Home / Kryesoret / Ostreni:Qeveria BDI-VMRO e solli Maqedoninë në këtë kaos politik dhe social

Ostreni:Qeveria BDI-VMRO e solli Maqedoninë në këtë kaos politik dhe social

“Sot, një ditë para përfundimit të këtij viti, aq të vështirë për qytetarët e Maqedonisë, e sidomos për shqiptarët, duke ua uruar festat e Vitit të Ri, dëshirojmë të shprehim qëllimin, për të cilin UNITETI do të angazhohet për evitimin e problemeve të akumuluara gjatë qeverisjes së koalicionit qeveritar VMRO DPMNE – BDI, i cili e solli Maqedoninë në këtë kaos politik dhe social – ekonomik në të cilin jetojnë qytetarët. Qytetarët, fatkeqësisht i janë drejtuar largimit nga vendi për t’i shpëtuar varfërisë të krijuar nga qeverisja e keqe, që në vend të kujdesjes për ta u kujdes për ndërtimin e skulpturave të ndryshme të Shkupit 2014, që historikisht nuk i takojnë këtij sheshi.

Qeveria e gaboi drejtimin. Ajo investoi për të ndërtuar të kaluarën e sajuar në ëndrrën e saj për prejardhjen antike e jo për të ardhmen. Në këtë ëndërr e përfshiu edhe një pjesë të qytetarëve maqedonas, të cilët sikur nën hipnozë i besonin pushtetit, që në mënyrë të pa skrupull i mbushnin llogaritë bankare nga mita dhe korrupcioni, duke kontribuar për varfërimin e pjesës më të madhe të qytetarëve, njerëzve të papunë, që kanë nevojë për ndihmë sociale për të siguruar bukën e gojës.

Gjendja në të cilën gjendet Republika e Maqedonisë është kaotike. Shteti funksionon sipas porosive të partive politike.

Në Maqedoni sot punojnë përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-ve për të dhënë ndihmën e tyre për ta kthyer sistemin politik të devijuar, në binarët e duhur, për përmirësimin e demokracisë në vend, duke u përpjekur ta shkëpusin pushtetin nga kthetrat e partive politike të udhëhequra nga politikanë mitëmarrës dhe të koruptuar dhe ta kthejnë në institucionet dhe organet kompetente. Të sigurojnë funksionimin e shtetit ligjor, dialogun politik të mirëfilltë, lirinë e fjalës dhe të mediumeve dhe realizimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, e cila duhet të çlirohet nga prangat e Sekretariatit për implementimin e saj, ngase paraqet kurthë për pengimin e saj dhe përgjegjësia të kalojë tek bartësit që kanë përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore.

UNITETI gjatë vitit të ardhshëm, gjithashtu, do të angazhohet për përmirësimin e gjendjes së mjerueshme të qytetarëve, duke zhvilluar luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe mitës. Do të angazhohet për realizimin e plotë të barazisë të qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve në nivel shteti; për përmirësimin e gjendjes ekonomike, shfrytëzimin e drejtë të buxhetit; do të angazhohet për zbatimin e Kartës evropiane për vetëqeverisjen lokale ashtu që qeverisja në komunë dhe qark t’u takojë qytetarëve. UNITETI do të angazhohet që për të gjitha rastet ku qytetarët shqiptarë dëmtohen nga përdorimi i dhunës në rrugë e gjetiu si dhe atëherë kur cënohet dinjiteti i tyre nga sjelljet naciste të individëve ose grupeve, bartësit e funksioneve të mbajnë përgjegjësi.

Për zgjedhjet e 24 prillit 2016, duhet të sigurohen të gjitha kushtet e parapara nga Marrëveshja e Përzhinos dhe së bashku me ndërkombëtarët të vlerësohet nëse janë krijuar kushte për zgjedhje të lira dhe demokratike, për pjesëmarrje të UNITETIT në to.

UNITETI do të angazhohet për zgjidhjen e nyjes së Gordit të krijuar nga qeveria e koalicionit BDI – VMRO DPMNE, e cila pushtetin e trajton si biznes për t’u pasuruar. UNITETI do të punojë për largimin e kësaj qeverie nga pushteti duke mbajtur përgjegjësi për bëmat dhe svidimin e problemeve të akumuluara, me qëllim të vënies në funksion të sistemit politik të dëmtuar deri në palcë dhe kthimin dhe përparimin e demokracisë në vend.

Me këto dhe angazhimet tjera, përfshirë edhe zgjidhjen e çështjes së emrit, UNITETI do të kontribuojë për krijimin e standardeve për jetë më të mire të qytetarëve dhe krijimin e kushteve për anëtarësim në BE dhe NATO”, tha Gzim Ostreni, kryetar i Unitetit.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *