Home / Lajme / Maqedoni / Qendër e re për ruajtjen e drejtshkrimit të gjuhës zyrtare shqipe në Maqedoni

Qendër e re për ruajtjen e drejtshkrimit të gjuhës zyrtare shqipe në Maqedoni

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, sot ka vizituar Institutin për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni ku u takua me drejtorin Skender Asani.

Në këtë takim, ministri Ademi dhe drejtori Asani biseduan për kërkesën

e Institutit për licencimin e lektorëve të gjuhës shqipe. “Sot kisha kënaqësinë të vizitoj Institutin, ku bashkë me drejtorin, diskutuam për iniciativën për hartimin e një plani konkret për përdorimin e gjuhës standarde shqipe dhe mbrojtjen e saj. Ky plan përfshin disa faza, prej themelimit të një sektori të veçantë në Institut e deri te licencimi i lektorëve. Është obligim i yni që të kujdesemi për përdorimin e gjuhës standarde shqipe dhe drejtshkrimin e saj. Në Kongresin e drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë në vitin 1972 është vendosur për drejtshkrimin e gjuhës dhe secili ka për obligim respektimin e rezolutës së miratuar në atë Kongres. U dakorduam që të formojmë një grup punues me përfaqësues të Institutit, MASH-it, Ministrisë së Kulturës dhe Sekretariatit për Implementimin e MO-së të cilët do të hartojnë një plan për implementimin e kësaj ideje. Në të ardhmen do të jetë obligim i çdo institucioni që e përdor gjuhën shqipe në punën e saj, që të konsultojë ose punësojë lektorë të gjuhës shqipe, ose të merr pëlqim për tekstet që ata i publikojnë nga Instituti”, tha ministri Ademi. Ai shtoi se MASH-i do të përkrah realizimin e këtij projekti.

“Instituti është institucion kompetent për mbrojtjen e trashëgimisë së shqiptarëve, kurse gjuha shqipe është shtylla e identitetit kombëtar, prandaj ky institucion duhet deri në fund të angazhohet në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe si komponent e rëndësishme në identitetin tonë kombëtar”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.

Në fund, ministri Ademi, drejtorit të Institutit Asani i dhuroi kopje të Rezolutës së miratuar në Kongresin e drejtshkrimit të mbajtur në Tiranë në vitin 1972, si hap i parë rreth realizimit të këtij projekti dhe obligim që të respektohet dhe përdoret drejtshkrimi i gjuhës shqipe.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *