’i bëjë”, theksoi Piter Vanhaute.

Ngecjet kryesore në bisedime, sipas Vanhautes janë tek Prokurorja Speciale, Komisioni Anketues Parlamentar, Ligji për bombat dhe për Qeverinë.

Për Prokurorinë Speciale, sipas tij ligji është i qartë dhe nuk lë vend për interpretime të ndryshme: Janevës duhet t’i miratohet gjithçka që kërkon. Shqetësuese është gjithashtu edhe iniciativa për shqyrtimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Prokurori Speciale, në kushte kur sipas Vanhautes, faktori ndërkombëtarë nuk është i bindur për pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim, Vanhaute sqaroi se Gjykata Kushtetuese tashmë ka bërë kërkesë në Kuvend për interpretimin autentik të Ligjit për Prokurori Speciale, por Kuvendi ka refuzuar madje ta vë në rend dite. Problemi kryesor tek Komisioni Anketues Parlamentar, siç thotë Vanhaute, është këmbëngulja e VMRO DPMNE-së që të mos diskutohet përmbajtja e bombave. Kjo sipas tij është në kundërshtim me çdo praktikë evropiane dhe thuajse qesharake. Lidhur me kriminalizimin e materialeve të përgjuara, Vanhaute ishte i qartë se mediat jo vetëm që duhet të kenë të drejtë, por e kanë edhe obligim të raportojnë për çështje me interes publik, si përfshirja e mundshme e qeveritarëve në afera krimi dhe korrupsioni. Për Qeverinë teknike, shpjegoi se problem janë kompetencat e Minstrit të Brendshëm, sepse VMRO DPMNE-ja kërkon t’i merren të gjitha kompetencat e garantuara me ligj.

Çështje problematike është edhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor, edhe atë për arsye thuajse banale. KSHZ-ja nuk zgjedh dot 3 anëtarët me konkurs, sepse sipas Ligjit për Administratë, vendimet duhet t’i firmos Ministri për Shoqëri Informative dhe Administratë, i cili ende nuk është emëruar pas dorëheqjes së Ivo Ivanovskit.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *