Home / Lajme / Maqedoni / USHT ua ndau titullin Doktor nderi i shkencave diplomatit amerikan Xhejms Perdju dhe kardiokirurgut shqiptar Omer Xhemali

USHT ua ndau titullin Doktor nderi i shkencave diplomatit amerikan Xhejms Perdju dhe kardiokirurgut shqiptar Omer Xhemali

Universiteti Shtetëror i Tetovës, me rastin e shënimin të 21 vjetorit të themelimit ua ndau çmimin Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causae), diplomatit amerikan Xhejms Perdju dhe kardiokirurgut shqiptar me famë botërore, Prof. dr. Omer Xhemalit. Ky titull, këtyre laureatëve ju nda në akademinë solemne që u mbajt për nderë të 21 vjetorit të themelimit.

Rektori, Prof. dr. Vullnet Ameti, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve theksoi se, universiteti kujdes të veçantë i ka kushtuar vlerësimit të punës së personaliteteve të njohura, të cilët me kontributin e tyre të çmuar i kanë avancuar shkencat në përgjithësi dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre për lirinë, demokracinë dhe mbrojtjen e parimeve dhe të drejtave universale. ,,Për arsyet e lartpërmendura, Universiteti ynë deri më tani ua ka ndarë titullin: Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causa) personaliteteve të dëshmuar në lëmi të ndryshme, siç janë: Prof. dr. Bamir Topi, Prof. dr. Enver Duran, nobelisti shqiptar, Prof. dr. Ferid Muradi, themeluesi dhe Rektori i parë i UT-së, Prof. dr. Fadil Sulejmani, Prof. dr. Ahmed Davutogllu, kryeministri aktual i Republikës së Turqisë, Prof. dr. Dhori Kule, Prof. dr. Shezai Rrokaj, Prof. dr. Betrit Bare dhe Prof. dr. Minir Koni. Ndërkaq, sot në këtë përvjetor, me vendim të Senatit të USHT-së, në këtë Akademi solemne, titullin Doctor Honoris Causa do t’ua ndajmë diplomatit të njohur amerikan, z. Xhems Perdju dhe Prof. dr. Omer Xhemalit”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti.

Kryetar i Komisionit Recensues, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i USHT-së, Prof. dr. Arbër Çeliku lexoi referatin për ambasadorin Xhejms Perdju, ku mes tjerash theksoi: ,,Për ne, është një kënaqësi dhe privilegj, që na jepet rasti për të bërë një vlerësim për një personalitet dhe diplomat të shquar dhe mbi të gjitha, për një kontribuues të pashoq në ndërtimin e paqes në rajonin e Ballkanit, me theks të veçantë në Kosovë dhe Maqedoni, gjatë periudhës së konflikteve të armatosura 1999 – 2001. James W. Perdew është lindur më 5 Shkurt 1944 në Mephis, në shtetin Tennessee, të SHBA-ve. Ai dhe bashkëshortja e tij Kathy kanë tre djem”, u shpreh Prof. dr. Arbër Çeliku.

Gjithashtu, ai lexoi edhe referatin për kardiokirurgun Prof. dr. Omer Xhemali. Sipas tij, ,,është kënaqësi dhe privilegj, që na jepet rasti, për të bërë një vlerësim, për një mik, koleg, një studiues të devotshëm dhe mbi të gjitha, për një dashamir të Universitetit Shtetëror të Tetovës. Prof. dr. Omer Xhemali është lindur më 4 korrik 1970, në Tetovë. Është i martuar me Mike Xhemalin dhe kanë dy fëmijë, Lizën dhe Artën. Shkollimin fillor e ka kryer në Tearcë të Tetovës, kurse shkollimin e mesëm për mjekësi në Tetovë. Nga viti 1990 – 1992 ka studiuar për mjekësi në Universitetin e Sarajevës, kurse nga viti 1993 – 2000 i vijon studimet për mjekësi humane në Universitetin Johannes-Guttenberg në Mainz të Gjermanisë”, shtoi mes tjerash Prof. dr. Arbër Çeliku, Kryetar i Komisionit Recensues.

Vendimin e Senatit për ndarjen e titullit Doktor nderi i shkencave për diplomatin Amerikan Xhejms Perdju dhe kardiokirurgun Prof. dr. Omer Xhemali e bëri publik promotori, Prorektori për Arsim i USHT-së, Prof. dr. Reshat Qahili. Ai, gjatë leximit të vendimit tha: ,,Në bazë të nenit 144 të Ligjit për arsimin e lartë të Republikës së Maqedonisë dhe nenit 268 të Statutit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Senati i Universitetit, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 12 dhjetor të vitit 2015, solli: V E N D I M, Për dhënien e titullit Doctor Honoris Causa të Universitetit Shtetëror të Tetovës, ambasadorit dhe diplomatit të Departamentit Amerikan të Shtetit, James W. Pardew dhe kardiokirurgut dhe profesorit universitar Prof. dr. Omer Xhemali. Ky titull, ambasadorit dhe diplomatit të Departamentit Amerikan të Shtetit, James W. Pardeë dhe kardiokirurgut dhe profesorit universitar Omer Xhemali u jepet për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit dhe shkencës, për krijimin e kushteve për paqe, për ruajtjen e vlerave dhe të dinjitetit njerëzor e kombëtar, për ngritjen dhe zhvillimin e arsimit, të shkencës dhe lirive akademike”, nënvizoi promotori, Prof. dr. Reshat Qahili.

Laureatëve, Xhejms Perdju dhe Prof. dr. Omer Xhemalit, diplomat ua ndau Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti. Pas marrjes së diplomave, ambasadori Xhejms Perdju me fjalë rasti ju drejtua të pranishmëve, duke theksuar se ky vlerësim që i është bërë jo vetëm që ka nderuar punën e tij por njëherit është mirënjohje edhe për të gjithë diplomatët tjerë që kanë kontribuar gjatë gjithë këtyre viteve në rajon. ,,Jam shumë i nderuar që Universiteti Shtetëror i Tetovës më ndan mua këtë titull, Doktor nderi i shkencave. E pranoj këtë titull në shenjë falënderimi, respekti dhe mirënjohje për të gjithë diplomatët amerikanë dhe evropianë që gjatë gjithë këtyre viteve janë angazhuar për promovimin e paqes në ish Jugosllavi. Kontributi më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon dhe vendin tuaj ka qenë përkrahja që u ka dhënë institucioneve arsimore dhe arsimit në përgjithësi. Arsimi është themeli i çdo demokracie dhe unë dua t’u përgëzoj juve për punën që keni bërë gjatë këtyre viteve. Jam shumë i kënaqur për angazhimin tuaj në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja në Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe kontributin që po jepni nëpër institucionet tjera arsimore të Maqedonisë”, potencoi ambasadori Xhejms Perdju.

Ndërsa profesori universitar, Prof. dr. Omer Xhemali tha se titulli Doktor nderi i shkencave me të cilin sot më nderon Universiteti Shtetëror i Tetovës, e shoh edhe si inkurajim për të qenë përkrahës i juaj në këtë udhëtim për t’u bërë shërbëtor i vendit tonë. ,,Shpresoj se studentët e këtij Universiteti, bashkë me stafin akademik, do të ruajnë të mirat që i kanë arritur më punën e tyre dhe do të punojnë më shumë që këto të arritura të përsosen më shumë dhe të bëhen konkurruese në garën e dijes përtej rajonit tonë. Çmimi i dështimit është tepër i lartë, këtë nuk duhet t’ia lejoni vetes. Përkundër vështirësive të pamohueshme, ju të dashur studentë, sot jeni në një pozitë shumë më të favorshme se gjenerata ime, ku para një çerek shekulli i fillova studimet e mjekësisë në Universitetin e Sarajevës. Bota jonë ballkanike ndodhej para një rrënimi moral. E braktisa këtë qytet të rrethuar dhe mora rrugët e botës perëndimore, duke i dhënë zemër vetes, se kurrë nuk duhet të dorëzohem dhe përherë duhet të mësoj. Duke i dhënë zemër vetes u bëra doktor i zemrës. Jam i lumtur që bota perëndimore me universitet e saj më mundësoi të zhvillohem profesionalisht”, deklaroi Prof. dr. Omer Xhemali.

Gjithashtu, dy laureatëve, Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti ua ndau edhe logon e Universitetit.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *