Home / Lajme / Maqedoni / Vazhdojnë edhe sot bisedimet rreth Kodit Zgjedhor (VIDEO)

Vazhdojnë edhe sot bisedimet rreth Kodit Zgjedhor (VIDEO)

Shkup, 08 Tetor – Pas dështimit që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të përkufizohen në afatin e parashikuar më herët nga komisari evropian Johanes Han, bisedimet politike vazhdojnë edhe sot nën patronazhin ndërkombëtar.

4 partitë politike do të tentojnë që brenda ditës së sotme të arrijnë marrëveshjen, e cila dje u pamundësua pjesërisht për shkak të propozim/ligjit për censurimin e bombave. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev theksoi sot se 2 çështjet më kontestuese vazhdojnë të mbeten lista zgjedhore dhe votimi i diasporës.

“Duam pastrimin e qartë të listës zgjedhore, jo që t’i pëlqejë Zaevit, Damjan Mançevskit, Oliver Spasovskit ose Radmilla Shekerinskës, por qytetarët të kenë besim në listën zgjedhore. Duam që diaspora të votojë dhe patjetër të votojë. Ofruam edhe Ministri të Diasporës. Por duhet të jetë vota e barabartë, sipas Kushtetutës, pavarësisht se ku. Për këtë shkak ofruam prag prej 80% nga mesatarja në Maqedoni për një deputet, ose votat të hynë në njësitë zgjedhore në Maqedoni, që të kemi barazi të votës”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Përfaqësuesi i VMRO DPMNE-së në bisedime, Antonio Milloshoski nga ana tjetër theksoi se bisedimet i vështirëson ndryshimi i shpeshtë i qëndrimeve nga LSDM-ja opozitare, për çështje të rëndësishme në bisedime.

“Bisedimet janë të mundimshme, ka pozicione të ndryshme për çështje të ndryshme. Ajo që i komplikon më shumë bisedimet është fakti që disa qëndrime të partive të caktuara politike ndryshohen shumë shpesh. Për shembull, gjatë ditës së djeshme, kishim një ndryshim të shpejtë të qëndrimit nga LSDM-ja, e cila hoqi dorë nga regjistrimi aktiv, si parakusht për pastrimin e listës zgjedhore”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO DPMNE.

Mbrëmë, bisedimet për Kodin Zgjedhor u hapën pak para mesnate, ndërsa zgjatën deri në orën 5 të mëngjesit. U arrit marrëveshje vetëm që Gjykata Administrative të mbetet kompetence për shqyrtimin e ankesave për parregullsi zgjedhore, në shkallë të dytë. Ka përafrim të qëndrimeve që lista zgjedhore të pastrohet pak a shumë sikurse deri tani, me ndërthurjen e bazave të të dhënave nga institucionet dhe kontroll shtesë në terren për adresat kontestuese. Për diasporën, janë të hapura mundësitë e vendosjes së pragut për 3 mandatet e diasporës, ose votimi për listat brenda vendit. Gjithashtu, çështje e hapur mbetet edhe financimi i fushatës parazgjedhore, me LSDM-në që kërkon ndalimin me ligj të mundësisë që mediat të paraqiten si donatore për partitë politike.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *