Home / Lajme / Maqedoni / USHT e shënoi 103 vjetorin e Ditës së Flamurit Kombëtar

USHT e shënoi 103 vjetorin e Ditës së Flamurit Kombëtar

Me një akademi solemne, sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës u shënua 103 vjetori i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, e njohur ndër shqiptarët anekënd botës si Dita e Flamurit. Në këtë akademi morën pjesë Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, prorektorë, sekretari i përgjithshëm, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë.

Akademinë e shpalli të hapur Prorektori për Arsim i USHT-së, Prof. dr. Reshat Qahili, i cili në fjalën e tij theksoi se Dita e Flamurit është festa më e madhe dhe më e rëndësishme për shqiptarët e të gjitha trojeve. “Kam nderin e veçantë që t’ju uroj të gjithëve mirëseardhje në këtë akademi solemne që e organizojmë në Universitetin tonë, për nder të 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Dita e Flamurit është festa më e madhe dhe më e rëndësishme për shqiptarët e të gjitha trojeve, dita që na kujton se ne jemi një, pavarësisht bindjeve e ndarjeve ideologjike, religjioze, krahinore e dialektore. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimi i Shtetit Shqiptar në Kuvendin Kombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912, përbën ngjarjen më madhore të historinë e mijëvjeçarëve të kombit tonë. Pavarësisë i parapriu një histori e tërë përpjekjesh, sidomos periudha e Rilindjes Kombëtare, e cila hartoi strategjinë për çlirim dhe liri nga robëria e huaj”, tha Prof. dr. Reshat Qahili.

Referatin tematik për nder të kësaj date të rëndësishme për kombin tonë, para të pranishmëve e paraqiti Doc. dr. Zeqirja Rexhepi, i cili theksoi se në kronikat dhe librat tanë, në të gjitha shënimet kalendarike nënvizohen Nëntorët e përgjakur, si dëshmi për fashitjet tona shekullore. “E kaluara e popullit tonë njeh edhe lavdi. Njëra nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare është Shpallja e Shqipërisë së pavarur – 28 Nëntori, Dita e Flamurit, po atij flamuri që ngriti Gjergj Kastrioti në Krujë, po atij flamuri që e qëndisi Marigona shqiptare për festën e madhe të Vlorës, po atij flamuri, për të cilin akoma derdhet gjak këndej e matanë kufirit. Ngjarja e rëndësishme e Pavarësisë së Shqipërisë, që u shpall nga Ismail Qemali, një personalitet plot ndikim e urti, erdhi pas zgjimit kombëtar, një proces tashmë i filluar më parë, në shek. XX edhe te popujt evropianë”, theksoi Doc. dr. Zeqirja Rexhepi.

Ky manifestim solemn për nder të festës kombëtare, në Universitetin Shtetëror të Tetovës është bërë traditë dhe në këtë mënyrë, jo vetëm që përkujtohet kjo datë e historisë sonë të lavdishme, por njëkohësisht promovohen edhe vlerat e traditës dhe historisë sonë, nga se kjo datë shënon vënien e themeleve të Shtetit Shqiptar, si kurorëzim i aspiratave shekullore të kombit tonë për liri dhe pavarësi.

Po ashtu, kjo akademi u begatua me një program të pasur artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Arteve të universitetit tonë.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *