Home / Kryesoret / Në USHT u përuruan një sërë botimesh universitare

Në USHT u përuruan një sërë botimesh universitare

Tekste universitare, përkthime veprash të autorëve të huaj eminentë, revistat e fakulteteve, si dhe gazeta universitare ishin botimet që u përuruan sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës, në kuadër të agjendës së aktiviteteve për shënimin e 21 vjetorit të themelimit të Universitetit tonë.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i USHT-së, njëherit edhe Kryetar i Komisionit për botime i Universitetit tonë, Prof. dr. Arbër Çeliku, në fjalën e tij tha se, Universiteti ynë tani më dita ditës po shënon suksese dhe arritje të reja në sfera të ndryshme. ,,Universiteti Shtetëror i Tetovës, në saje të punës së palodhur të udhëheqësisë së vet, në krye me Rektorin, Prof. dr. Vullnet Ametin, drejtuesve të njësive akademike, profesoratit dhe angazhimit permanent të studentëve, të shprehur përmes Parlamentit Studentor, përditë e më shumë shënon të arritura dhe rezultate të shkëlqyera në të gjitha sferat: në procesin mësimor-shkencor, në përmirësimin e infrastrukturës universitare, në ngritjen e laboratorëve studentorë dhe profesionalë, në aktivitetet dhe ngjarjet publike kulturore, të cilat padyshim se ushqehen nga burimi i energjisë së një vullneti të palodhshëm dhe aftësisë dhe dëshirës për t’u angazhuar për të mirën e përgjithshme të komunitetit”, tha Prof. dr. Arbër Çeliku.

Ai, mes tjerash theksoi se sot në USHT përurojmë të arriturat në sferën e botimeve universitare, që janë shumë të rëndësishme për promovimin e vlerave akademike dhe avancimin e dijes, gjuhës dhe kulturës shqiptare, por edhe për prurjen e risive shkencore globale. ,,Qysh nga themelimi i Universitetit të Tetovës janë botuar libra dhe tekste universitare, por jo me intensitetin, angazhimin dhe transparencën e udhëheqësisë së tanishme, e cila deri në vetëmohim e ka vënë veten në shërbim të së mirës së përgjithshme. Në vitin 2012, me ardhjen në krye të USHT-së të udhëheqësisë së tanishme, u përvijuan hapat për një universitet të suksesshëm, që sot i shohim të materializuar në praktikë dhe madje edhe në volum më të madh, se sa të shprehura në platformën programore, dhe botimet universitare dhe ngritja e një University press ishte ndër pikat kryesore të kësaj agjende vizionare. Në krye të Komisionit u emërua, Prof. dr. Arbër Çeliku dhe anëtarë Doc. dr. Fatmir Sulejmani, Mr.sc. Faton Shabani dhe Mr.sc. Kushtrim Ahmeti”, shtoi mes tjerash Prof. dr. Arbër Çeliku, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i USHT-së.

Përndryshe, që nga viti 2012 e deri më sot në Universitetin Shtetëror të Tetovës janë botuar këto tekste universitare, si: ,,Lëvizja kombëtare çlirimtare shqiptare (1830-1912)” nga Vlado Popovski (2012); ,,Marrëdhëniet sovjetike-shqiptare”, nga Vlado Popovski dhe Lenina Zhila (2012); ,,Bazat dhe parimet e kontabilitetit” (tekst dhe praktikum) nga Serafim Tomoski, Alifeta Selimi dhe Afrim Alili (2012); ,,Edukimi socio-ekologjik” nga autori Doc. dr. Ibish Kadriu (2013); ,,Parlamentarizmi në Republikën e Maqedonisë”, nga autori Doc. dr. Jusuf Zejneli (2013); ,,Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, nga autori Prof. dr. Nusret Pllana (2013); ,,E drejta romake”, nga autori Prof. dr. Bashkim Selmani (2014); ,,Anatomia e njeriut”, nga Doc. dr. Nasir Bexheti me bashkautorë (2014); ,,Vështirësitë në të mësuar të nxënësve të përfshirë në sistemin e rregullt arsimor”, nga autori Doc. dr. Buniamin Memedi (2014); ,,Gjeopolitika dhe komunikimi mediatik i një konflikti etnik”, nga autorja Aurora Karameti (2014); ,,Fjalë pa këngë”, nga autori Bekim Ramadani (2015); ,,Sëmundjet e veshkave”, nga Prof. dr. Lutfi Zilbehari (2015); ,,Mjekësia ligjore”, nga Doc. dr. Agim Ramadani dhe Sabri Hoxha (2015) dhe ,,E drejta ndërkombëtare private” nga Doc. dr. Bekim Kadriu (2015).

Ndërsa nga veprat e përkthyera janë botuar: ,,Dreri shpëtimtar”, nga autori Akademik Uli Rothfuss (2013) (vepër e përkthyer nga Arbër Çeliku); ,,Metodika e mësimit të muzikës”, e autorit Pavel Rojko (2015) (vepër e përkthyer nga kroatishtja nga Bekim Ramadani); ,,Për të bukurën muzikore”, të autorit Eduard Haslik (2015) (vepër e përkthyer nga kroatishtja nga Bekim Ramadani) dhe ,,Çlirimi i Kosovës”, nga David Phillips (2015) (vepër e përkthyer nga Gjyla Çeliku).

Revistat shkencore që janë botuar si organe të fakulteteve janë: ,,Albanologjia”, organ i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë; ,,Filologjia”, organ i Fakultetit Filologjik; ,,Justicia”, organ i Fakultetit Juridik; ,,Philosophica”, organ i Fakultetit Filozofik; ,,Sporti dhe shëndeti”, organ i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe ,,Vizioni ekonomik”, organ i Fakultetit Ekonomik.

Në kuadër të këtyre botimeve janë botuar edhe dy numra nga ,,Gazeta Universitare”. Vlen të theksohet se numri i dytë i publikimit ,,Gazeta Universitare”, për semestrin veror u botua më 14 dhjetor 2015. Universiteti Shtetëror i Tetovës edhe në të ardhmen do të përkushtohet edhe më intensivisht për botimin e librave, teksteve, revistave dhe publikimeve të ndryshme me karakter shoqëror e kulturor, me qëllim të avancimit të vlerave të mirëfillta akademike dhe kombëtare

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *