Home / Lajme / Maqedoni / Nënat tetovare pyesin Teuta Arifin: Pse nuk e mbajtët premtimin për ajrin e ndotur?

Nënat tetovare pyesin Teuta Arifin: Pse nuk e mbajtët premtimin për ajrin e ndotur?

05 Nëntor – Letër e hapur kryetares së Komunës së Tetovës znj.Teuta Arifi, nga Nënat tetovare pyesin Teuta Arifin: Pse nuk e mbajtët premtimin?

E nderuara znj. Kryetare e Komunës së Tetovës, znj. Teuta Arifi, Lëvizja “Nëna dhe fëmija” e cila tani më është e njohur për Ju ashtu edhe për opinionin publik si lëvizje qytetare e një grupi nënash nga Tetova, të cilat kemi shprehur pakënaqësinë tonë rreth ndotjes alarmante të ajrit në Tetovë disa here me radhë, nëpërmjet aktiviteteve dhe protestave të ndryshme.

Kësaj radhe Ju drejtohemi me anë të kësaj letre të hapur që në mënyrë urgjente të ushtroni autoritetin Tuaj si kryetare e banorëve të qytetit më të ndotur në botë, të ndikoni në përmirësimin urgjent të situatës që mbisundon në Tetovë. Ju këtë ua keni premtuar banorëve, të cilët ju besuan votën Juve dhe platformës tuaj politike të shpalosur gjatë kampanjës parazgjedhore.

E nderuara kryetare, Jemi të vetëdijshme që Ju si individ dhe si institucion do të tentoni të amnistoheni me argumentin se jeni të pafuqishëm për të vepruar kundrejt ndotësit më të madh dhe morbid të qytetit tone, duke thënë se disa here radhazi keni elaboruar pamundësinë tuaj institucionale të vëni në funksion mekanizma të ndryshëm ndaj presionit për detyrim të vendosjes së filtrave në fabrikën famëkeqe Jugohrom.

Por e nderuara kryetare, gjithë kjo nuk do të thotë se duhet ndejtur duarkryq ndaj ajrit të ndotur me prezence të grimcave PM10 deri në nivel 830µg/m3 regjistruar më datë 03.11.2015 si dhe 745 µg/m3 me date 4.11.2015. E nderuara kryetare, Duke mos dashtur që të keqkuptohemi se vetëm kritikojmë dhe kërkojmë llogaridhënie, ne nënat, Juve personalisht por tani si nënë, institucionit që përfaqësoni si dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të ju dëshmojmë se ekziston një mundësi që Ju mund ta realizoni, pa miratimin e qeverisë dhe të ndihmoni pak sa në zbutjen e gjendjes alarmante.

Kjo ka të bëjë me një premtim të dhënë nga ana Juaj në takimin me anëtare të “Lëvizjes Nëna dhe Fëmija”, të mbajtur në ambientet e Komunës së Tetovës, më datë 02.02.2015. Asokohe Ju, elaboruat aktivitetet të cilat janë ndërmarrë dhe aktivititetet që planifikonit të ndërmerren në kuadër të Komunës së Tetovës, mes tjerash ishte edhe furnizimi dhe larja e qytetit me Acetat Kalcium-Magneziumi. Kjo përzierje, sipas jush ka aftësi të mos lejojë ngritjen në ajër të metaleve të rënda me çka grimcat PM10 do ngelin në tokë, që kjo të jetë edhe më interesantë Ju thatë se të njëjtën e keni të planifikuar në buxhetin për vitin 2015, por që do e aplikoni në kohërat më të thata, kur nuk ka të reshura shiu ose dëbore, sepse vetëm në ato kushte klimatike kjo përzierje paska efekt më të madh.

Ju rikujtojmë znj. Kryetare, që gjatë kësaj jave ndotja e ajrit ishte alarmante, por nga ana tjetër koha ishte me diell, me thatësi dhe kishte kushte të përkryera për të larë qytetin me këtë përzierje substancash! Por Ju nuk ndërmorët asgjë rreth zbutjes sadopak të ndotjes së ajrit që arriti vlera kulminante nga helmimi i qartë që na shkakton haptazi fabrika morbide dhe famëkeqe Jugohrom.

Ne nuk na intereson shkaku apo rrethanat pse nuk e keni mbajt këtë premtim, me rëndësi është se të gjithë së bashku ne, Ju dhe të gjithë banorët e Tetovës – votuesit tuaj dhe taksa pagues të këtij shteti, dita ditës HELMOHEMI! Sidoqoftë, Ne ju bëjmë apel që, përderisa Qeveria e Republikës së Maqedonisë vazhdon të lejojë helmimin masiv të qytetarëve të kësaj Komune, Ju si kryetare përgjegjëse për banorët e Komunës që ju drejtoni, me urgjencë të filloni aplikimin e larjes së rrugëve të qytetit me substancat e lartpërmendura si minimum i asaj që pozita dhe autoriteti i Juaj ua mundëson.

Për këtë NUK ju duhet miratim i qeverisë! Mënyra se si do e realizoni atë dhe parakushtet për realizim ju takojnë Juve ti zgjidhni. Ne gjithmonë do ju thërrasim në premtimet e juaja, dhe gjithmonë do ju dëshmojmë se ekzistojnë mënyra të ndryshme për të zgjidhur problemet mirëpo nuk ekziston vullnet I duhur në nivelet politike në vend, si ato lokale ashtu edhe qendrore për tu kujdesur për nevojat dhe mirëqenien e qytetarëve të cilët ua besuan fatin e tyre.

Ju si Kryetare e Komunës treguat interesim dhe vullnet të mirë kur Ju na u bashkëngjitët në marshin tonë protestues “Ndërrojmë Lodrat për Filtra” dhe ne iu mbështetëm vullnetit tuaj për të ndihmuar zgjidhjen e problemit mirëpo sërish proceset nuk ecën përpara, asgjë nuk u ndërmor në drejtim të detyrimit të fabrikës në instalim të filtrave dhe ajo punoi me kapacitet të plotë tërë këtë kohë saqë përsëri na solli në shifrën më të lartë të ndotjes në nivel botëror.

Andaj, përderisa asgjë nuk po ndërmerret kundrejt zgjidhjes permanente të ajrit të ndotur në Komunën e Tetovës, dhe nëse kjo kërkesë nuk na merret parasysh, që të implementohet urgjent larja e gjithë qytetit me Kalcium – Magneziumi deri në arritjen e nivelit të lejuar të ndotjes nën 50µg/m3, neve nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të humbim toruan e civilizimin dhe të marrim masa radikale për të luftuar për të drejtën tonë jetike për ajër të pastër. Pasojat nga ato aktivitete, cilatdo qofshin, do i mbani Ju dhe institucioni qe e udhëhiqni! Me respekt, Këshilli organizativ i “Lëvizja Nëna dhe Fëmija”

Gjithashtu lexo

DAÇIÇ NE E DIMË PËR ÇFARË JENI MARRË VESH – (VIDEO)

Serbia pretendon se shërbimet e inteligjencës së Maqedonisë kanë përgjuar diplomatët e saj por edhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *