Home / Kryesoret / USHT u promovua libri ,,Sëmundjet e veshkave” i autorit Prof. dr. Lutfi Zylbeari

USHT u promovua libri ,,Sëmundjet e veshkave” i autorit Prof. dr. Lutfi Zylbeari

Në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë të Universitetit Shtetëror të Tetovës u promovua libri ,,Sëmundjet e veshkave” i autorit Prof. dr. Lutfi Zylbeari. Ky libër do t’u shërbejë studentëve të mjekësisë për njohjen e materies dhe pasurimin e diturive nga lëmi i nefrologjisë.      Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Prof. dr. Nasir Bexheti, tha se kontributet e këtilla shkencore, jo vetëm që e plotësojnë mozaikun e botimeve të rëndësishme universitare të shkencës së mjekësisë, por shërbejnë edhe si pika referimi të dobishme për avancime profesionale të atyre që i kanë vënë vetes një mision të vështirë e tejet human, në shërbim të shëndetit të njeriut. ,,Jam i bindur se ky libër do të shërbejë për mjekët, por mbi të gjitha për studentët që duan t’i thellojnë dijet nga kjo sferë shumë e rëndësishme e mjekësisë, libër i cili pasqyron konceptet më bashkëkohore lidhur me rolin e veshkave në mirëmbajtjen e shëndoshë të organizmit, patofiziologjinë, ndryshimet dhe çrregullimet e veshkave, si dhe përdorimin e metodave më të sofistikuara diagnostike gjatë ekzaminimeve nefrologjike, si dhe aplikimin sa më bashkëkohor terapeutik në mjekimin e të gjitha sëmundjeve të veshkave, qofshin ato të lindura apo të trashëguara”, tha Prof. dr.Nasir Bexheti.

                Autori i librit, Prof. dr. Lutfi Zylbehari, theksoi se ky libër, veç tjerash është shkruar duke u bazuar edhe në eksperiencën njëzetepesëvjeçare si ekspert i kësaj lëmie dhe diturive të fituara nga kongrese të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. ,,Shpresoj që ky libër studentëve dhe mjekëve të rinj do t’iu shërbejë gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Jam përpjekur që në libër të përshkruaj të arriturat më të reja dhe më bashkëkohore për trajtimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve me sëmundje të veshkave. Qëllimi ka qenë që libri të jetë sa më i kompletuar, informativ, i kuptueshëm dhe praktik”, u shpreh autori i këtij libri.

                Për librin në fjalë folën edhe recensentët, Prof. dr. Sadi Bexheti dhe Prof. dr. Koço Cakalaroski, të cilët vlerësuan se ky libër do të shërbejë si një bazament i fuqishëm për studentët e kësaj lëmie, po ashtu, ata e inkurajuan autorin që edhe në të ardhmen të punojë në këtë drejtim.

                Në promovimin e këtij libri morën pjesë prorektori për Arsim i USHT-së, Prof. dr. Reshat Qahili, prorektori për Financa, Prof. dr. Alifeta Selimi, Kryetari i Parlamentit Studentor, Ardian Bilalli, dekanë, senatorë, mjekë, profesorë dhe studentë.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *