Home / Lajme / Maqedoni / Stipe Mesiç e promovoi librin e tij ,,Si është shkatërruar Jugosllavia

Stipe Mesiç e promovoi librin e tij ,,Si është shkatërruar Jugosllavia

2 nëntor-Autori i librit, ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç tha se libri paraqet një kronikë drame të fazës së fundit të zhdukjes së Jugosllavisë. ,,Në librin tim me titull “Si u shkatërrua Jugosllavia” kam paraqitur një pjesë të shënimeve nga ditari im, nga koha kur kam qenë, aq sa më është mundësuar të jem, president i shefit kolektiv të asaj bashkësie popujsh dhe pakicash kombëtare

Ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës e promovoi librin e tij ,,Si është shkatërruar Jugosllavia”. Në promovimin e këtij libri, ish presidenti kroat u shoqërua edhe nga kandidati shqiptar për deputet në Parlamentin e Kroacisë, z. Idriz Sulejmani.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar auditorit theksoi se është privilegj për institucionin tonë që në mesin tonë ndodhet njëri nga miqtë e çmuar të kombit shqiptar, z. Stipe Mesiç. ,,Në këtë shekull të modernizmit dhe përparimit perëndimor, shoqëria jonë në Ballkan dhe jo vetëm, do t’i bënte vetes një shërbim historik, vetëm atëherë kur në vend të harresës, injorimit dhe fshehjes së fakteve, do t’i hapte rrugë studimit të mirëfilltë, informimit të plotë dhe të drejtë, dhe ballafaqimit mes intelektualësh, në lidhje me ndodhitë, ngjarjet dhe të vërtetat historike, të cilat kanë ndodhur në këto hapësira ku jetojmë dhe punojmë përkrah njëri-tjetrit, si popuj me një të kaluar të dhimbshme. Në funksion të këtij misioni, është edhe libri me titull ,,Si është shkatërruar Jugosllavia” që e promovojmë sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dhe më këtë rast, për punën dhe kontributin e tij intelektual, më lejoni që në emër të drejtuesve të këtij institucioni, studentëve dhe profesorëve, t’i shprehi mirënjohjen dhe falënderimin tonë autorit të kësaj vepre, z. Stipe Mesiç”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.
Për veprën e z. Stipe Mesiç foli edhe Doc. dr. Zeqirja Rexhepi, i cili vlerësoi se ky libër është një dëshmi për të pathënat e një historie. ,,Janë të shumta të dhënat dhe dëshmitë, në këtë ditar, që vetë autori e quan kronikë drame e fazës së fundit të shpërbërjes së shtetit të quajtur Jugosllavi. Nga rrëfimet e Mesiçit kuptojmë që ai erdhi në Kryesi të Presidencës Jugosllave pas zgjedhjeve pluraliste të vitit 1990 në Republikën e Kroacisë. Në këtë kohë, Kryesia e Jugosllavisë akoma funksiononte si organ kolektiv, ku 8 anëtarët e saj delegoheshin nga Kuvendet e njësive federale. Në këtë ditar gjithçka dëshmohet për periudhën 15 maj 1990 – 15 maj 1992, kur Republikës së Kroacisë i takonte posti i zëvendëskryetarit dhe më pas edhe kryetarit të shtetit”, deklaroi Doc. dr. Zeqirja Rexhepi.

Ndërsa profesori i historisë, Prof. dr. Fehari Ramadani, në analizën e tij për librin e z. Stipe Mesiç tha se, libri ,,Si u shkatërrua Jugosllavia” ngërthen në vete një diskurs me vlera të larta historike-shoqërore, dhe sjell dëshmi të pakontestueshme për një çështje tepër delikate dhe të veçantë për nga spektri problemor tematik, siç është ajo e shpërbërjes së Jugosllavisë. ,,Ky libër është i mbushur përplot me informacione, i ngjeshur me tema interesante dhe që vazhdojnë të mbeten aktuale edhe në ditët e sotme. Autori është konsekuentë në prezantimin e ngjarjeve dhe fakteve. Libri është shumë tërheqës për lexuesin, pasi është përgatitur në një stil të veçantë, që di ta përdorë vetëm një mendje e ndritur, ashtu siç është zoti Mesiç”, shtoi Prof. dr. Fehari Ramadani.
Autori i librit, ish presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç tha se libri paraqet një kronikë drame të fazës së fundit të zhdukjes së Jugosllavisë. ,,Në librin tim me titull “Si u shkatërrua Jugosllavia” kam paraqitur një pjesë të shënimeve nga ditari im, nga koha kur kam qenë, aq sa më është mundësuar të jem, president i shefit kolektiv të asaj bashkësie popujsh dhe pakicash kombëtare. Kjo është kronikë drame e fazës së fundit të zhdukjes së shtetit, i cili ekzistonte vetëm formalisht kur erdha në krye të Presidencës me vendimin e mbledhjes së pestë të gjithë dhomave të kuvendit të Republikës së Kroacisë, më 24 gusht 1990 dhe mora detyrën e zëvendëskryetarit, vend i cili sipas RSFJ-së dhe presidencës i përkiste Kroacisë, nga 15 maji 1990 deri më 15 maj 1991”, deklaroi autori i librit Stipe Mesiç.
Në promovimin e librit ,,Si u shkatërrua Jugosllavia” morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, personalitete nga jeta akademike, intelektuale, politike dhe shoqërore, si dhe stafi akademik dhe studentë të USHT-së.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *