Home / Kryesoret / BDI nuk pranon koalicion me PDSH-në

BDI nuk pranon koalicion me PDSH-në

Bashkimi Demokratik për Integrim thyen heshtjen dhe i përgjigjet negativisht ofertës së kreut të PDSH-së, Menduh Thaçi për koalicion mes dy partive më të mëdha në kampin politik shqiptar në Maqedoni.

Në një deklaratë ekskluzive për “Koha Ditore”, sekretari gjeneral i BDI-së, Abdilaqim Ademi hedh poshtë çdo mundësi për koalicion me rivalin e deritanishëm, duke i sugjeruar Thaçit që një gjë të tillë ta provojë me partitë e tjera opozitare dhe ato të posaformuara.

“Prandaj, apeli ynë deri te subjektet politike shqiptare në opozitë dhe të sapoformuara është që të bashkëpunojnë në mes tyre, le të bëjnë koalicion ose front opozitar, le të koncentrohet vota shqiptare në dy tabore ose fronte, sepse në këtë mënyrë jepet hapësirë për garë politike, për oferta dhe platforma, por gjithashtu kjo mundëson edhe koncentrimin e votës dhe valorizimin e saj në mandate”, shprehet Ademi për “Koha Ditore”.

Kjo përgjigje vjen vetëm disa ditë pasi Menduh Thaçi në emisionin “Klick” në RTV 21 të Shkupit u shpreh i gatshëm që të ulen me Ahmetin dhe të nënshkruajnë një marrëveshje që para zgjedhjeve të 24 prillit.

Më 28 Nëntor, Thaçi u paraqit në një manifestim në fshatin Reçan të Gostivarit krah për krah me nënkryetarin e BDI-së, Nevzat Bejta dhe me zyrtarë të tjerë të partisë shqiptare në pushtet. Kjo nga shumë analistë vendor u pa si një hap drejt koalicionit i cili edhe më herët është përfolur disa herë, si në koloaret politike ashtu edhe nga vetë Thaçi, herë si “bashkërendim” e herë si “unifikim qëndrimesh”, raporton Koha.net.

Mirëpo sekretari i BDI-së, Abdilaqim Ademi, thotë për “Koha Ditore” se pjesëmarrja e Thaçit në Reçan ishte me ftesë të këshillit organizativ të manifestimit dhe nuk duhet të shihet as si koalicion dhe as si një hap drejt koalicionit.

“Kjo thjesht duhet të kuptohet si pjesëmarrje në një manifestim për nder të festave. Personalisht do të dëshiroja që akte të tilla të ndodhin më shpesh dhe jo vetëm për ditë festash. Shtrëngimi i duarve në mes politikanëve duhet të jetë gjest normal”, thotë Ademi.

Ai ka komentuar edhe zërat e shtuar për reforma në skenën politike shqiptare dhe kjo sipas tij nuk mund të bëhet duke zëvendësuar një parti me një parti tjetër, por duke sjellë freski në mesin e partive aktuale.

Një gjë të tillë Ademi pretendon se BDI e ka bërë që nga viti 2005 e këndej. Ai përsëriti qëndrimin se BDI është kundër ndarjes së votës shqiptare në më tepër se dy parti dhe lista pasi vlerësojnë se në këtë mënyrë shqiptarët humbin në numër të deputetëve.

Kohë më parë, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi u shpreh i gatshëm edhe për koalicion me partinë e porsaformuar “Lëvizja Besa” e cila po ashtu e refuzoi, ndërsa me RDK tanimë nuk ka asnjë shteg pas prishjes së koalicionit të vitit 2011 që zgjati vetëm disa ditë.

Me Lëvizjen për reforma në PDSH-së, Ziadin Sela, të dyja palët që në fillim kanë hedhur poshtë çdo mundësi përafrimi.

Aktualisht, i vetmi kombinacion për koalicion është ai i partive të reja shqiptare dhe RDK-së. Kjo e fundit me Lëvizjen për Reforma në PDSH të udhëhequr nga Ziadin Sela, kanë formuar Aleancën për shqiptarët me të cilën do të garojnë bashkë në zgjedhje.

Disa herë LR-PDSH dhe RDK nga njëra anë dhe Lëvizja Besa nga ana tjetër kanë shprehur gatishmëri për afrim dhe bashkëpunim, por ende nuk ka një hap konkret drejt një koalicioni opozitarë.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *