Home / Kryesoret / Impulse të reja në sferën e kulturës në Gostivar
Xhezair R.

Impulse të reja në sferën e kulturës në Gostivar

Në vazhdën e vizitave të institucioneve kulturore nëpër komunat shqiptare, një delegacion i udhëhequr nga sekretari shtetëror Behuxhidin Shehabi, sot qëndroi në Gostivar, me ç’rast vizitoi Qendrën e Kulturës dhe Qendrën Konservuese ku realizoi takim me udhëheqësit e këtyre institucioneve. Në këto takime u bë fjalë për realizimin e projekteve dhe aktiviteteve të llojllojshme që kanë për qëllim avancimin e kulturës në Gostivar, ku edhe gjatë vitit që po e lëmë u realizuan rreth 50 projekte të vogla në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe me Qendrën e Kulturës së këtij qyteti.

“Kur bëhet fjalë për lëmin e kulturës, Gostivari është një mjedis specifik ndaj dhe karakterizohet me shumë aktivitete. Bartës të tyre janë edhe shumë artistë që kulturës shqiptare përgjithësisht i kanë dhënë shumë, e veçmas në lëmin e artit figurativ, letërsisë, fotografisë e kështu me radhë. Ne jemi këtu që kësaj sfere shpirtërore t’i japim impulse të reja. Në buxhetin për vitin 2016 janë paraparë mjete të konsiderueshme për financimin e projekte të reja në lëmin e kulturës edhe në Gostivar, përfshirë edhe rregullimin e fasadave të shtëpive të vjetra dhe restaurimin e tyre”, tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehabi, të cilin në Qendrën e Kulturës e priti drejtori i këtij institucioni, Luan Zenku.

Në këtë takim ishin prezent edhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në këtë rajon dhe të cilat janë mbështetur financiarisht për projektet e tyre nga Ministria e Kulturës. Kryesisht bëhet fjalë për projekte nga lëmi i artit figurativ, folklori, drama etj.

Tanimë, edhe zyrtarisht, në Gostivar filluan punimet për restaurimin e fasadave të dhjetë shtëpive në qendër të qytetit. Vlera e përgjithshme e këtyre punimeve arrin shifrën prej 10 milionë denarëve që është mbështetur nga Ministria e Kulturës ndërsa realizohet nga Qendra konservuese.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i qytetit të Gostivarit, Nevzat Bejta, i cili theksoi se komuna e Gostivarit ka një bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Kulturës dhe se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. 

Gjithashtu lexo

Një shtetas i Maqedonisë i plagosur në sulmin në Barcelonë, gjendet në spital

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, nga komunikimi me Ambasadën e Maqedonisë në Spanjë, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *