Home / Kryesoret / Krasniqi: Sivjet në Kosovë janë hapur 2500 vende pune

Krasniqi: Sivjet në Kosovë janë hapur 2500 vende pune

Viti 2015 konsiderohet si një ndër vitet më të suksesshme të bujqësisë kosovare, në periudhën e pasluftës, pasi që buxheti që ishte dyfish më i madh se në vitin 2014 u shfrytëzua maksimalisht, për të hapur me mijëra vende të reja pune, për të arritur numrin rekord të subvencionimeve të fermerëve, si dhe për ta promovuar këtë fushë prioritare në zhvillimin ekonomik të vendit, deklaroi sot ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës (MBPZHR), Memli Krasniqi, në konferencën për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se MBPZHR gjatë vitit 2015 ka vazhduar zbatimin e politikave programore për mbështetjen e fermerëve, avancimin e sektorit të bujqësisë në përgjithësi si dhe menaxhimit e ruajtjes së pyjeve, gjitha këto në harmoni me planin e qeverisë.

“Këtë vit, buxheti për bujqësi ishte dyfish më i madh së në vitin 2014, gjë që ka mundësuar që ne të rrisim dhe zgjerojmë përkrahjen për fermerët në skemën e subvencioneve dhe granteve, përkundër obligimeve të mëdha të bartura nga viti i kaluar. Janë 43 milionë euro të cilat për vitin 2015 janë ndarë në dy skemat mbështetëse, në pagesa direkte 23 milionë dhe 20 milionë në grante investive”, tha ministri Krasniqi.

Për më tepër, ministri shpjegoi se këto grante parashohin bashkë investim me sektorin privat dhe ato ferma dhe agrobiznese që kanë përfituar nga grantet, kanë investuar rreth 12 milionë euro, duke e ngritur totalin e investimeve në projekte zhvillimore në agro-biznes në 32 milionë euro.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë kosovare ka qenë rritja e pagesave direkte apo subvencioneve që sivjet janë rritur deri në 50 përqind krahasuar me vitin 2014. Konkretisht, ministri tregoi se gjatë vitit 2015 është rritur subvencionimi për krerë të lopëve qumështore, nga 50 në 70 euro, pastaj për grurin, misrin dhe lulediellin në 150 euro për secilin, ndërsa në vitin 2014 ka qenë 125 dhe 100 euro për hektar.

Për dele dhe dhi është rritur subvencionimi për krerë nga 10 euro në 15 euro, ndërsa janë shtuar kultura të reja subvencionimi, siç është subvencionimi i pemëve me nga 400 euro për hektar, si dhe therjet e raportuara të gjedhit, nga 30 euro për krerë.

Të gjitha këto veprime, sipas ministrit Krasniqi kanë ndikuar që, gradualisht të filloj zvogëlimi i importit të shumë produkteve bujqësore dhe është arritur një eksport i kënaqshëm që, sipas tij, ende është tejet i vogël me atë se sa synohet dhe duhet të bëhet.

Faktorë që kanë ndikuar në punën e suksesshme të kësaj ministrie gjatë vitit 2015, sipas ministritë Krasniqi ka qenë rritja e transparencën në raport me publikun, sa i përket proceseve të vlerësimit të granteve, listave preliminare dhe finale me emrat dhe shumat e mbështetjes për fermat dhe agrobizneset përfituese. Gjithashtu, sivjet MBPZHR ka urdhëruar kontrolla dhe superkontrolla me qëllim të inspektimit të projekteve që janë mbështetur dhe pagesat për përfituesit e përkrahjeve sivjet janë realizuar me kohë.

Promovimi sivjet ka ndikuar jashtëzakonisht shumë për ngritjen e vetëdijes për prodhimet vendore, përmes organizimit të panaireve për prodhimet të ndryshme, si pemë, perime, bletari, blegtori, etj, dhe duke mbështetur organizimin e panaireve të mëdha ndërkombëtare në Kosovë. Gjithashtu janë organizuar edhe aktivitete të ndryshme alternative që kanë pasur për qëllim të nxisin interesimin e të rinjve tanë që të merren me bujqësi, si festival të verës dhe rrushit, gara të fotografisë për bujqësinë, etj.

Në fund, ministri Krasniqi deklaroi se plani për vitin 2016 është ambicioz dhe me shumë sfida, ndërsa MBPZHR do të ketë një program edhe më të avancuar sa i përket bujqësisë dhe zhvillimit rural, programit për aplikimin e granteve dhe subvencionime që, sipas tij,  sivjet do të bëhen shumë më herët se viteve të kaluara, qysh në janar.

Gjithashtu lexo

Maqedoni, më shumë kredi banesore dhe konsumatore, më pak për vetura

Kreditimi në korrik të këtij viti shënon rritje prej 0,3 për qind, i cili ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *