Home / Kryesoret / USHT i ndau indeksat për gjeneratën e parë të doktorantëve

USHT i ndau indeksat për gjeneratën e parë të doktorantëve

Sot, në Universitetin Shtetëror të Tetovës u përurua gjenerata e parë e doktorantëve. Me një ceremoni solemne u bë ndarja e indeksave për doktorantët që studimet e Ciklit të tretë do t’i ndjekin në pesë fakultete të USHT-së.
Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti theksoi se sot Universiteti ynë e shënon edhe një sukses tjetër në veprimtarinë arsimore dhe kërkimin shkencor. ,,Ndjehem i nderuar që në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe në emrin tim t’Ju drejtohem me fjalë rasti në këtë aktivitetet shumë të rëndësishëm për Universitetin tonë dhe për arsimin e lartë në gjuhën shqipe. Universiteti ynë, tanimë e ka dëshmuar zhvillimin e gjithanshëm akademik në të gjitha drejtimet e tij, si shkencor, edukues, pedagogjik dhe artistik. Në auditorët e fakulteteve tona, në studimet deridiplomike dhe pasdiplomike studiojnë mbi 18.000 studentë të profileve të ndryshme, të cilët çdo ditë e më shumë përgatiten profesionalisht për t’i shërbyer kombit tonë dhe shoqërisë në përgjithësi. Ndërkaq, sot, të gjithë së bashku e shënojmë një sukses tjetër tejet të rëndësishëm, e përurojmë gjeneratën e parë të doktorantëve, që për nga rëndësia arsimore dhe shkencore paraqet arritjen kulmore të Universitetit Shtetëror të Tetovës”, tha Rektori Prof. dr. Vullnet Ameti, njofton Tv Koha.
Ai, po ashtu tha se, në bazë të Vendimit për akreditim të studimeve të doktoratës, Universiteti ynë për herë të parë në vitin akademik 2015/2016 shpalli konkurs për regjistrimin e studentëve në Ciklin e tretë të studimeve në pesë fakultete, si: Fakultetin e Kulturës Fizike, Fakultetin Filologjik, Fakultetin Filozofik, Fakultetin Ekonomik dhe Fakultetin Juridik. ,,Në programet, përkatësisht drejtimet studimore të fakulteteve të lartpërmendura kemi regjistruar studentë në studimet e doktoratës, studime këto që kanë për qëllim t’i pajisin studentët me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme, për të kryer kërkime shkencore në nivele më të avancuara. Ju që jeni përcaktuar t’i filloni studimet e Ciklit të tretë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, jemi të bindur se do të ndiqni me sukses rrugën e arsimimit dhe kërkimit shkencor, do të fitoni njohuri të reja në drejtimet që Ju keni zgjedhur dhe në këtë mënyrë do të kontribuoni në konsolidimin e vlerave shkencore dhe akademike, raporton Tv Koha.
Promovimi i gjeneratës së parë të doktorantëve, përpos që është një ngjarje e madhe, mbi të gjitha është një dëshmi e një progresi të qenësishëm që është bërë në institucionin tonë, është një dëshmi se të gjithë ne i jemi qasur me seriozitet përparimit të këtij tempulli të dritës dhe diturisë”, deklaroi mes tjerash Rektori i USHT-së.
Përgjegjësi i Zyrës për studime të doktoratës, Mr. sc. Kushtrim Ahmeti para doktorantëve prezantoi programet studimore për të gjitha drejtimet ku ata i kanë regjistruar studimet në Ciklin e tretë. Sipas tij, organizimi i studimeve të doktoraturës në nivel universiteti siguron kualitet të unifikuar dhe kritere të unifikuara pranimi.
Në përurimin e kësaj gjenerate, i pranishëm ishte edhe Prorektori për Arsim, Prof. dr. Reshat Qahili, i cili bashkë me Rektorin, Prof. dr. Vullnet Ameti ua ndanë indeksat doktorantëve. Gjithashtu, studentët e Ciklit të tretë të studimeve, sot e zhvilluan ligjëratën e parë në lëndën Metodologjia e kërkimit shkencor.Tv Koha

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *