Home / Kryesoret / Nuk arrihet marrëveshje për datën e zgjedhjeve

Nuk arrihet marrëveshje për datën e zgjedhjeve

Dita e gjatë e negociatave dhe vizita e komisionarit Johanes Han, që në dukje ishte i prerë për të arritur pajtim mes partive politike, dështoi plotësisht! Palët nuk lëshuan pe lidhur me datën e mbajtjes së zgjedhjeve. LSDM-ja kërkonte përmbushjen për kushtet e tyre, ndërsa 3 partitë e tjera, VMRO e BDI në pushtet si dhe PDSH theksonin se marrëveshjet e mëparshme të qershor/korrikut të Përzhinës përmbanin datën 24 prill për zgjedhje dhe ajo duhej respektuar.

Kreu i LSDM-së, Zaev theksoi se zgjedhjet mbeten të papranueshme për opozitën maqedonase pa rregullimin e gjendjes së mediave dhe mbi të gjitha, pastrimin e listës zgjedhore. “Nëse zgjedhje të tilla, pa këto kushte, mbahen më 24 prill, ne nuk do të marrim pjesë. Përkundrazi, do të vazhdojmë të luftojmë për kushte korrekte për mbajtje zgjedhjesh. Do vazhdojmë të luftojmë për një Maqedoni të lirë. Negociatat dështuan, nesër do njiheni me detajet!”- theksoi Zaev!

Ndërsa kreu i VMRO-së Gruevski ia faturoi fajin e dështimit të bisedimeve, vetëm Zaevit. “Komisionari Han na tha se kishte marrë garanci nga kryetari i KSHZ-së se janë krijuar kushte dhe se nuk ka asnjë pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa informacione të njëjta kishte marrë edhe nga misioni i OSBE-ODIHR… se nuk ka pengesa… Ka kohë që të përgatitet gjithçka që zgjedhjet të mbahen në 24 prill. Vetëm një njeri angazhohet që të vazhdojë ta thellojë krizën politike me sjelljen e tij, – theksoi Gruevski.

Edhe kreu i BDI-së theksoi se partia e tij kërkoi respektimin e marrëveshjes së qershor/korrikut. “Kërkova të respektohen arritjet e deritanishme të saj, të vihen interesat e shtetit mbi ato partiake… sigurisht që të gjitha palët kishin dallimet e tyre, nuk arritëm për fat të keq të pajtohemi me datën e zgjedhjeve.. tre parti politike ranë dakord për respektimin e plotë të saj, por njëra nga partitë, jo. Në ditët në vazhdim do të tentohet të arrihet pajtueshmëri. Duhet të veprojmë të gjithë së bashku, të vëmë interesat e shtetit me ato partiake dhe të bëjmë përpjekje për një zgjidhje konsensuale. Pres që në ditët në vijim, palët të reflektojnë dhe të marrin angazhime e përgjegjësi, – theksoi Ahmeti.

Ndërkaq, kreu i PDSH-së që doli i pari nga takimi nuk dha asnjë deklaratë.

Në fund të takimit doli edhe vetë komisionari Han, i cili në tone nervozizmi, theksoi se tani, fati i Maqedonisë varet më së shumti nga vetë liderët e vendit. Ai tha se kur të arrihet pajtimi, BE-ja është e gatshme të mobilizojë ndihmën dhe institucionet e saj për monitorim të zgjedhjeve.

“Tani le të vendosin vetë palët, të merren vesh dhe t’i japin fund krizës”- ka theksuar i nervozuar komisionari Han. “Vendi është në një situatë shumë të vështirë. Nuk duhet të mos harrojmë krizën e emigrantëve që po përjeton Evropa, dhe kjo mund të ndikojë akoma më shumë në vendin tuaj. Unë besoj se elita politike, parlamenti dhe çdo institucion tjetër, duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë kësaj situate. Nuk është vetëm kjo, por edhe kriza ekonomike, perspektiva euro-atlantike! Vendimmarrja tani është më e rëndësishme se kurrë. Duhet të arrihet një pajtim politik. tre parti politike iu përmbajtën datës 24 prill, por tani, palët duhet të merren vesh! Sot ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje,-  theksoi Han duke shtuar se tashmë, ka lënë Vonhojten të ndihmojë me lehtësimin dhe negociimin e ri të situatës, veçanërisht të bisedimeve për median.

Pas takimeve që nisën së pari veç e veç me liderët që në orën 10:00 të paradites, dhe pastaj takimit të përbashkët në orën 15:30, gati 14 orët e negociatave nuk dhanë asnjë fryt, përkundrazi, shtruan trasenë për një fazë të re nervozizmi dhe agonie që do të zgjasë ende.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *