Home / Kryesoret / Në USHT u themelua Klubi i Sociologëve ,,Fehmi Agani”

Në USHT u themelua Klubi i Sociologëve ,,Fehmi Agani”

Studentët dhe profesorët e Programit studimor të Sociologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit Shtetëror të Tetovës e themeluan Klubin e Sociologëve ,,Fehmi Agani”. Prodekani i Fakultetit Filozofik të USHT-së, Doc. dr. Ibish Kadriu tha se duke u nisur nga interesi që është në rritje për çështjet e përditshme sociale, të cilat janë probleme dhe preokupime sociologjike, u vendos që të themelohet ky Klub. Sipas tij, qëllimi i themelimit të Klubit të Sociologëve është afirmimi profesionit sociolog, në kontekst të jetës së njeriut modern dhe postmodern. ,,Me qëllim të zhvillimit të aftësive dhe kompetencave të nevojshme që i nevojiten një sociologu, për t’u përfshirë në diskutime me fenomenet sociologjike, ky Klub, nëpërmjet shumë aktiviteteve konkrete do të trajtojë tema nga sociologjia dhe do të realizojë organizimin e konferencave, seminareve, diskutimeve, debateve dhe punëtorive arsimore. Anëtarë të Klubit janë studentët dhe profesorët e Programit studimor të Sociologjisë nga të gjitha vitet e studimit, profesorë dhe nxënës të shkollave të mesme, të cilët kanë prirje për sociologji”, tha prodekani Doc. dr. Ibish Kadriu.

Klubi i Sociologëve do të zhvillojë aktivitete të ndryshme nga sfera e interesave të njeriut, përfshirë rolin e shoqërisë në raport me fenomenet apo dukuritë të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve. Sipas Doc. dr. Abdylnaser Sinanit, Klubi i Sociologëve do të zhvillojë diskutime dhe trajtime të problemeve sociale me tema nga më të ndryshmet. ,,Për realizimin me sukses të detyrave dhe misionit të Klubit, do të ftohen për të trajtuar dhe diskutuar fenomene dhe proceset e ndryshme shoqërore, emra të njohur nga fusha e barazisë, burokracisë, kulturës, politikës, religjionit, varfërisë, migracionit, ekologjisë, globalizimit etj.”, u shpreh Doc. dr. Abdylnaser Sinani, anëtar i Klubit të Sociologëve ,,Fehmi Agani”.

Për anëtarë të Kryesisë së Klubit të Sociologëve ,,Fehmi Agani”, kuvendi themelues i zgjodhi 11 anëtarë, prej të cilëve tetë janë studentë dhe tre profesorë të Programit studimor të Sociologjisë. Anëtarë të kryesisë së Klubit u zgjodhën studentët: Gresa Aliti, Jeton Fazlija, Afrona Mashkulli, Atdhe Pollozhani, Rejhana Luma, Jusuf Ajredini, Edita Dauti, Yllza Musai, Doc. dr. Abdylnaser Sinani, Mr. sc. Ardita Abduli dhe Mr. sc. Drita Memeti. Ndërsa Kuvendi themelues bashkë me kryesinë e Klubit propozuan studentët Jeton Fazlija dhe Gresa Aliti për Kryetar Klubi, ndërsa me shumicë votash për Kryetar të Klubit të Sociologëve ,,Fehmi Agani” u zgjodh studentja Gresa Aliti.

Kryetarja e Klubit të Sociologëve ,,Fehmi Agani”, studentja Gresa Aliti i falënderoi të gjithë për mbështetjen, duke theksuar se bashkërisht do t’ia dalim t’i përmbushim të gjitha objektivat e Klubit.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *