Home / Kryesoret / Eurodeputetët kërkojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinos

Eurodeputetët kërkojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinos

Eurodeputetët Ivo Vajgël, Richard Howitt dhe Eduard Kukan, të cilët prej mbrëmë ndodhen për vizitë në Republikën e Maqedonisë, pas takimit me anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dhe me prokuroren speciale, në deklaratën e përbashkët apeluan deri tek partitë politike në vend që me shpejtësi t’i zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura të Marrëveshjes së Përzhinos

Eurodeputetët kërkojnë përkushtim të plotë të të gjitha palëve në zgjidhjen e çështjeve të mbetura të marrëveshjes, e cila siç theksojnë, është në një gjendje kritike. Theks të veçantë, eurodeputetët vendosën në përgatitjen e regjistrit të votuesve, si dhe në ndërmarrjen e hapave për rritjen e lirisë së medias.

Eurodeputetët deklaruan se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinos është mënyra e vetme për të përmbushur aspiratat demokratike të qytetarëve të saj, si dhe për mbajtjen e një rekomandimi pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke siguruar integrimin euro-atalantik dhe një perspektivë evropiane.

“Duam t’i themi Republikës së Maqedonisë se ne kujdesemi për këtë vend. Mendojmë se ky është një vend i rëndësishëm në gjeopolitikën evropiane dhe kjo është një nga arsyet pse ne jemi të interesuar për të realizuar të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, tha eurodeputeti Vajgël, duke u bërë thirrje që qytetarët e Maqedonisë të besojnë në këtë zgjedhje, e cila është në interes të vendit.

“Ne ofrojmë shërbimet tona për të ndihmuar vendin të tejkalojë këtë krizë politike, e cila është aktuale për një kohë të gjatë, si dhe për të ndihmuar të përparojë në rrugën e saj, në mbushjen e ambicieve evropiane. Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinos do të ndihmojë në përparimin e vendit drejt rrugës saj evropiane”, tha eurodeputeti Kukan.

“E vetmja mënyrë për të ardhmen e vendit është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinos. Ajo nuk është zbatuar e tëra, por duhet të zbatohet, e cila përfshin dorëheqjen e kryeministrit dhe reformat strukturore, si pjesë të tjera të marrëveshjes”, tha eurodeputeti Richard Howitt.

Ndryshe, të premten në Shkup vjen Eurokomisari për negociata dhe zgjerim, Johannes Hahn, me qëllim që të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes, qëllimi përfundimtar i të cilës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill të këtij viti. Vizita e Hahn pritet të përkojë me zgjedhjen e qeverisë teknike dhe të kryeministrit të ri të përkohshëm, me detyrë të vetme për zbatimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *