Home / Kryesoret / Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti e përgëzon themelimin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup

Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti e përgëzon themelimin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup

Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti e përgëzon themelimin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup dhe hapjen e dy fakulteteve të reja në kuadër të USHT-së

Hapja e universitetit në gjuhën shqipe në qytetin e Shkupit, është një ngjarje e madhe historike për të gjithë ne dhe dëshmi e një angazhimi permanent intelektual dhe qytetar në shërbim të së mirës tonë të përgjithshme dhe paraqet një vizion politik largpamës në tablonë tonë mbarëkombëtare.

Profilizimi i këtij universiteti me karakter kryesisht shkencor teknik përkon me kërkesat e shoqërisë dhe ekonomisë së tregut, por njëherit ngritja dhe konsolidimi i tij, kërkon edhe një përpjekje të madhe bashkëpunuese të të gjithë aktorëve institucionalë dhe shoqërorë. Universiteti Shtetëror i Tetovës, me gjithë përvojën dhe kapacitetet e deritanishme, do t’i vejë në shërbim të universitetit shqip në qytetin e Shkupit të gjitha mekanizmat e veta, me qëllim që ky universitet të ngritet në një vatër të dijes, ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë.

Ky projekt është përmbi çdo interes, qoftë politik, etnik, fetar a krahinor dhe si i tillë duhet të mbështetet fuqishëm deri në realizimin e tij përfundimtar. Shqiptarët e Maqedonisë, duke pasur parasysh rrethanat politike-shoqërore të së kaluarës, si asnjë komunitet tjetër në rajonin e Ballkanit, e meritojnë të drejtën e shkollimit sipëror në gjuhën amtare dhe nevojën për universitete dhe programe studimore të të gjitha profileve.

Miratimi i Ligjit për themelimin e Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, shoqërohet edhe me një ngjarje tjetër të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë dhe për Universitetin Shtetëror të Tetovës, respektivisht me hapjen e dy fakulteteve të reja: Fakultetin e bujqësisë dhe bioteknologjisë dhe Fakultetin pedagogjik, gjë që dëshmon për rritjen e vazhdueshme të kapaciteteve tona në shërbim të spektrit të gjerë shoqëror.

Në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe në emrin tim personal, unë shpreh urimet më të sinqerta për hapjen e dy fakulteteve të reja në kuadër të Universitetit tonë, kurse Universitetit “Nëna Terezë” në Shkup i uroj punë të mbarë dhe i përgëzoj të gjithë aktorët e përfshirë për realizimin e këtij projekti madhor kombëtar.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *