Home / Kryesoret / Fjalimi vjetorë i kryetares së komunës së Tetovës Teuta Arifi

Fjalimi vjetorë i kryetares së komunës së Tetovës Teuta Arifi

Kur futeni në një qytet dinamik, do të vëreni shumë vetura në bulevardet e gjera , njerëz që ecin lirshëm në trotoare, linja aktive të transportit nëntokësor dhe mbritokësor, parqe dhe trotoare të gjera, ndërtesa të larta, parkingje, pastërti dhe infrastrukturë urbane në pajtim me rregullat e harmonisë urbane dhe bukurisë arqitektonike.

Po të kishim shkop magjik me siguri që keshtu do të dukej Tetova sot .Por pasi që nuk kemi, le të kthehemi pas në dekadat e fundit kur qytetarët e Tetovës dhe rrethinës me përkrahjen e komunës së tyre dhe Ministrisë për Transport dhe Lidhje vetë u bënë arqitekt të qytetit, duke i ndërtuar rrugicat e ngushta me shtëpite përreth . Le te kthehemi në kohën kur uzurpimi i hapërsirave publike dhe ndërtimi i objekteve afariste dhe banesore pa parkigje dhe pa plotësuar standardet urbanistike dhe ligjore ishte një lloj sporti kombëtar.

Gjatë kësaj kohe të renesanses betonike për ndërtuesit privat të mirat publike si që janë rrjeti i ujësjellsit, rrugët, trotoaret, objektet e kulturës , arsimit dhe sportit u lanë pas dore nga zyrtarët lokal sepse disa zyrtarë nuk kishin as kompetenca as burime financiare per të vepruar ndërsa të tjerë ngaqë demokracia ju mundësoi pak më shumë kompetenca ndërsa të vetmen që e zgjodhën për ta ushtruar ishte ndërmjetësimi në uzurpimin e pronave publike dhe dhënia e lejeve për ndërtim për përfitime financiare personale dhe klanore.

Të gjithë keta faktor kontribuan që Tetova të jetë një lëmsh i zymtë kaotik me rrugë të ngushta e të vjetra mbi të cilat qarkullojnë dyfish më shumë automjete se njerëz . Një qytet me infrastrukturë të amortizuar urbane, mungesë të ujit për pije dhe problem serioz me vetë konceptin e të qenit qytet.

Tani le të kthehemi në vitin 2015 , kur në bulevardin Iliria dhe Ilinden, implementohet me sukses projekti i parkimit zonal. Ky projekt implementohet nga ana e Ndërmarrjes publike për menaxhim me parkingje e cila u themelua këtë vit kurse nga viti i ardshëm planifikon ta zgjerojë projektin për parkim zonal në rrugët dytësore të qytetit pra në zonën B. Nëse ju kujtohet , bulevardi Iliria , njëri nga dy bulevardet e vetme që ka Tetova u rindërtua në vitin 2013 ndërsa këtë vit tërësisht u asfaltua rruga industriale e cila po ashtu është njëra ndër rrugët më të rëndësishme dhe më të frekuentuara të qytetit .

Dua të potencoj edhe një moment të rëndësishëm të këtij viti , themelimin e “Ndëmarjes për Transport Publik” dhe kërkësën e dërguar deri te qeveria që të na ndajë tetë autobusë, njëlloj si komunës së Shkupit që të mund të funksionojë transporti publik në Tetovë . Përgjigje për kërkesën tonë ende nuk kemi pranuar mirëpo kërkesa jonë qëndron ende e hapur sikur vendosmëria që vitin e ardhshëm me mjete vetanake ta matërializojmë këtë projekt që është shumë i rëndësishëm për qytetin si në aspëktin e reduktimit të trafikut urban ashtu edhe në reduktimin e ndotjes së ajrit .

Kur jemi te ndotja e ajrit dua të rikujtoj sërish që komuna e Tetovës ka ndërmarrë të gjitha masat në kuadër të kompetencave të saja ligjore për të zbutur situatën e ndotjes enorme të ajrit ambiental dhe që qëndrojmë pas kërkesës tonë si komunë dhe kërkesës së qytetarëve tanë që qeveria si subjekt me kompetencë ligjore ta zgjedh problemin që ka krijuar me vazhdimin e lejes për punë te fabrikës Jugokrom në komunën e Jegunovcës pa filtra mbrojtës.

Të ndëruar qytetarë,

Asnjë nga projektet kapitale nga të cilat përfiton qyteti dhe banorët e tij, nuk është i lehtë por asnjëri nuk është i pamundur për tu bërë . Nevojitet vetëm shumë punë , nerva dhe energji por mbi të gjitha mendësi që e kupton se institucionet publike janë aty për ti shërbyer qytetarëve sepse finansohen nga tatimet e qytetarëve .

Jo që Tetova është rekordere në pagesën e tatimeve lokale por sërish, besoj që duke punuar për të mirën e përgjithshme institucioni do të fitoj kredibilitet që në të ardhmen qytetarët me shumë dëshirë do ti paguajnë tatimet në këmbim të shërbimeve cilësore dhe mirëmbajtjen e të mirave publike pa të cilat asnjë qytet në botë nuk mund të funksionojë si qytet.

Zonja dhe zotërinj,

Nga viti i ardhshëm qytetarët e Tetovës nuk do ta kenë më luks ujin për pije sepse projekti i ujësjellsit te Tetovës gjendet në fazën përfundimtare. Me përfundimit të tubacionit ët ujit në gjatësi prej 8.5 kilometra, në pranverën e vitit 2016 fillon faza e dytë dhe përfundimtare e ujësjellësit apo ndërtimi i filterstacionit, i cili sipas dinamikës së paraparë pritet të mbarojë në vjeshtën e vitit 2016, dhe me këtë do të materializohet përfundimisht nevoja dhe kërkesa 20 vjeçare e qytetarëve tanë për ujë të pijshëm.

Ndërtuam murrin mbrojtës në fshatin Shipkovicë, shtruam me bekaton rrugët e fshatit, pastruam përojin dhe rregulluam urën e fshatit. Realizuam projekte infrastrukturore në rrugët dhe urrat e fshatrave Gjermë, Poroj, Gajre, Bozofcë, Vicë, Sellcë dhe Llacë.

Në ndërkohë edhe kete vit do të vazhdojë ndërtimi i rrugës së banjës projekt ky i financuar nga granti i fituar nga Agjencioni për përkrahjen e zhvillimit rrural ndërsa këtë ëtë vit po ashtu kemi aplikuar në thirrjen e Ministrisë për financa me projektin për ndërtimin e rrugës së Kalasë respektivisht rrugën që lidh Tetovën me Sellcën.

Ndërtesa e Sektorit për zhvillim ekonomik lokal sivjet u rinovua me grantin e fituar nga Byroja për zhvillim rajonal ndërsa vitin e ardshëm në bashkëpunim me USAID planifikojmë hapjen e Zyrës së diasporës , zyrë kjo që do të ndërmjetësojë dhe lehtësojë investimet e diasporës tetovarë në vendlindje .
Pas marrjes së stadiumeve të qytetit nën kompetencë te komunës së Tetovës dhe kompletimit të dokumentacionit të nevojshëm në proces është shpallja e tenderit për partneritet publiko-privat me qëllim të funksionalizimit të plotë dhe vënies së këtyre objekteve në shërbim të qytetarëve te Tetovës.

Këtë vit themeluam shkollën e re të mesme „ 7 Marsi“ , realizuam rekonstruimin e dyshemeve, dritareve dhe nyjeve sanitare në objektet e infrastrukturës arsimore.Salla e sportit në shkollën fillore Përparimi në Recice është projekt i përfunduar njëkohësisht që vazhdojnë punimet në sallat e sportit të shkollave fillore „8 Shtatori“ , „ Mosha Pijade“. Këtë vit kemi organizuar garat shkollore në tetë lëndë mësimore , garat rajonale në gjuhën shqipe, olimpiadën mbarëkombëtare të matematikës, turneun ndërkombëtar në karate „Tetova Open 2015“si dhe turneun mbarëkombëtar në futboll të vogël „ Tetova 2015“.

Është e vërtetë qe nuk jemi me të popullarizuarit në mesin e ndërtuesve të banesave kolektive pa standarde mirëpo me mburje konstatojmë që në vitin 2015 kemi pranuar 200 kërkesa për leje ndërtimi nga të cilat 132 janë lëndë të përfunduara për ndërtime që janë plotësisht në pajtim me standardet ligjore dhe urbanistike për ndërtim.
Dhe derisa do të vazhdojmë të jemi hermetikisht të mbyllur ndaj biznes -ofertave joligjore për të qenë institucion që ndërmjetëson në pasurimin e personave privat në dëm të qytetit dhe qytetarëve të Tetovës, ne do të vazdhojmë ti mbajmë dyert hapura ndaj qytetarëve, OJQ-ve, biznismenëve, sportistëve, artistëve tanë dhe ideve dhe projekteve të tyre.
Komuna e Tetovës vitet e fundit po përjeton pa hezitim, një periudhë të renesansës së dukshme kulturore, e cila funksionon kryesisht mbi dy festivalet më të mëdha që ka qyteti, dhe që janë “Vera e Kulturës Tetovare” dhe “Tetova Feston Nëntorin”.
Përkushtimi ynë programor dhe parimor, që të kemi një qytet i cili duhet perceptuar më shumë se sa thjesht një vendbanim, ka bërë që skena tetovare edeh këtë vit të vizitohet dhe të jetë nikoqire e shumë instucioneve kulturore dhe artistëve të dëshmuar si: T.K.O.B, Filharmonia e Kosovës, Orkestra simfonike e RTSH, Orkestra e Akademisë së Arteve “Ibrahim Madhi”, Mirush Kabashi, Kastriot Tusha, Anila Hoxha Gjermeni, Shkëlzen Doli, Elhaida Dani, Marigona Çerkezi, Teatrot kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe së fundmi sopranoja e mirënjohur Inva Mula me -koncertin e cilës këtë vit përmbyllëm edicionin e 3-të të Manifestimit Tetova Feston Nëntorin 2015.

Zonja dhe zotërinj,

Vitin që lame pas u ballafaquam me një katastrofë natyrore që morri viktima njerëzore dhe shkaktoi dëmë të mëdha materiale. Uroj që kjo kurrë të mos ndodh më dhe dua edhe një herë të falemnderoj të gjithë punonjësit e komunës së Tetovës , qytetarët, afaristët, komunat tjera në Maqedoni, punojësit e komunave tjera, qeverinë e Maqedonisë , armatën , Qendrën për menaxhim me kriza, te gjitha institucionet nga vendi dhe diaspora , qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës që në castët me të vështira u solidarizuan dhe na ndihmuan pa kursyer as shërbimin më të vogël që të ballafaqohemi me pasojat e vërshimeve dhe ti kthejmë vendbanimet e goditura në gjendjen e mëparshme.

Qytetarë të dashur,

Problemet e kësaj komune janë të grumbulluara dhe me dekada të trashëguara por kjo aspak nuk na frikëson sepse nuk ka problem që është i pazgjidhshëm dhe nuk ka nevojë që nuk plotësohet . Ne nuk kemi shkop magjik për ti zhbërë të gjitha gabimet që datojnë nga historia e largët dhe e afërt por kemi vullnet dhe obligim të punojmë për ta bërë një Tetovë ku vlen të jetohet dhe një komunë që i shërben qytetarit dhe qytetit .

Dëshiroj të falemnderoj qytetarët e Tetovës, sektorët e komunës, ndërmarrjet e komunës, njësinë territoriale kundër zjarrit, miqtë dhe dashamirët e Tetovës dhe të gjithë ata që kontribuan që në hark kohor prej tre vitesh Tetova të përjetoj ndryshime pozitive në të gjitha aspektet e qenies së saj. Ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe të suksesshëm dhe ju ftoj që edhe vitin tjetër te jemi pjesë e ekipit të përbashkët që ka për qellim përmirësim shumëdimensional të Tetovës .

Gjithashtu lexo

Kallëzim penal deri te PSP nga Mehmeti, Llatas dhe Talevska kundër biznesmenit Palevski

Ashtu siç u informua dje nga Telegrafi, biznesmeni Ljupço Palevski është marrë në pyetje informative …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *