Home / Kryesoret / Një mal me dhimbje

Një mal me dhimbje

Nga Urim Hasipi 

Rinori ende nuk i ka mbushur pesë vjet, por që pesë muaj rritet pa vëlla e motër. Para pesë muajve ai humbi motrën Rinën 6 vjeçare dhe Ritonin tre vjeçar. Rinori vazhdon të luajë me lodrat e tij fëmijërore, pa e ditur se fare lehtë edhe ia mund të kishte një fat tragjik si vëllau dhe motra e tij. Ky është fati i familjes Ahmeti nga fshati Shipkovicë i Komunës së Tetovës, e cila deri para pesë muajve jetonte në harmoni të plotë, me nipa e mbesa dhe me hallet e përditshme që sjell jeta. Nga ajo ditë e kobshme jeta tashmë nuk është si më parë, gjithçka ka ndryshuar. Më shumë vaj e lot, se sa gëzim, më shumë vuajtje e pikëllim, se sa harmoni familjare. Tashmë zymtia nga mungesa e djalit dhe vajzës, është e pranishme te secili anëtarë i familjes. Kanë kaluar muaj të tërë dhe mungesa bëhet më e pranishme dhe padurueshme. Afrimi dhe Sheruzja e kanë më vështirë që të përballojnë këtë dhimbje dhe mungesën e tyre. Ata pothuajse janë pajtuar me realitetin se duhet që jetën ta vazhdojnë pa dy fëmijët e tyre. Shpresat se oxhaku nuk do të fiket i kanë te Rinori i vogël. Ata, Ritonin dhe Rinën i kishin rritur me shumë mundime, por me plotë ëndrra dhe shpresa për të ardhmen. Të gjitha këto u shuan përnjëherë, kur vërshimet katastrofale përfshinë edhe shtëpinë e tyre në lagjen sipër Xhamisë së fshatit. Tashmë kjo familje jeton jo më larg se 200 metra nga shtëpia e tyre e cila është e pabanueshme. Në këtë vazhdojnë jetën, por me dhimbjen e asaj dite që s`do ta harrojnë asnjëherë. Në shtëpinë ku qëndrojnë aktualisht, në derë na pret plaku i familjes, 64 vjeçari Medi Ahmeti. Ai ka barrën më të rëndë në këtë familje, sepse duhet që të ngushëllojë çdo ditë anëtarët e familjes. Tmerri që përjetoi kjo familje, e ka bërë ende më të fortë plakun Medi, i cili së bashku me anëtarët tjerë ende i ka të freskëta skenat e pasdites së tre gushtit. Madje, ai ishte i pari që u përball me trupin e pajetë të Rinës gjashtë vjeçare nën gërmadhat e shtëpisë së fqinjit pas tetë ditësh kërkimesh. Përjetimet e tij dhe të anëtarëve të tjerë të familjes janë përplot me tragjedi dhe dhimbje. Sheruze Ahmeti, e ka më vështirë prej të gjithëve. Çdo e dyta fjalë është e mbushur me lot dhe pikëllim. Për një çast stuhia e tmerrshme i mori nga duart e saj dy fëmijët. Më e dhimbshme është se Ritoni ndërroi jetë në duart e saj, kurse Rinën e rrëmbeu stuhia e ujit nga duart e saj.

“Kanë qenë jashtë në oborr duke luajtur fëmijët. Kur kemi parë se ka filluar të bjerë shi i kam marrë fëmijët brenda. Të tre fëmijët i kam pasur me vete, së bashku edhe me anëtarë të tjerë të familjes kemi qëndruar poshtë, por ka filluar të hyjë brenda uji me shpejtësi dhe jemi ngjitur edhe një kat më lartë, por edhe aty s’kemi qenë të sigurt, sepse shtëpia gjithnjë mbushej me rërë e ujë. Gjatë gjithë kohës i kam mbajtur afër tre fëmijët, por fuqia e madhe i ka tërhequr dhe i ka nxjerrë jashtë në oborr. Mezi e kam marrë sërish Ritonin, por kishte ndërruar jetë, kurse Rinën e mori uji…”, tregon Sheruzja, të cilën e tradhtojnë lotët, duke rrëfyer se djali kishte ndërruar jetë në duart e saj. Ajo që e kishte përjetuar nga afër tërë këtë ngjarje është plaka Rexhije Ahmeti, e cila në atë moment kishte qenë në oborr dhe kishte tentuar të rregullojë derën e vogël që të mos depërtojë uji në shtëpi, por më kot. “Më mirë të më kishte marrë me vete uji mua se sa fëmijët, por kishte qenë e shkruar që ata t’i merr e jo neve të rriturve. Për ne nuk ka jetë, prej asaj dite përfundoi jeta jonë”, thotë plaka e shtëpisë, Rexhija. E tërë kjo katrahurë dhe tmerr kishte ndodhur për pak kohë, kurse plaku Mediu kishte qenë në punë dhe kishte arritur me vonesë. “Kur kam arritur poshtë te xhamia, kanë tentuar që të më ndalojnë mos hyjë te shtëpitë. Atëherë e kuptova se diçka e madhe ka ndodhur. Thash me vete, e paskam humbur krejt familjen dhe do të shkoj edhe unë të humbëm, sepse çka më duhet jeta pa ata. Kur kam arritur të parin që kam parë, ka qenë Rinori dhe më është kthyer jeta, por më pas kam parë Ritonin e vdekur dhe kuptova se edhe Rina nuk është. Tërë shtëpinë e kishte mbuluar zia dhe tmerri. Prej aty na kanë dërguar në shtëpinë e të afërmeve poshtë fshatit, bashkë me trupin e pajetë të Ritonit”, thotë axha Medi. Ai tërë natën e kishte kaluar pa gjumë deri në mëngjes. Na tregon se natën e parë e kishte kaluar pa rrymë bashkë me anëtarët tjerë të familjes ku edhe ishte trupi i pajetë i nipit, Ritonit. “Në fshat flitej se do të vjen edhe kryeministri Gruevski. Dikush kah mesi i natës na lajmëroi se do të vjen për ngushëllime. Ishte në shoqëri edhe të disa ministrave tjerë, qëndroi diku rreth 20 minuta në shtëpi, duke na dhënë ngushëllime dhe më pas u largua. Në bisedë e sipër na premtoi se të gjitha dëmet që janë shkaktuar do të kompensohen”, tregon ai. Por, tragjedia në këtë familje nuk kishte përfunduar. Tashmë sytë ishin te gërmadhat dhe rrënojat e shtëpive ku ishte zhdukur Rina, vajza e kësaj familje. Anëtarët e kësaj familje tregojnë se tetë ditët e kërkimit të trupit të pajetë të vajzës, kishin qenë më të vështirat dhe më të rëndët. “Ato ditët që e kërkonim Rinën bashkë me bashkëfshatarët, me ushtarët, me të burgosurit, kanë qenë më të rëndat në jetën time. Tetë ditë zi dhe lot, përjetime që nuk do të harrohen kurrë. Në ditët e fundit i kishim humbur shpresat. Mendoja se trupin e kanë marrë vërshimet dhe e kanë dërguar poshtë dhe s’do ta gjejmë asnjëherë. Kjo ishte edhe më e rëndë, sepse nuk kishin rehati. Ditën e tetë të kërkimeve, ka ardhur një oficer dhe më ka thënë se kemi gjetur diçka, por nuk jemi të sigurt. Presim mjekësinë ligjore. Unë menjëherë kam dashur që të shkoj, por më ndaloi dhe atëherë i kamë thënë se jam i fortë dhe do ta përballoj. Kemi hyrë brenda në atë shtëpi ku nuk banonte askush viteve të fundit. Jam habitur se si ka mundur të depërtojë në atë vend trupi kur dyert dhe dritaret kanë qenë të mbyllura. Kjo nuk ka asnjë shpjegim. Bashkë me oficerin e ushtrisë kemi hyrë brenda dhe e kam njohur Rinën dhe i kam thënë se është ajo. Ai më pyeti se a jam i sigurt dhe nga e njeh që është ajo, i thash se e njoh për flokët dhe kam dalë jashtë. Vërtetë ishte rëndë dhe plot dhimbje, por pasi e gjetëm disi u qetësuam pak”, rrëfen plaku Mediu.

Pothuajse e molisur dhe e rënduar nga fatkeqësia, Sheruzja ka qenë ajo që e ka përjetuar më rëndë atë javë derisa u gjet vajza. Por, kjo pritje nuk ishte e lehtë as për nënën e Rinës. Ajo plot tetë ditë kishte jetuar bashkë me Afrimin në ankth dhe tmerr. “Nuk ka pasur moment që nuk i kam thënë bashkëshortit se të paktën edhe një pjesë të trupit t`i gjendet, do ta kem më të lehtë dhimbjen. Ato ditë ishin të gjata dhe përplot ankth. Nuk është e lehtë dhe nuk i ndodh çdo kujt të humb dy fëmijë menjëherë”, thotë ajo. Tashmë familja Ahmeti në ditën e tetë pas tragjedisë priste e përcillte mysafirë për ngushëllime nga çdo anë. Bashkë me ata e ndanë dhimbjen edhe bashkëfshatarët si dhe mbarë popullata që kishte dëgjuar për këtë rast tragjik dhe të dhimbshëm. “Nuk është njëjtë si më parë dhe nuk do të jetë. Dhimbja është e madhe, sepse ata ishin fëmijë. Ditët më shumë i kalojmë në lot dhe vajtim. Për ne ky ishte fundi i botës dhe e pamë me sy tmerrin që nuk ia duam askujt ta përjetojë”, thotë Rexhija, plaka e shtëpisë. Të gjithë këta pjesëtarë të kësaj familje bujare e cila humbi dy fëmijë, sytë i kanë te Rinori i vogël, i cili rritet tashmë i vetëm pa motrën dhe vëllain. U deshën vetëm disa minuta në atë pasditen e tmerrshme të 3 gushtit, që kjo familje të tronditet nga fatkeqësia që kaploi këtë fshat malor. Në këto ditë dimri kjo familje ka gjetur strehim tek një shtëpi, por kujtimet dhe mendja janë te shtëpia ku jetonin, aty ku ndodhi tragjedia, aty ku kishin jetuar të gjithë, ku nuk mungonte asnjë anëtarë i familjes. “Falënderojmë të gjithë që na kanë ndihmuar deri më tash, organizatat e ndryshme humanitare, komunat në përgjithësi, donatorët, Kryqin e Kuq, të gjithë ata që u solidarizuan me ne në ato ditë të vështira. Kemi marrë ato 500 euro që i premtoi Qeveria dhe 740 euro të tjera na thanë se janë të Ministrisë së Financave. Po ashtu na kanë dhënë shumë ndihma edhe individë anonim që nuk kanë dashur të tregojnë se nga vijnë”, shprehet ai.

Vërshimet në fshatin Shipkovicë nuk ishin hera e parë që kishin ndodhur. Sipas Medi Ahmetit, në vitin 1932 kishte pasur vërshime të tmerrshme ku kishte pasur edhe një viktimë. Ai tregon se lagjja ku ndodhi tragjedia, gjithmonë ka qenë në rrezik prej vitesh nga vërshimet. “Babai më pati thënë se kur të kesh mundësi largohu nga ky vend se nuk është i sigurt. Gjithnjë në vjeshtë dhe pranverë vendosnim mburoja prej druri që në rast vërshimesh të jemi më të sigurt. Lart ndodhen disa basene që ishin formuar vetvetiu, dhe aty derdhej uji nga reshjet në bjeshkë. Ato basene kohë pas kohe janë mbushur me dru, gur dhe rërë. Kanë qenë si diga mbrojtje për fshatin, sepse uji aty është grumbulluar. Kësaj radhe janë mbushur shumë dhe kanë shpërthyer në drejtim të përroit të lagjes sonë dhe prandaj ka ndodhur gjithë ky tmerr. Nëse përroi nuk rregullohet si duhet, ne nuk do të shkojmë në atë lagje, sepse frika ende ekziston dhe rreziku është i pranishëm gjithnjë për vërshime të reja”, përfundon tregimin Mediu.

Ndonëse të mbuluar në zi nga fatkeqësia, në oborrin e kësaj shtëpie dëgjohet zëri i Rinorit të vogël, ai i cili shpëtoi nga vdekja e sigurt. Rinori është fëmija më i vogël dhe i vetmi i Afrimit dhe Sheruzes, por ai ka vëmendjen e tërë familjes dhe sytë janë të drejtuar tek ai, ndoshta sepse është kujtimi edhe për dy fëmijët tjerë që nuk ndodhen në mesin e tyre. Ata që u larguan shumë herët nga kjo botë. Në këto ditë dimri të acarta, banorët e Shipkovicës mundohen të harrojnë tmerrin që përjetuan ditën e hënë të tre gushtit, kur brenda 20 minutave jetën e humbën katër persona nga vërshimet në një lagje. Banorët tashmë i janë kthyer përditshmërisë së tyre, duke rikujtuar ngjarjet tragjike të asaj dite dhe kanë shpresë se tmerri i tillë nuk do të përsëritet asnjëherë. Ata tashmë i janë kthyer përditshmërisë dhe tentojnë që të kthejnë jetën në normalitet, por pa katër bashkëfshatarët e tyre. Ndryshe, fshati Shipkovicë ndodhet përgjatë rrugës Tetovë – Kodra e Diellit, ku përmes kalon rruga për në fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Ndodhet në një lartësi mbidetare prej 900 deri 1100 metra. Ky fshat ka mbi 4000 banorë, e cila merret me bujqësi, tregti dhe një pjesë e konsiderueshme gjendet në vende të mërgim. Ky fshat tashmë jeton me shpresën se shteti një ditë do të përmbush premtimin e dhënë se do të rindërtojë gjithçka që u rrënua në atë kohë.KOHA

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *