Home / Kryesoret / Filloi gjykimi për rastin e Kumanovës:Familjarët nuk kanë besim në drejtësinë

Filloi gjykimi për rastin e Kumanovës:Familjarët nuk kanë besim në drejtësinë

Të 29 të akuzuarit për sulmin ndaj stacionit policor në Gushincë dhe ngjarjet në Lagjen e Trimave të Kumanovës u deklaruan sot si të pafajshëm. Në seancën e sotme për vlerësimin e aktakuzës ata u shprehën se nuk e pranojnë akuzën për të cilën ngarkohen: “terrorizëm dhe organizim terrorist”.

Avokatët e të akuzuarve kërkuan që rastin ta marrë përsipër Prokuroria Speciale, por Këshilli gjyqësor nuk e pranoi kërkesën. Mbrojtja kundërshtoi pasi hetimi për rastin nuk ka përfunduar, ndërsa deri tani të akuzuarit nuk kanë pasur asnjë qasje te dëshmitë. Nga ana tjetër, Prokurori pohon se për këtë rast ka prova të mjaftueshme që aktakuza të pranohet dhe të 29 të akuzuarit të gjykohen.

Sipas aktakuzës, një pjesë e të akuzuarve kanë marrë pjesë në sulmin ndaj stacionit policor në Gushincë më 21 prill, ku kanë vjedhur një sasi të madhe armësh. Pas këtij incidenti, gjykatësi në një procedurë paraprake më 27 prill ka lëshuar urdhër për masa të posaçme hetuese, që kanë zgjatur deri më 8 maj. Në bazë të masave të të posaçme hetuese dhe provave materiale, të akuzuarit kanë qenë nën ndjekje të policisë, dhe kanë qenë lokalizuar në një objekt në Lagjen e Trimave, ku më vonë është kërkuar ndërhyrja dhe arrestimi i tyre nga ana e policisë. Më 9 maj, sipas aktakuzës, kur policët i janë afruar shtëpisë në të cilën gjendeshin të akuzuarit, grupi i armatosur ka hedhur një granatë dore, ku janë lënduar disa pjesëtarë të forcave policore. Shkëmbimi i zjarrit ndërmjet policisë dhe grupit të armatosur zgjati deri të nesërmen, më 10 maj. 8 policë u vranë ndërsa 40 të tjerë u plagosën. 10 pjesëtarë të grupit u vranë. Pjesa e mbetur, 29 pjesëtarët e grupit që u arrestuan, sot ishin në gjykatë. Këshilli gjyqësor duhet të vlerësojë nëse do ta pranojë aktakuzën dhe nëse do t’i gjykojë 29 personat. Të akuzuarit janë në paraburgim në burgjet në Shkup, Manastir dhe Prilep. Ata u sollën në gjykatë me sigurimin më të lartë policor. I tërë kompleksi gjyqësor ishte i bllokuar dhe i siguruar prej qindra policësh të armatosur. Fillimin e seancës gjyqësore e kanë ndjekur përfaqësues të OSBE-së, Komitetit të Helsinkit, ndërsa është penguar të hyjë në seancë, ambasadori i Kosovës Ylber Hysa, i cili bashkë me familjarët e të ndaluarve ka qëndruar jashtë gjykatës.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *