Home / Lajme / Maqedoni / Në USHT i filloi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë ,,Faktorët e mjedisit, sfidat e zhvillimit ekonomik”

Në USHT i filloi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare me temë ,,Faktorët e mjedisit, sfidat e zhvillimit ekonomik”

“Faktorët e mjedisit, sfidat e zhvillimit ekonomik” është tema e Konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare që sot i filloi punimet në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Kjo konferencë këtë vit organizohet nga dy fakultetet e USHT-së, respektivisht Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Administrimit të Biznesit.

Konferencën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti. Ai në fjalën e tij theksoi se pjesëmarrja e një numri të madh të studiuesve shkencorë të fushave ekonomike në këtë konferencë, dëshmon seriozitetin dhe nevojën për të organizuar takime të këtij niveli. ,,Fillimisht, më lejoni që në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës, si dhe në emrin tim personal të shpreh kënaqësinë time për organizimin e kësaj konference të rëndësishme shkencore me karakter ndërkombëtar, e cila në programin e saj të punës, do të trajtojë çështjet ekonomike. Vetë pjesëmarrja e ekonomistëve të njohur, të shkencëtarëve të kësaj fushe, e dëshmon seriozitetin dhe nevojën për të organizuar takime të këtij niveli shkencor. Me këtë rast, do të doja t’u drejtoj një falënderim të veçantë organizatorëve të këtij tubimi shkencor, Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Administrimit të Biznesit të Universitetit tonë, për organizimin e shkëlqyer të Konferencës së tretë shkencore ndërkombëtare, me temë ,,Faktorët e mjedisit, sfidat e zhvillimit ekonomik”. Po ashtu, u shprehim mirënjohjen tonë, referuesve dhe diskutuesve në këtë konferencë, të cilët jam i bindur se do të japin pasqyrë më të qartë në lidhje me temën e sotme, për zhvillimet ekonomike në përgjithësi”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Po ashtu, ai më tej tha se në rajonin tonë, por edhe më gjerë, dekada e fundit ka vënë në dukje shumë sfida, probleme dhe çështje ekonomike, ndikimi i të cilave për nga ndjeshmëria dhe efektet, kalon përtej mjedisit që ne jetojmë dhe në këtë mënyrë merr përmasa globale. “Në mesin e këtyre sfidave mund të përmendim globalizimin në shumë fusha, si në ekonomi, arsim, kulturë, etj.

Sot, pjesa dërmuese e shteteve ballafaqohen me rënie ekonomike dhe realizimin e projeksioneve të tyre, prandaj ekspertiza ekonomike dhe njohësit e mirë të saj duhet të marrin rolin që u takon në evitimin krizave në vend dhe rajon, për të parandaluar problemet dhe përplasjet sociale. Analiza ekonomike, sot është çështje aktuale për rajonin tonë dhe më gjerë, por kjo tematikë bëhet edhe më e veçantë për shoqëritë në tranzicion, të cilat synojnë integrimin Euroatlantik dhe zhvillimet e trendeve bashkëkohore globale. Ne besojmë se kjo konferencë, që ka tubuar rreth 100 pjesëmarrës, akademikë, mësimdhënës, punonjës shkencorë dhe profesionistë të fushës ekonomike, përmes ideve dhe mendimeve shkencore, do të jep kontributin e saj në orientimin e politikave më të favorshme ekonomike”, shtoi mes tjerash Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Në hapjen solemne të konferencës mori pjesë edhe Ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, Bekim Neziri, i cili në emër të tij personal dhe të Ministrisë së Ekonomisë shprehu kënaqësinë për mundësinë që i është dhënë për të shkëmbyer pikëpamjet dhe opinionet rreth sigurimit të rritjes ekonomike duke theksuar se viteve të fundit falë punës së Rektorit të USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, në këtë institucion janë bërë ndryshime aq të mëdha sa që ky institucion shumë shpejtë do të jetë i ranguar në listat botërore me universitetet më me renome. ,,Në vitin ’98 kisha rastin që të bëj vizitën në Columbia University në Nju Jork. Ajo që pashë atje më fascinoi dhe mendova se a thua vallë ne shqiptarët do arrijmë që ndonjëherë të kemi një universitet të tillë. Pothuajse nga ai këndvështrim ishte e pamundur, mirëpo duke shikuar ndryshimet të cilët ndodhën sidomos gjatë viteve të fundit, ne kemi sinjale pozitive si shqiptar se edhe ne mund të kemi një universitet të tillë. Andaj, si prind dhe si shqiptar, duke pas parasysh se unë si prind kam sfidë që të shkolloj fëmijët e mi, dua të falënderoj Rektorin e USHT-së për ndryshimet pozitive që ka bërë vitet e fundit, për sinjalet pozitive të cilat na jep që edhe ne shqiptarët të kemi një universitet që të jetë i ranguar në listat botërore”, theksoi Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.

Rektori i Universitetit ,,Ismail Qemali” të Vlorës, Prof. dr. Albert Qari tha se viteve të fundit USHT ka shënuar rritje për nga kualifikimi dhe standardet e reja në kërkimin shkencor. “Ju uroj dhe ju përgëzoj për këtë konferencë sot. Është domethënëse ku pas kaq vitesh Universiteti Shtetëror i Tetovës është rritur, jo vetëm se është bërë kjo godinë kaq e bukur, por rritja më e madhe është kualifikimi dhe standardet e reja në kërkimin shkencor, të stafit akademik të këtij universiteti. Duhet të përgëzoj faktin dhe të nxjerr në evidencë që shumë të rinj, pedagogë të këtij universiteti, të shkolluar në perëndim, si dhe të edukuar më së miri për t’i përballuar sfidat që kërkon arsimi i lartë në Maqedoni dhe në rajon. Bota është globale dhe sfidat kërkojnë që ju të përballeni me realitete të cilat nuk i keni ndeshur më parë. Po të shikosh me vëmendje temat e kësaj konference, ato të japin një informacion shumë të qartë për gjithë problematikën që ka sot në Maqedoni dhe në rajon, të cilat duhet të përdoren nga vendimmarrësit lokal për vendimmarrjet e tyre në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë e më tej”, deklaroi Prof. dr. Albert Qari, Rektor i Universitetit ,,Ismali Qemali” të Vlorës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha vuri në dukje se kjo konferencë trajton një temë shumë të gjetur për rrethanat në të cilat gjendet biznesi në Maqedoni. ,,Si përkrahës dhe promotor i vlerave të biznesit, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, në bashkëpunim me faktorët relevantë dhe sigurisht në konsultim të vazhdueshëm me biznesin, propozon masa dhe ide që t’i ndihmojnë biznesit të frymojë më lirshëm dhe të avancohet. Në këtë frymë, Universiteti Shtetëror i Tetovës, por jo vetëm, po ashtu edhe institucionet tjera janë thirrur dhe të hapur për bashkëpunim në krijimin e politikave të mirëfillta të zhvillimit ekonomik”, nënvizoi Nebi Hoxha.

Dekani i Fakultetit Ekonomik të USHT-së, Doc. dr. Raman Ismaili potencoi se kundërthëniet, debatet dhe polemikat e pjesëmarrësve të kësaj konference, në specializime të ngushta shkencore, do të jenë arsyet e sjelljes së konkluzioneve dhe rekomandimeve me të cilat do të pasurohen teoritë ekonomike e organizative dhe të njëjtat do të gjejnë zbatim edhe në praktikat e veprimtarive ekonomike përkatëse.

,,Kontributi i stafit të Fakultetit Ekonomik sot kurorëzohet edhe me botimin e radhës të revistës shkencore ,,VIZIONI EKONOMIK”. Kjo revistë ndërkombëtare, në përmbajtje paraqet përmbledhje publikimesh shkencore me cilësi të lartë, andaj stafi drejtues është mase i përkushtuar që në kohë sa ma të shkurtë revistën ta bëjë anëtare të familjes së revistave bashkëkohore ndërkombëtare me faktor impakti”, u shpreh Doc. dr. Raman Ismaili.

Ndërsa, Dekani i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Prof. dr. Naser Raimi tha se organizimi i përbashkët i kësaj konference nga dy fakultetet tona tregon seriozitetin dhe përkushtimin e universitetit tonë ndaj shkencës. ,,Kjo konferencë e përbashkët që organizohet nga Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Administrimit të Biznesit dëshmon edhe njëherë përkushtimin e udhëhqësisë aktuale të universitetit për ngritjen e cilësisë dhe angazhimin maksimal në punën kërkimore shkencore. Në këtë konferencë do të trajtohen tema të ndryshme dhe do të jepen konkluza mbi gjendjen ekonomike, jo vetëm në vend por edhe në rajon dhe më gjerë”, vlerësoi Prof. dr. Naser Raimi.

Në hapjen e kësaj konference, përpos stafit akademik të USHT-së, morën pjesë, rektorë universitetesh, studiues shkencorë nga vendi dhe rajoni, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, përfaqësues të komunitetit të biznesit, afaristë, njohës të çështjeve ekonomike, si dhe profesorë dhe studentë të Fakultetit Ekonomik.

Gjithashtu lexo

Kallëzim penal deri te PSP nga Mehmeti, Llatas dhe Talevska kundër biznesmenit Palevski

Ashtu siç u informua dje nga Telegrafi, biznesmeni Ljupço Palevski është marrë në pyetje informative …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *