Home / Lajme / Maqedoni / Zaev: Kërkesa e BDI-së për MO-në është populiste (VIDEO)

Zaev: Kërkesa e BDI-së për MO-në është populiste (VIDEO)

Shkup, 02 Tetor – BDI-ja 8 vjet është dhe gjatë gjithë kësaj periudhe është angazhuar vetëm për punësime partiake dhe tani është joparimore që ta vendosë në tavolinë Marrëveshjen e Ohrit dhe zbatimin e saj.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev e ka quajtur joparimore tentativën e BDI-së që ta shtrojë si çështje në grupin e punës edhe Marrëveshjen e Ohrit, 14 vite pas firmosjes. Ai tha se opozita është e gatshme të bisedojë për problemet e të gjithë qytetarëve, qofshin shqiptarë ose maqedonas, por jo edhe për marrëveshje që BDI-ja duhej ta kishte realizuar në këto 8 vite në pushtet.

“BDI-ja 8 vjet është dhe gjatë gjithë kësaj periudhe është angazhuar vetëm për punësime partiake dhe tani është joparimore që ta vendosë në tavolinë Marrëveshjen e Ohrit dhe zbatimin e saj. Por, ne jemi të gatshëm të bisedojmë për gjithçka. Ardhmërinë e vendit nuk e shohim tek marrëveshjet. Ardhmërinë e shohim – një shtet, një shoqëri – të barabartë në gjithçka. Kështu që, të hapet sërish çështja e Marrëveshjes Kornizë nga BDI-ja, e cila tashmë 8 vite ose 7 vite e gjysmë është në Qeveri? Çfarë kanë bërë deri tani?”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, transmeton Televizioni Koha.

Zaev nga ana tjetër, sërish ia hodhi fajin VMRO-DPMNE-së për bllokimin e bisedimeve jo vetëm për Kodin Zgjedhor, por edhe për Komisionin Anketues Parlamentar. Sipas tij, VMRO DPMNE-ja konteston gjithçka rreth këtij Komisioni, që nga titulli, numri i anëtarëve dhe transparenca e seancave.

“Nuk mundet që emri të jetë problem për Komisionin Anketues. Emri është në Marrëveshjen e 2 qershorit. Vërtetë nuk shoh asnjë arsyetim që kjo të banalizohet. E them si moment, ose si detaj, se pse disa procese po ngecin. Nuk ka ikje, nëse duhet ta definojmë emrin e Komisionit Anketues edhe pse qëndron në Marrëveshjen e Përzhinos, nëse duhet të caktohet numri i anëtarëve, le të caktohet. Nëse ndonjë nga politikanët mendon se seanca duhet të jetë e mbyllur, le të dalë para opinionit dhe le të thotë se pse ai dëshiron të raportoj në seancë të mbyllur, ndërsa luftojmë për transparencë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, transmeton Televizioni Koha.

Marrëveshja e 2 qershorit parashikon që LSDM-ja duhet të udhëheqë me komisionin e veçantë anketues parlamentar të themeluar mbi skandalin e përgjimeve. Por për VMRO DPMNE-në, është kontestuese fraza ‘skandali i përgjimeve’ dhe kërkojnë që Komisioni të hetojë përgjegjësinë për marrjen dhe publikimin joligjor të telefonatave të përgjuara. Sipas Marrëveshjes, raporti i parë i Komisionit duhet dorëzuar më 15 nëntor. /Tv Koha/

Gjithashtu lexo

Kuvendi duhet të votojë për shkarkim të Zvërlevskit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet të mbajë vazhdime të tre seancave midis të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *