Home / Lajme / Rajon / Mulliri i UÇK-së

Mulliri i UÇK-së

Nga shumë objekte të tilla të mbetura vetëm si gërmadha muajve të fundit u rindërtua një mulli në fshatin Llanisht të komunës së Shtimes, restaurimit të të cilit iu gëzuan më së shumti pleqtë e këtij fshati.

Të mbetur nën mëshirën e askujt, këto objekte arkitektonike të kohës bartin në vete edhe histori të pashkruara, prandaj sa më gjatë të qëndrojnë në këmbë dëshmojnë edhe jetëgjatësinë e një lokaliteti. Kështu po ndodh ditët e fundit edhe me një mulli, i cili daton nga koha e Perandorisë Osmane në fshatin Llanisht të komunës së Shtimes, ndërsa viteve të fundit rrezikonte të zhdukej si pasojë e mosmirëmbajtjes.

Vendtakim i shumë fshatarëve

Mulliri i fshatit Llanisht veç misionit jetik për prodhimin e miellit për shumë gjenerata të kësaj ane, gjatë luftës shërbeu edhe si strehë e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku me 11 maj të vitit 1999 edhe u dogj nga forcat serbe, ngase kishte funksion mbrojtës për ushtarët dhe popullatën civile që endej nëpër male.

Ky mulli njihet nga banorët e kësaj ane si Mulliri i Avdyl Salihut dhe ka punuar gjithmonë me ujin përgjatë rrjedhës së Devetakut, por që nga paslufta nuk ishte në gjendje të mirë.

Nga meraku për ta kultivuar zejen e gjyshit dhe babait, Veselit, Sajni Salihi kishte aplikuar në pranverë të këtij viti pranë Ministrisë së Bujqësisë për të renovuar mullirin që bluan grurin dhe misrin me gurë.

Me këtë rast, ai përfiton grantin prej 10 mijë euro, me të cilat ka arritur ta rindërtojë nga themeli deri në kulm dhe brenda pak kohësh do të bëhet i gatshëm sërish për bluarje.

Plaku 83-vjeçar, Vesel Salihi, që ka trashëguar mullirin nga babai i tij, Avdyli, tregon se gëzim të madh ka pasur në jetë kur ka përfunduar shërbimin ushtarak në ish-Jugosllavi dhe tashti që po e funksionalizon mullirin.

Ai shpjegon me ëndje historinë e këtij mulliri, sidomos veprimtarinë e tij gjatë luftës së fundit. Ky merakli i bluarjes kujton me entuziazëm se si në luftë për gjashtë javë rresht, kishte bluar grurë për ushtarët e UÇK-së të Zonës Operative të Nerodimes. Plaku kujton se njerëzit asokohe kanë pritur në radhë për të bluar misrin në këtë mulli, të cilët kanë ardhur nga Krushica, Muhlani, një pjesë e Budakovës, Greiçevci, Topilla, Papazi, Devetaku, Çadraku, Vërsheci, Papazi e të tjera fshatra që lidhin Shtimen Suharekën dhe Ferizajn, një rajon mjaft vështirë i qarkullueshëm. Se ku ka mullinj ka edhe bereqet dëshmon edhe toponimi i veçantë i kësaj pjese.

“Këtu ka qenë si një lloj udhëkryqi i banorëve të kësaj zone dhe vendtakim i shumë fshatarëve që përndryshe njihet edhe si vend i bereqetit”, thotë Vesel Salihi. /Kosova sot/

Gjithashtu lexo

“Balena Blu” shënon një tjetër viktimë, adoleshenti vret veten me qese plastike

Loja “Balena Blu” vazhdon që t’i marrë jetën adoleshentëve. Një 14 vjeçar indian dyshohet se …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *