Home / Kryesoret / Riaktivizohen radarët serbë në Kosovë

Riaktivizohen radarët serbë në Kosovë

Serbia ka riaktivizuar qendrën e radarëve ajror në vendin e quajtur Maja e Panqiqit, që ndodhet në komunën e Leposaviqit në veri të Kosovës, nga ku kontrollon gjithë hapësirën ajrore të Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Qendra e radarëve serbë shtrihet në fund të territorit të Kosovës në pjesën veriore në një lartësi prej 2 mijë e 17 metra mbi nivelin e detit.

Eksperti i sigurisë Florian Qehaja ka thënë për “Top Channel” se riaktivizimi nga ana e Serbisë i radarëve që ndodhen në territorin e Kosovës, përbënë shkelje të sovranitetit, për të cilën gjë ai fajëson forcat e NATO-s në Kosovë, që janë përgjegjës për vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo përbënë shkelje të sovranitetit tonë. Konsideroj që Serbia është duke e shfrytëzuar vakumin që ekziston në drejtim të mos bashkëpunimit me Kosovën dhe është duke i shfrytëzuar të gjitha resurset që i ka në drejtim të vëzhgimeve dhe në drejtim të interceptimeve për qytetarët e Kosovës. KFOR-i qartazi së voni, nga një pozicion neutral po shihet që ka lëvizur më shumë në një pozicion të përmirësimit sa më të madh të marrëdhënieve me Serbinë dhe ky është një vendim politik”, thotë Florian Qehaja, ekspert i Sigurisë.

Qehaja ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të bëjë trysni mbi bashkësinë ndërkombëtare që çështjen e demarkimit të kufirit me Kosovën, Serbia ta ketë si kusht në kuadër të kapitullit 35 për anëtarësim në Bashkim Evropian.

Edhe hartat zyrtare dhe dokumentet kadastrale të Kosovës konfirmojnë se qendra e navigacionit dhe radarëve ndodhet brenda territorit të Kosovës.
Profesori i gjeografisë, Florim Isufi ka shpjeguar për “Top Channel” se si në bazën e të dhënave të gjeoportalit të Kosovës, që është hartë zyrtare digjitale e shtetit, radarët tek Maja e Panqiqit shihen që janë brenda territorit kosovar, por ai tregon edhe se si Serbia ka ndërhyrë në gjeoportalin e sajë dhe e ka devijuar kufirin pikërisht në atë pjesë ku ndodhet navigacioni.

“Vija e zezë është vijë zyrtare nga Kadastri i Kosovës dhe është e publikuar në gjeoportalin e Kosovës. Ndërsa, nëse bazohemi në gjeoportalin zyrtar të Serbisë, shihet se kjo vijë devijon jashtëzakonisht shumë brenda territorit të Kosovës. Tash këtu kemi një mospërputhje të kufirit, në mes kufirit sipas gjeoportalit zyrtar të Serbisë dhe kufirit sipas gjeoportalit zyrtar të Kosovës”, thotë Florim Isufi, profesor i gjeografisë.

Radarët e riaktivizuar nga shteti serb, ishin objektivi i parë sulmeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë më 1999, pasi NATO që para 17 viteve e konsideronte këtë radar si “veshë e sy” për Beogradin dhe sistemin e sigurisë së Serbisë.

Sipas profesorit të gjeografisë Florim Isufi dhe ekspertit të sigurisë, Florian Qehaja, çështja e radarëve në Leposaviq do të paraqes problem ndërshtetërorë mes Kosovës dhe Serbisë, kur të bëhet demarkacioni mes dy vendeve.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *