Home / Lajme / Rajon / Analistët Kriza e thellë politike rrezikon zgjedhjen e Presidentit të Kosovës
Albert Krasniqi (foto) nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i cili mbikëqyrë punën e Kuvendit, thekson se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, në këtë rast, deri më 7 mars 2016. Njëkohësisht, doktori i shkencave politike Arben Qirezi, duke pasur parasysh krizën e thellë disamujore të karakterizuar me bllokimin e punës së Kuvendit dhe antagonizmin e madh në mes të opozitës dhe pozitës, jep vlerësimin se zgjedhja e Presidentit të Kosovës rrezikohet seriozisht, për disa arsye. ( Erkin Keçi - Anadolu Ajansı )

Analistët Kriza e thellë politike rrezikon zgjedhjen e Presidentit të Kosovës

Në njërën prej seancave të para plenare të sesionit pranveror, Kuvendi i Kosovës duhet ta zgjedh presidentin e vendit pasi presidentes aktuale, Atifete Jahjagës, në fillim të prillit i skadon mandati pesë vjeçar.

Sipas marrëveshjes së koalicionit qeverisës PDK-LDK, parashihet që lideri i Partisë Demokratike të Kosovës PDK), Hashim Thaçi të zgjidhet president, ndërsa Isa Mustafa si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i ka takuar posti i kryeministrit.

Mirëpo, tri partitë opozitare: Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA për Kosovën kanë paralajmëruar se me çdo kusht do ta pamundësojnë zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të shtetit.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i cili mbikëqyrë punën e Kuvendit, thekson se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, në këtë rast, deri më 7 mars 2016.

Krasniqi në një bisedë për Anadolu Agency (AA) vlerëson se zgjedhja e presidentit, në një krizë të thellë politike në të cilën ndodhet Kosova, mund të sjellë kundërshtime edhe më të mëdha sepse pritet që opozita ta bllokojë atë zgjedhje.

“Partitë opozitare natyrisht nuk do të paraqesin kandidatin e tyre për shkak se gjasat që t’i arrijnë të zgjidhen janë shumë të vogla apo nuk ekzistojnë fare dhe nëse ata do të paraqitshin një kundër kandidat atëherë do të mundësonin zgjidhjen e Thaçit sepse do t’ia siguronin kuorumin e mjaftueshëm për mbajtjen e seancës kur do të bëhet zgjedhja e presidentit, pasi që në sallë duhet të jenë 80 deputetë (dy të tretat e 120 deputetëve) të pranishëm për ta filluar procedurën për zgjedhjen e presidentit”, shpjegon Albert Krasniqi nga KDI-ja.

Ai shton se, në rast të moszgjidhjes së presidentit në afat prej 60 ditëve prej momentit kur fillon procesi i zgjedhjes, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe thirren zgjedhjet e parakohshme, më së largu për 45 ditë.

“Njëjtë, nëse Kuvendi dështon në zgjedhjen e presidentit në tre raunde të votimeve, atëherë edhe në këtë rast shpërndahet Kuvendi dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme. Pikërisht këtu është edhe synimi i opozitës, që të pamundësohet zgjedhja e presidentit, të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje”, thotë Albert Krasniqi.

Njëkohësisht, doktori i shkencave politike Arben Qirezi, duke pasur parasysh krizën e thellë disamujore të karakterizuar me bllokimin e punës së Kuvendit dhe antagonizmin e madh në mes të opozitës dhe pozitës, jep vlerësimin se zgjedhja e Presidentit të Kosovës rrezikohet seriozisht, për disa arsye.

“Vazhdimësia e veprimeve opozitare për ta penguar punën e Kuvendit dhe e dyta që, në një situatë të këtillë vështirë se mund të zgjidhet një president i cili i ka të gjitha ato atributet që ia përshkruan Kushtetuta e Kosovës, më i rëndësishëm prej të cilëve është që të jetë simbol i unitetit të popullit të Kosovës. Pra, në një skenë të tillë të antagonizuar dhe polarizuar politike, vështirë se do të mund të kishim tani një presidenti i cili do të mund ta siguronte një rol të tillë, të qenit e simbolit të unitetit të popullit. Prandaj, ka kërkesa në rritje, jo vetëm nga ana e opozitës, por edhe shoqërisë civile se legjitimiteti i Qeverisë është rrënuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila tha se, në aktgjykimin e saj, se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është në përputhje të plotë me Kushtetutën”, thotë Qirezi për AA.

– Të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së Presidentit

Qirezi konsideron se koalicioni qeveritar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mos kushtetutshmërinë e marrëveshjes për Asociacionin, nuk mund të mbështetet në shumicën parlamentare. Prandaj, sipas tij, ky është një rast i mirë që të mendohet për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe njëkohësisht të mbahen zgjedhjet parlamentare, ndërsa presidenti të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta të popullit.

“Situata ka eskaluar në atë masë, sa që është vështirë që proceset politike të kthehen në binarë të rregullt, nëse nuk ndodh ndonjë ndryshim. Këto ndryshime mund të ndodhin qoftë përmes ri-legjitimimit të koalicionit aktual qeverisës apo përmes ndryshimit të konstalacionit të forcave politike në Kuvendin e Kosovës, duke ua lënë qytetarëve që ta thonë fjalën e vet, që ta bëjnë të ditur qëndrimin e vet mbi gjitha këto, përmes një procesi zgjedhor parlamentare dhe presidencial”, thotë Qirezi.

Ai shpjegon se nuk ka arsye që të mos ndryshohet mënyra e zgjedhjes së Presidentit sepse pikërisht kjo ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet të dy partive të koalicionit qeverisës dhe njëherësh dy partive më të mëdha në vend, do të thotë, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Amandamenti i cili ka dal nga kjo marrëveshje e koalicionit e ka marr dritën e gjelbër të Gjykatës Kushtetuese e cila ka marr vendim se, zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit nuk i rrezikon komunitetet pakica në Kosovë

“Në bazë të deklaratave të partive opozitare shihet se edhe ato janë të mendimit se kjo do të ishte mënyra më e mirë e zgjedhjes së presidentit, për më tepër, unë konsideroj se zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do të siguronte një stabilitet më të madh institucional dhe do t’ia siguronte Kosovës një president i cili vërtet do të luante rolin e një figure unifikuese në skenën politike dhe shoqërore të Kosovës” thekson Qirezi.

Për dallim nga ai, Krasniqi konsideron se edhe po që se Presidenti të zgjidhej në mënyrë direkte përmes votave të popullit dhe jo sikurse tash, nga ana e deputetëve të Kuvendit, vështirë se do të mund të gjendej një figurë e cila do të ishte faktor i unitetit i të gjithë qytetarëve dhe nuk do të ishte pjesëtarë i ndonjë partie.

“Kandidati i cili i siguron 80 vota nuk mund të kontestohet, por është me rëndësi që procedura ta ketë konsensusin nga të gjitha palët. Kemi rastin e presidentes Jahjaga ku, vet mënyra e negocimit të zgjidhjes e ka vë në pyetje tërë mandatin e saj pesë vjeçar. Edhe nëse një president zgjidhet në kushte të tilla të vështirësuara, atëherë përsëri do të kishim pranimin nga ana e qytetarëve dhe subjekteve politike, në përgjithësi”, thotë Krasniqi.

Lidhur me zgjedhjet e parakohshme të cila po përfliten shumë kohëve të fundit, profesori Qirezi thotë se, bashkësia ndërkombëtare ka shprehur rezervë të madhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, gjë e cila lidhet me shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova, sikurse janë bisedimet me Serbinë në Bruksel, marrëveshjet e arritura dhe zbatimi i tyre, si dhe Gjykata Speciale për krime të luftës.

Megjithatë, sipas tij, këto qëndrime nuk janë statike dhe mund të ndryshojnë varësisht nga situata në terren.
“E dimë se opozita ka paralajmëruar protestën mbarëpopullore dhe duke marr parasysh protestën e fundit, mendoj se një numër i madh qytetarëve mund t’i bashkohet opozitës dhe kjo mund të ndikoj në ndryshimin e qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare”, përfundon Qirezi.

Gjithashtu lexo

Një polic turk është vrarë nga luftëtari i SHI-së në stacionin policor në Stamboll

Një polic turk mbrëmë është goditur me thikë për vdekje në stacionin policor në Stamboll …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *