Home / Kryesoret / Dimrin e përballojnë, por skamjen vështirë

Dimrin e përballojnë, por skamjen vështirë

Ata janë punëtorë krahu. Dalin që në 7 të mëngjesit dhe qëndrojnë poshtë urës, skaj trotuarit, me orë të gjata. Kur nuk gjejnë punë kthehen në shtëpi. Më të rinjtë kthehen më herët, kurse më të vjetërit qëndrojnë më gjatë, me shpresë se nuk do të kthehen në shtëpi duarbosh

Delvina KËRLUKU

Mbi 40 punëtorë krahu qëndrojnë për çdo ditë në tregun e Bit Pazarit. Janë punëtorë krahu. Dalin që në 7 të mëngjesit dhe qëndrojnë poshtë urës, skaj trotuarit, me orë të gjata. Kur nuk gjejnë punë kthehen në shtëpi, ndonjë herë edhe me perëndimin e diellit, sepse gjatë gjithë kohës i mban shpresa se ndoshta dikush do të ketë nevojë për ta. Më të rinjtë kthehen më herët te familjet e tyre, ndërsa më të vjetërit qëndrojnë më gjatë.

Bajram Thaçi është 61 vjeçar, Ali Krasniqi 67 vjeçar, Hisen Bajrami 48 vjeçar, Idriz Jashari 55 vjeçar, Hikmet Nuhiju 58 vjeçar. Më i riu është Memet Bakija, 43 vjeçar. Çdo ditë bëjnë të njëjtin veprim: zgjohen, dalin te ura dhe presin. Njëri nga Dizhoni, tjetri nga Vizbegu, nga Fushë Topana, Shuto Orizare, etj, për të fituar e për të siguruar bukë familjarëve. Ndonëse vera është më e përshtatshme për këta punëtorë, ata detyrohen të qëndrojnë gjatë në trotuarin e ftohtë. Ata nuk kanë rrugë tjetër dhe dalin edhe në ditët e ftohta të dimrit. Stina e dimrit nuk u jep shpresë, as punë, as bukë. “Dal që në 7 të mëngjesit dhe qëndroj deri në ora 4 pasdite. Me gjet punë pasdite është rast i rrallë. Çdo ditë vij këtu, sepse nuk kam mundësi në tjetër vend. Kam trokitur në shumë dyer, por kush na merr në të moshuarve. Jam penduar që jam kthyer nga Evropa. Në vitin 1991, ika azilant, në Hanover të Gjermanisë, punoja dhe fitoja, por këtu është “tmerr”. Një herë në jave mezi gjejmë një punë. Jemi 4 anëtarë në familje, pa të ardhura”, thotë Idriz Jashari. Ata kanë familje, fëmijë, që mezi i ushqejnë dhe i shkollojnë. “Populli shqiptar është i vobektë dhe me këtë skamje është duke vdek. Kam tre fëmijë, 3 djem, dy kanë mbaruar shkollën e mesme, njëri ka përfunduar tetëvjeçaren, asnjëri në punë. Kam dal në treg të fitoj, duke punuar punëtor krahu, por këtu jo vetëm që nuk ka punë, nuk ka as mëshirë. Kam punuar në fabrikën “Granit”, pesëmbëdhjetë vite, por tani nuk ekziston as firma, as ne nuk na u gjet çare”, thotë Hisen Bajrami. Ankesat e tyre për jetë të vështirë janë drejtuar në institucione, media, por askush nuk i ka marrë parasysh. Prandaj janë detyruar të dalin për të fituar nëse mund të fitojnë. “Ankesa kemi dërguar plot, por askush nuk na merr përsipër, punë hiq. Kjo gjendje nuk ka qenë kurrë. Ne në moshë të thyer duam të punojmë që të jetojmë. Rinia nuk ka shpresë më. Djemtë e ri ikin. Prindërit pleq qëndrojnë vetë në shtëpi, pa pension”, thotë Hikmet Nuhiju.

Aliu punon punëtor krahu që në vitin 1971. Vjen nga Dizhoni për të gjetur punë. Ai thotë se jeta e vështirë e detyron të del për çdo ditë në treg e të kërkojë punojë, por nuk gjen punë. “Nuk ka punë, nuk ka kushte, jam dyzet e gjashtë vjet në rrugë. Kam tre djem dhe një vajzë. Gjendja jonë është e vështirë. Shkruajeni këtë me shkronja të mëdha”, thotë me pezëm Ali Krasniqi.

Të 11 punëtorët që i takuam të hënën, për t’i harruar hallet qeshin me njëri tjetrin. Ky është gëzimi i vetëm i këtyre burrave që jetojnë në mjerim. Bajrami jeton në Shuto Orizare dhe thotë se është e papërballueshme edhe ndihma sociale që na ofrojnë. ” Jemi pesë anëtarë në familje, kurse ndihma sociale është 2.000 denarë. Kam punuar 18 vite në hekuranë, ishin kohë të mira. Me një rrogë jetonim shtatë anëtarë”, thotë Bajram Thaçi.

Punëtorët e Bit Pazarit njëzëri kërkojnë që të paktën një anëtar nga familjet e tyre të punësohet, për të mbajtur pesë anëtarë të tjerë. Gjatë sezonit të dimrit ata thonë se mund të kërkohen për punë 6 deri 7 herë, por gjatë tridhjetë ditë të muajit ndodh që të mos kenë fat.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *