Home / Kryesoret / Në USHT u publikua Hulumtimi shkencor për realitetin jetësor të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë në periudhën 2010-2014

Në USHT u publikua Hulumtimi shkencor për realitetin jetësor të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë në periudhën 2010-2014

Në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, u bë publikimi i rezultateve të studimit: ,,Hulumtimi shkencor për realitetin jetësor të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë në periudhën 2010-2014”.

Dekani i Fakultetit Juridik të USHT-së, Prof. dr. Ferat Polisi theksoi se ky hulumtim që është bërë nga studentët e Fakultetit Juridik, nën udhëheqjen e profesorit Bashkim Selmani, është për t’u vlerësuar ngase aktivitete të kësaj natyre në Fakultetin Juridik nuk kanë munguar dhe do të vazhdojnë të realizohen edhe në të ardhmen. “Në emrin tim dhe të Fakultetit dua që t’i përgëzoj studentët dhe profesorin për punën që kanë bërë. Ne si fakultet i vlerësojmë lartë këto aktivitete të studentëve. Gjithmonë i kemi përkrahur studentët dhe profesorët për çdo ide apo projekt të tyre, dhe për këtë, gjithashtu dua ta falënderoj edhe Rektorin tonë, Prof. dr. Vullnet Ameti, i cili gjithmonë na ka mbështetur”, tha Prof. dr. Ferat Polisi.

Realizuesi i këtij projekti, Prof. dr. Bashkim Selmani tha se nëpërmjet këtij pyetësori, qëndrimet dhe mendimet e tyre i kanë shprehur rreth 300 persona, që në fakt mund të merret si numër i mirëfilltë, nëpërmjet të të cilit pasqyrohet gjendja në terren, e rolit dhe pozitës reale të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Sipas tij, anketa është realizuar me qëllim për të parë se sa qytetarët i ndjejnë dhe i gëzojnë këto të drejta, në pesë vitet e fundit në Maqedoni.

Anketën para të pranishmëve e prezantuan studentët e Fakultetit Juridik. Sipas tyre, në pyetjen e parashtruar të anketuarve se ,,Si ndjeheni këto katër vitet e fundit në Republikën e Maqedonisë në aspektin ekonomik, politik, social, kulturor dhe në sferat e tjera të jetës?” Të anketuarit kanë dhënë mendime të ndryshme për sa i përket qëndrueshmërisë ose stabilitetit të tyre buxhetor ekonomik dhe janë të ndarë në mendime, por kur bëhet fjalë për mbijetesën, ata shprehen me mendime të njëjta dhe të revoltuar se dita-ditës po varfërohen, këtu kanë të njëjtin mendim, pasi e kanë të pamundshme për t’i realizuar detyrimet financiare ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore apo private.

Studentët e USHT-së, në hulumtimin e tyre kanë trajtuar edhe problematika të tjera që lidhen me shërbimet administrative të organeve shtetërore dhe kompanive private; Shërbimet që ofrojnë noterët (certifikuesit e kontratave); Problemet me përmbaruesit dhe komunikimin e tyre ndërinstitucional; Vlerësimin e punës së administratorëve shqiptarë, si dhe rolin e partive politike shqiptare në vendin tonë. Të anketuarit, për çështjet e lartpërmendura shprehen të pakënaqur me shërbimet që u ofrohen, por vlerësojnë se me një angazhim më të gjerë, me detektimin e problemeve dhe denoncimin e tyre, ky realitet mund të ndryshohet.

Ky pyetësor është realizuar nga studentet e vitit të dytë të Fakultetit Juridik të Universitetit tonë dhe të anketuarit janë nga qytete dhe vendbanime të ndryshme shqiptare të Maqedonisë.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *