Home / Kryesoret / Kuvendi dhe AKP të vendosur ta luftojnë uzurpimin e pronës publike
PRISHTINË (AA) – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka pritur në takim udhëheqësit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), Petrit Gashin, kryesuesin e sapoemëruar në Bordit të Drejtorëve të AKP-së dhe Avni Jasharin, ushtruesin e detyrës së zëvendës/drejtorit menaxhues të AKP-së, me të cilët biseduan mbi transparencën e punës së këtij institucioni, çështjen e privatizimit, uzurpimin e pronave publike, si dhe të ardhmen e Kombinatit Trepça. ( Erkin Keçi - Anadolu Ajansı )

Kuvendi dhe AKP të vendosur ta luftojnë uzurpimin e pronës publike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka pritur në takim udhëheqësit nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), Petrit Gashin, kryesuesin e sapoemëruar në Bordit të Drejtorëve të AKP-së dhe Avni Jasharin, ushtruesin e detyrës së zëvendës/drejtorit menaxhues të AKP-së, me të cilët biseduan mbi transparencën e punës së këtij institucioni, çështjen e privatizimit, uzurpimin e pronave publike, si dhe të ardhmen e Kombinatit Trepça, raporton Anadolu Agency (AA).

Petrit Gashi, kryesues i sapoemëruar i Bordit të Drejtorëve deklaroi se orientimet e udhëheqësve të ri të AKP-së dhe të kryeparlamentarit Veseli lidhur me punën e Agjencisë janë identike, në veçanti lidhur me nevojën për rritjen e transparencës së punës së këtij institucioni dhe mënyrën e privatizimit të pronave publike, çështje këto që në të kaluarën kanë qenë shumë të kritikuara.

“Jemi shumë të interesuar që të dinamizojmë pjesën e privatizimit. Kjo kërkon njëfarë rishikimi pastaj edhe një rritje të intensitetit, sa i përket mandatit edhe të punëve që i kemi në Agjenci. Kemi punë shumë sa i përket shitjeve, likuidimit, 20 përqind të punëtorëve (pjesa e cila iu takon punëtorëve nga shitja e ndërmarrjeve publike) dhe punë tjera”, tha Gashi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli lavdëroi Bordin e ri të AKP-së për fillimin e mbarë të punës, duke e përdorur thënien popullore se “dita e mirë shihet në mëngjes” dhe i dha përkrahje të plotë lidhur me lirimin e pronave publike në Kosovë, nga ata që e kanë uzurpuar.

“E kemi një zotim të përbashkët, që shumë shpejt, qoftë në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës qoftë në faqen zyrtare të AKP do t’i kemi gjithë listat dhe emrat e të gjithë atyre njerëzve që 16 vite kanë uzurpuar pronat publike dhe pronat shoqërore në Kosovë. Edhe një herë thërrasim të gjithë uzurpatorët që sa më shpejt të largohen nga pronat shoqërore dhe pronat publike. Njëkohësisht i thërrasim edhe organet gjyqësore që të veprojnë, për arsye se atë detyrë e kanë”, deklaroi Veseli.

Ai shtoi se pas konsultimit me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave personale, nëse ka pajtueshmëri dhe nuk bëhet shkelje ligjore, Kuvendi dhe AKP do të bëjnë transparente dhe do të publikojnë edhe të gjitha emrat e atyre që kanë privatizuar pronat shoqërore, pas luftës, si dhe mënyrën se si i kanë privatizuar ato.

Avni Jashari, u.d. zëvendës/drejtori menaxhues i AKP-së theksoi se të gjithë uzurpatorëve në Kosovë u është dhënë afati deri në fund të marsit 2016 që të lirojnë pronat shoqërore.

Ai shtoi se, pikërisht sot, me ndihmën e policisë së Kosovës, në qendër të Prishtinës është duke u ekzekutuar lirimin e një prone publike të uzurpuar, numri i të cilave në mbarë Kosovën shkon me qindra sosh.

“Kanë qenë deri në nëntor të vitit 2014, kanë qenë deri në 600 asete të shfrytëzuara apo uzurpuara. Asete të uzurpuara janë ato asete që ndërmarrjet e ndryshme private i shfrytëzojnë edhe nuk e njohin autoritetin administrativ të agjencisë”, tha Jashari.

Sipas tij, aktualisht janë edhe 215 asete publike që janë duke u shfrytëzuar pa kontratë dhe se, sipas planit operativ, ato do të trajtohen deri në mars 2016, por për një pjesë të tyre, Jashari tha se janë në procese gjyqësore, kurse një pjesë tjetër shfrytëzohet nga raste sociale, për shqyrtimin e të cilave AKP do të bisedoj me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe do të vërtetoj nëse ato raste me të vërtet janë raste sociale.

Nëse pohimet e tyre vërtetohen, atëherë për zgjidhjen e problemit social dhe kompensimin e tyre, AKP do të diskutoj edhe me institucionet tjera të Kosovës.
Sa i përket procesit të privatizimit, kryeparlamentari Veseli deklaroi se palët janë pajtuar që procesi ka qenë pozitiv dhe i pashmangshëm, por në të ardhmen duhet të diskutohet mënyra e privatizimit dhe sipas tij, duhet të përkrahet privatizimi i kompanive publike që do të nxisin rritjen e sektorit të prodhimtarisë në Kosovë, për të krijuar vende të reja të punës.

Sipas informatave të AKP-së, shumica e blerësve gjatë privatizimit janë qytetarët e Kosovës nga diaspora, që për kryeparlamentarin Veseli paraqesin potencial të fuqishëm ekonomik i cili mund të përdoret në mënyrë edhe më efektive.

Për këtë Veseli u shpreh se investitorët e huaj, por edhe ata vendor, duhet të stimulohen përmes zonave të lira ekonomike.

“Duhet të krijomë urgjent, katër zona ekonomike në Kosovë ku, investitorëve të huaj dhe vendor do t’iu krijonte mundësi që edhe me 1 euro të investojnë në Kosovë. Do t’i bëjmë të gjitha ndryshimet e legjislacionit të cilat janë të domosdoshme të tërheqim investitorët, në radh të parë disporën tonë pastaj edhe ata të huaj”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Në këtë takim është biseduar edhe çështja e Trepçës, për çka Kadri Veseli tha se, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Komisioni ndërqeveritar janë duke punuar në projektin e të ardhmes së Trepçës dhe se, shumë shpejt, do të dalin me propozime konkrete për perspektiven ekonomike e Trepçës e cila do të bazohet në Ligjin për Trepçën i cili do të hartohet dhe miratohet shpejtë.

“Trepça do të ketë perspektiv, Trepça është aset ekonomik i Koosvës dhe nuk do të jetë vetëm krenari historike e Kosovës. Minatorëve të cilët jetojnë me shpirtë aty ju porosisë se: asnjë gurë i Kosovës nuk do të privatizohet! Veprimtari ekonomike do t’i nënshtrohet rregullave të ekonomisë së lirë të tregut por asetet që kanë të bëjnë me miniera, asnjë nuk do të privatizohet”, tha Veseli duke shtuar se në të ardhmen planifikohet hapja e vendeve të reja të punës, modernizimi i teknologjisë së prodhimit dhe modernizimi i eksploatimit të mineraleve të Trepçës.

Kreu i Kuvendit bëri të ditur se AKP-ja është zotuar që shumë shpejtë do të publikoj të gjitha asetet dhe pronat e Republikës së Kosovës që gjenden janë Kosovës dhe institucionet kosovare nuk kanë qasje në to.

Në pyetjen lidhur me krizën aktuale politike, Veseli u përgjigj se “varfëria krijon krizë politike dhe asgjë tjetër, ndërsa krizat aktuale janë artificiale dhe se shfaqja e patriotizmit të madh përmes valëvitjes së flamurit, në shekullin 21, është diçka që nuk shkon”.

Duke kritikuar opozitën për veprimet e saj, ai porositi se, sot duhet të punohet me axhendë ekonomike, Kosova duhet të orientohet kah zhvillimi ekonomik, respektimi i institucioneve, partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) sepse, sipas Veselit, këtë e presin qytetarët nga udhëheqësit institucional.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *