Home / Lajme / Maqedoni / USHT e përmbylli fushatën e aktiviteteve për parandalimin e virusit HIV AIDS

USHT e përmbylli fushatën e aktiviteteve për parandalimin e virusit HIV AIDS

Grupi shkencor dhe Parlamenti studentor i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, sot përmes një ligjërate, me temë ,,Kundër sidës”, të prezantuar nga studentët, Vjosa Xhaferi dhe Albert Maqellara, e kanë përmbyllur fushatën e aktiviteteve që e kanë organizuar për nder të 1 Dhjetorit, Ditës botërore të luftës kundër sidës. Në këtë ligjëratë të pranishëm ishin Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, Adem Beadini, shefi i Kabinetit të Rektorit, Mr.sc, Faton Shabani, stafi akademik i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, si dhe studentë të këtij fakulteti dhe të fakulteteve të tjera.

Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Doc. dr. Nasir Bexheti i përgëzoi studentët për angazhimin e tyre në aktivitete të cilat për qëllim kanë ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e shëndetit. ,,Dua të ju përgëzoj për punën që bën Grupi shkencor i Parlamentit studentor të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, që përkujton dhe shënon ngjarje të rëndësishme të cilat kanë të bëjnë me shëndetin e njeriut dhe tema të cilën e trajtojnë sot ata, është një temë që i kushtohet 1 Dhjetorit – Ditës së sidës. Me këtë ligjëratë ata e dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e tyre në informimin dhe sensibilizimin e popullatës në vendin tonë për këto sëmundje, dhe vetëm në këtë mënyrë do të mund t’i parandalojmë këto sëmundje”, tha Doc. dr. Nasir Bexheti.

Stomatologu i sapodiplomuar në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të USHT-së, Albert Maqellara tha se shumë me rëndësi është mënyra e preventimit dhe trajtimit të virusit HIV AIDS. “Kjo ligjëratë organizohet me rastin e Ditës Botërore të luftës kundër sidës, e cila është më 1 Dhjetor, mirëpo ne në kuadër të kampanjës tonë që ia kemi përkushtuar kësaj sëmundje, kemi realizuar disa aktivitete, ndërsa sot, ne e përmbyllim këtë kampanjë me këtë prezantim këtu në Rektoratin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, me një ligjëratë para studentëve të titulluar: ,,Kundër sidës”. Në këtë prezantim u dhanë disa statistika dhe u sqarua mënyra e preventimit dhe e trajtimit të sidës si sindrom dhe e virusit të HIV-it”, u shpreh Albert Maqellara, stomatolog i sapodiplomuar në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të USHT-së dhe njëherit Kryetar i Grupit shkencor të këtij fakulteti.

Studentja Vjosa Xhaferi theksoi se me këtë aktivitet përkujtohen të gjitha viktimat që i ka marrë kjo sëmundje, dhe sipas saj, për këtë arsye kjo kampanjë realizohet me moshën studentore, me qëllim që të informohen ata se si mund të transmetohet dhe si mund të parandalohet virusi HIV AIDS. “Dita Botërore e AIDS është më 1 Dhjetor dhe ka për qëllim që t’i përkujtojmë të gjitha viktimat të cilat i ka marrë virusi HIV AIDS, prej momentit kur është paraqitur, që t’i mbështesim të gjithë pacientët të cilët kanë HIV AIDS, dhe të mos i stigmatizojmë ata duke i distancuar prej shoqërisë sonë si njerëz të cilët janë të veçantë ose të ndryshëm prej nesh. Qëllimi, pse ne e bëjmë me moshën studentore është sepse gjëja më e rëndësishme për HIV AIDS-in është të dinë ata se si transmetohet ajo prej një pacienti i cili është i infektuar, te një njeri i shëndoshë, dhe me këtë qëllim ne do të preventojmë ose do të mundësojmë parandalimin e infeksioneve të reja me HIV AIDS, ose paraqitjen e HIVB AIDS-it më vonë”, theksoi Vjosa Xhaferi, studente e vitit të pestë të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë.

Ndryshe kjo kampanjë e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë është realizuar nën moton ,,Të fokusohemi, të bashkëpunojmë, të arrijmë gjenerata të reja pa AIDS. Të arrijmë në Zero, Zero infeksione të reja me HIV, Zero vdekje nga AIDS”.

Gjithashtu lexo

Specialja mbetet me një prokuror më pak!? (Video)

Prokuroria Speciale mund të mbetet edhe me një prokuror më pak. Sipas burimeve jo zyrtare, …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *