Home / Kryesoret / Universiteti Shtetëror i Tetovës e shënoi 21 vjetorin e themelimit

Universiteti Shtetëror i Tetovës e shënoi 21 vjetorin e themelimit

17 Dhjetori, Dita e themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës u shënua me një sërë aktivitetesh. Gjatë ditës, stafi akademik i USHT-së, i kryesuar nga rektori Prof. dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar edhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Mr. sc. Abdilaqim Ademi, si dhe një numër i madh i profesorëve dhe studentëve bënë homazhe dhe vunë kurora lulesh tek busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdilselam Emini, si dhe tek vari i themeluesit dhe rektorit të parë historik të UT-së, Prof. dr. Fadil Sulejmani.

Për nderë të këtij përvjetori u mbajtë edhe një akademi solemne, ku morën pjesë një numër i madh i personalitete publike nga vendi dhe rajoni, rektorë universitetesh, përfaqësues të korit diplomatik dhe spektrit politik, profesorë dhe studentë.

Akademinë e shpalli të hapur Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, i cili theksoi se 17 Dhjetori i vitit 1994, e bëri kthesën më të madhe me interes kombëtar për shkollimin sipëror në gjuhën amtare të gjeneratave të reja. ,,Ky vit historik, nga inteligjencia jonë u vlerësua si rilindje e shqiptarëve në Maqedoni. Iniciativa për themelimin e Universitetit, atë kohë fuqimisht u përkrah nga Komuna e Tetovës, Gostivarit dhe Dibrës, duke mos harruar edhe kontributin e jashtëzakonshëm që dha populli ynë për jetësimin e së drejtës për arsimim në gjuhën shqipe. Me rastin e këtij përvjetori, në cilësinë e Rektorit, kam nderin t’u shpreh mirënjohje dhe falënderime të përzemërta të gjithë atyre që kontribuuan për themelimin dhe të arriturat e derisotme të këtij Universiteti, në veçanti, u shpreh mirënjohje familjeve që shtëpitë e tyre i shndërruan në shkolla të para të këtij Universiteti. U shprehim mirënjohje dhe falënderim profesorëve të cilët dhanë gjithçka për themelimin e këtij tempulli të dijes dhe mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor, sidomos profesorëve nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Prishtinës, duke mos harruar në asnjë çast edhe bashkëkombësit tanë që e ndihmuan financiarisht ngritjen këtij institucioni”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Po ashtu, ai shtoi se Universiteti Shtetëror i Tetovës, për 21 vjet me radhë u shndërrua në simbol të edukimit të shumë brezave të studentëve, i përkushtimit të profesorëve dhe punonjësve të tjerë për të kontribuar në forcimin dhe përparimin e këtij institucioni arsimor dhe shkencor. ,,Universiteti ynë ka arritur standardet e nevojshme për veprimtarinë dhe misionin që zhvillon në fushën e arsimit të lartë. USHT, nga viti në vit po rritet, forcohet dhe zhvillohet sipas traditave më të avancuara të universiteteve prestigjioze evropiane dhe botërore. Sot, Universiteti Shtetëror i Tetovës, si një institucion me traditë të konsoliduar arsimore, veprimtarinë e tij e zhvillon në tri cikle të studimeve, studimet themelore, të magjistraturës dhe doktoratës. Në fakultetet dhe programet studimore që ne ofrojmë në të gjitha ciklet, studimet i ndjekin mbi 18 mijë studentë, të rregullt dhe me korrespodencë. Si udhëheqësi e universitetit, jemi angazhuar pareshtur në reformimin e përgjithshëm, si rritjen e cilësisë së shërbimeve akademike, përsosjen e nivelit të mësimdhënies dhe e kërkimeve shkencore, komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të frytshëm me studentët dhe kuadrin mësimdhënës”, theksoi mes tjerash Prof. dr. Vullnet Ameti, Rektori i USHT-së.

Këtë akademi me prezencën e tij e nderoi edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Prof. dr. Arsim Bajrami. Ai me këtë rast në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Arsimit të Kosovës, në emër të universiteteve publike në Kosovë dhe në emër të studentëve, përcolli urime për 21 vjetorin e themelimit të USHT-së, duke shtuar se sot ky universitet ka arritur të gëzojë reputacion ndërkombëtar. ,,Padyshim se ky universitet ka arritur sot të shndërrohet në një vatër të rëndësishme të emancipimit dhe edukimit të popullit shqiptar në Maqedoni, ka arritur të gëzojë reputacion ndërkombëtar dhe të bëhet një nga universitetet më të kërkuar në rajon dhe, të gjithë duhet të jemi krenarë sepse ne nga ky universitet kemi nxjerrë gjeneratë të re që sot është në politikë, është në biznes, është në ekonomi, është në Universitet dhe kemi krijuar një gjeneratë të re e cila nuk do të kthehet për të parë të kaluarën tonë, e cila nuk ka qenë edhe aq e mirë, por është e gatshme të kthehet në të ardhmen tonë, së rinisë sonë, studentëve tanë, të ju krijohet një vatër e shkëlqyeshme e arsimit dhe edukimit, një universitet cilësor, një universitet konkurrent me universitetet tjera”, tha Prof. dr. Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Republikës së Kosovës.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve deklaroi se, sot Universiteti Shtetëror i Tetovës, nën menaxhimin e udhëheqësisë aktuale, është një model i mirë i zhvillimit të suksesshëm në të gjitha aspektet. ,,Me objekte dhe infrastrukturë moderne, me staf profesional arsimor e shkencor, dhe me një shtrirje me degë e fakultete në të gjitha qendrat e mëdha shqiptare të Maqedonisë. Universiteti Shtetëror i Tetovës gjithnjë e më tepër po merr dimensionet e një megaprojekti të vërtetë kombëtar. Ky tempull i dijes dhe i zhvillimit të shqiptarëve në Maqedoni do të fitojë edhe dy fakultete të reja, atë të Pedagogjisë dhe Bujqësisë dhe një konvikt studentor, duke ndërtuar kështu mozaikun e plotë të një institucioni të lartë arsimor-shkencor”, nënvizoi Mr. sc. Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës i vendit tonë.

Akademia që u organizua për nderë të 21 vjetorit të themelimit të USHT-së u begatua edhe me një program të pasur kulturor dhe artistik, të përgatitur nga profesorët e Fakultetit të Arteve të USHT-së, ku performuan Korri i USHT-së, këngëtarët Kastriot Tusha dhe Selami Kolonja, të shoqëruar në piano nga Taulant Kolonja, si dhe me një pikë artistike luajtën në piano Arijana Koriu Grubi dhe në violë profesor Blerim Grubi.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *