Home / Kryesoret / Kosovë: Opozita bën thirrje për protesta, qeveria kërkon dialog në kuvend

Kosovë: Opozita bën thirrje për protesta, qeveria kërkon dialog në kuvend

Partitë opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e përpjekjeve dhe aktiviteteve në kundërshtim të politikave që po udhëheqë qeveria e koalicionit të dy partive më të mëdha në Kosovë.

Përfaqësues të tri partive opozitare, Driton Çaushi nga Lëvizja Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Valdete Bajrami nga Nisma kanë konfirmuar se më 9 janar, opozita do të thërrasë një protestë në Prishtinë, në të cilën do të kërkohet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, andaj opozita kërkon që ajo të anulohet.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi ka thënë se protestat do të vazhdojnë, njësoj siç u protestua gjatë katër muajve të fundit, në përpjekje të bllokimit të zbatimit të marrëveshjeve, të cilat, sipas tij, janë të dëmshme për Kosovën. Protesta e 9 janarit, ka theksuar ai, do të jetë paqësore.

Me qëndrime identike janë paraqitur edhe dy partitë tjera opozitare. Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi.

“Pavarësisht se çfarë forma të represionit do të përdorin ndaj opozitës, ne nuk do të ndalemi. Do të vazhdojmë të jemi kundër marrëveshjeve, do të kërkojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ky vendim duhet të vlejë për të gjithë dhe duhet të zbatohet”, ka theksuar Donika Kadaj Bujupi.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa paraprakisht kishte deklaruar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me parimet e marrëveshjes për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, nuk e pamundëson themelimin e këtij trupi.

Mustafa është zotuar se vendimi i Kushtetueses do të respektohet dhe zbatohet në kuadër të statutit dhe se vet dekreti i themelimit të Asociacionit do të vlerësohet nga Kushtetuesja.

Ndërkaq, në lidhje me vazhdimin e përplasjeve ndërmjet pushtetit dhe opozitës dhe protestës së paralajmëruar për 9 janar, Mustafa ka thënë se pret që qytetarët të rrinë anash dhe të mos bëhen pjesë e skenarëve politik.

“Përmes protestave është parë që opozita nuk e ka përkrahjen, sepse në të gjitha tubimet që janë bërë deri më tani ka qenë një numër i kufizuar i qytetarëve. Unë pres që kështu do të jetë edhe më 9 janar. Por, ajo që unë do ta parapëlqeja më shumë është që ta ndërrojmë këtë metodë të shprehjes së pakënaqësive dhe këtë ta bëjmë në Kuvend, përmes dialogut dhe argumentimit të gjitha çështjeve”, ka deklaruar Mustafa.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *