Home / Lajme / Maqedoni / Vullnet Ameti shpalosi agjendën e aktiviteteve që do të organizohen në 21 vjetorin e themelimit të USHT-së

Vullnet Ameti shpalosi agjendën e aktiviteteve që do të organizohen në 21 vjetorin e themelimit të USHT-së

Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, i shoqëruar edhe nga senatorët, sot në një konferencë për media shpalosi agjendën e aktiviteteve që do të zhvillohen me rastin e shënimit të 21 vjetorit të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Ai tha se, Rektorati dhe të gjitha njësitë akademike të USHT-së, për nderë të 21 vjetorit do të organizojnë një sërë aktivitetesh, si gara në sporte të ndryshme, promovime librash të botuara nga USHT-ja, ekspozita artistike, si dhe do të shpalosin arritjet që ka shënuar universiteti ynë gjatë vitit që lëmë pas. ,,Së pari, Ju falënderoj për kontributin dhe gatishmërinë Tuaj për ta ndjekur agjendën e ngjeshur të aktiviteteve, të cilat janë zhvilluar dhe vijojnë të zhvillohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Universiteti ynë, këtë muaj e shënon përvjetorin e themelimit të tij, dhe me këtë rast, Rektorati dhe të gjitha njësitë akademike të universitetit do të organizojmë një sërë aktivitetesh për ta shënuar 21 vjetorin e themelimit dhe njëherit t’i shpalosim arritjet tona në veprimtarinë arsimore, shkencore, artistike dhe veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit tonë. Përmes kësaj konference për media, kemi kënaqësinë ta njoftojmë opinionin e gjerë për agjendën e aktiviteteve që kemi paraparë t’i organizojmë në këtë përvjetor, edhe atë: Më 14 dhjetor, do të hapim siparin e aktiviteteve sportive, të organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike. Më 15 dhjetor, do t’i përurojmë botimet e Universitetit, si: librat, revistat shkencore të fakulteteve, publikimet e Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, revistën shkencore ,,Albanologjia” të Fakultetit Filologjik, Gazetën Universitare, librat e autorëve të ndryshëm që i ka financuar USHT, etj. Më 16 dhjetor, do të përfundojmë me aktivitetet sportive të Fakultetit të Kulturës Fizike, kur edhe do t’i shpallim fituesit në disiplina të ndryshme: futboll, volejboll, basketboll, tenis, etj. Po të njëjtën ditë, më 16 dhjetor, në Rektoratin e Universitetit do ta hapim ekspozitën artistike, në të cilën veprat e tyre do t’i prezantojnë profesorët e Fakultetit të Arteve”, tha Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Po ashtu, Rektori i USHT-së, shtoi se më 17 Dhjetor do të bëhen homazhe te busti i Dëshmorit të Arsimit Shqip, Abdilselam Emini dhe te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. dr. Fadil Sulejmani, ndërsa agjenda e aktiviteteve do të përmbyllet po më 17 Dhjetor, në mbrëmje, me organizimin e Akademisë solemne, ku janë ftuar të marrin pjesë shumë personalitete të jetës publike. ,,Më 17 dhjetor, agjendën e aktiviteteve tona do ta vijojmë me homazhe te busti i Dëshmorit të Arsimit Shqip, Abdylselam Emini dhe homazhe te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. dr. Fadil Sulejmani. Aktivitetin kryesor të 21 vjetorit të themelimit të Universitetit do ta përmbyllim me organizimin e Akademisë solemne, e cila do të mbahet më 17 dhjetor, në orën 19:00, në të cilën i kemi ftuar të marrin pjesë, rektorët e universiteteve publike dhe private nga vendi, rajoni dhe universitetet ndërkombëtare, ambasadorët e vendeve të tjera në vendin tonë; ministrat, deputetët, përfaqësuesit e pushtetit qendror dhe lokal, kryetarët e partive politike shqiptare në Maqedoni dhe personalitete të tjera”, theksoi mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektori i USHT-së.

Ai, më tej theksoi se, po ashtu në akademinë solemne USHT-ja do t’u ndajë titullin Doktor nderi i shkencave, Prof. dr. Omer Xhemailit dhe diplomatit amerikan, Xhems Perdju. ,,Do të doja t’Ju njoftoj se, në këtë përvjetor, duke u bazuar në sukseset e tij në fushën e shkencave mjekësore, kontributin e çmuar në avancimin e këtyre shkencave në trevat tona dhe afirmimin e universitetit tonë në arenën ndërkombëtare, Universiteti Shtetëror i Tetovës do t’ia ndajë titullin Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causa), Prof. dr. Omer Xhemailit. Po ashtu, për kontributin e çmuar dhe rolin e tij në parandalimin e konfliktit dhe arritjen e paqes në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë, si dhe avancimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, diplomatin e shquar amerikan, z. Xhems Perdju, do ta shpallim Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causa) i Universitetit Shtetëror të Tetovës”, shtoi më tej Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Në shënimin e 21 vjetorit të USHT-së janë ftuar një numër i konsiderueshëm personalitetesh të arsimit, shkencës, kulturës, ambasadorë, liderë të partive politike, drejtues institucionesh, në nivel qendror dhe lokal, si dhe shumë mysafirë të tjerë nga vendi dhe rajoni.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *