Home / Lajme / Maqedoni / Policia i ka rrahur pjesëtarët e Grupit të Kumanovës duke i sjellë në gjykatë

Policia i ka rrahur pjesëtarët e Grupit të Kumanovës duke i sjellë në gjykatë

Hallet e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës nuk po marrin fund. Dhuna policore ndaj tyre nuk ka përfunduar me procesin hetimor. Burime të gazetës “Lajm” thonë se kjo dhunë është përsëritur edhe ditën e hënë (pardje) , gjatë sjelljes së të arrestuarve në gjykatë, si dhe gjatë kthimit të tyre në burg.

Këto informacione i konfirmon edhe avokati mbrojtës i disa prej atë arrestuarve, Naser Raufi.

“Është e vërtetë se policia ka përdorë dhunë. Këtë deri tani ma ka konfirmuar njëri prej të arrestuarve, Shefqet Hallaçi, i cili gjendet në burgun e Manastirit. Ai e njoftoi edhe gjykatën për këtë maltretim që i është bërë nga ana e policisë. Nesër do t’i vizitoj edhe të burgosurit që gjenden në burgun e Prilepit për të mësuar nëse edhe ndaj tyre është përdorë dhunë, si në rastin e Allaçit. Për këtë skandal do t’i informoj Avokatin e Popullit, OBE-në dhe institucionet tjera”, deklaroi për “Lajm”, avokati Raufi.

“Po përsëritet e njëjta gjë si me të arrestuarit e rastit Monstra”, thekson Raufi.

Të njëjtën gjë për “Lajm e konfirmoi edhe vajza e Valdet Zekajt, njërit prej të arrestuarve të grupit.

“Është e saktë që e kanë maltretuar edhe babin. Për këtë na njoftoi edhe avokati. E kanë maltretuar duke e nxjerrë nga burgu, por edhe duke e sjellë rrugës”, deklaroi ajo për “Lajm”, përmes telefonit.

“Lajm” të martën tentoi të kontaktojë zëvendësministrin e punëve të brendshme, Zemri Qamili, për të marrë prononcimin e tij lidhur me këtë skandal. Mirëpo tentimet ishin të kota, ndoshta për shkak se ishte festa e “Sveti Kliment Ohridskit”. I pakapshëm ishte edhe ministri i djetësisë, Adnan Jashari, edhe pse nën ingerenca të sektorit të tij janë burgjet.

Ndryshe 29 të akuzuarit për ngjarjet në Lagjen e trimave të Kumanovës të hënën u deklaruan të pafajshëm. Në seancën për vlerësimin e aktakuzës ata u shprehën se nuk e pranojnë akuzën për të cilën ngarkohen- terrorizëm dhe organizim terrorist.
Avokatët e të akuzuarve kërkuan që rastin ta merr përsipër prokuroria speciale, por Këshilli Gjyqësor nuk e pranoi kërkesën. Mbrojtja kundërshtoi pasi hetimi për rastin nuk ka përfunduar, ndërsa deri tani të akuzuarit nuk kanë pasur asnjë qasje tek dëshmitë.

Nga ana tjetër, Prokurori pohon se për këtë rast ka prova të mjaftueshme që aktakuza të pranohet dhe të 29 të akuzuarit të gjykohen. Derisa Këshilli gjyqësor i dëgjonte të dyja palët, familjarët e të akuzuarve prisnin para gjykatës. Ata thonë se rasti është i montuar politikisht. Familjarët ankohen edhe për trajtimin jo të mirë të akuzuarve në paraburgim.

Sipas aktakuzës, një pjesë e të akuzuarve kanë marrë pjesë në sulmin ndaj stacionit policor në Gushincë më 21 prill, ku kanë vjedhur një sasi të madhe armësh. Pas këtij incidenti, gjykatësi në një procedurë paraprake më 27 prill ka lëshuar urdhër për masa të posaçme hetuese, që kanë zgjatur deri më 8 maj. Në bazë të masave të të posaçme hetuese dhe provave materiale, të akuzuarit kanë qenë nën ndjekje të policisë, dhe kanë qenë lokalizuar në një objekt në Lagjen e Trimave, ku më vonë është kërkuar ndërhyrja dhe arrestimi i tyre nga ana e policisë. Më 9 maj, sipas aktakuzës, kur policët i janë afruar shtëpisë në të cilën gjendeshin të akuzuarit, grupi i armatosur ka hedhur një granatë dore, ku janë lënduar disa pjesëtarë të forcave policore. Shkëmbimi i zjarrit ndërmjet policisë dhe grupit të armatosur zgjati deri të nesërmen, më 10 maj. 8 policë u vranë ndërsa 40 të tjerë u plagosën. 10 pjesëtarë të grupit u vranë. Pjesa e mbetur, 29 pjesëtarët e grupit që u arrestuan, sot ishin në gjykatë. Këshilli gjyqësor duhet të vlerësojë nëse do ta pranojë aktakuzën dhe nëse do t’i gjykojë 29 personat. Të akuzuarit janë në paraburgim në burgjet në Shkup, Manastir dhe Prilep. Ata u sollën në gjykatë me sigurimin më të lartë policor. I tërë kompleksi gjyqësor ishte i bllokuar dhe i siguruar prej qindra policësh të armatosur. Fillimin e seancës gjyqësore e kanë ndjekur përfaqësues të OSBE-së, Komitetit të Helsinkit, ndërsa është penguar të hyjë në seancë, ambasadori i Kosovës Ylber Hysa, i cili bashkë me familjarët e të ndaluarve ka qëndruar jashtë gjykatës

Gjithashtu lexo

Sali Berisha: “Shkëndija” e Tetovës bën sot historinë!

Ish- kryeministri Sali Berisha i kushton një status ndeshjes mes Milanit dhe Shkëndijës së Tetovës, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *