Home / Kryesoret / Presidentja Jahjaga vizitoi kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga (L), sot ka vizituar komunën e Prishtinës dhe ka biseduar me kryetarin Shpend Ahmeti (R), lidhur me gjendjen e përgjithshme dhe problemet e zhvillimit ekonomik të kryeqytetit. Takimi është pjesë e vizitave të Presidentes së Kosovës dhe kryetarëve të tri odave ekonomike, nëpër gjitha komunat e Kosovës, për mundësinë e përkrahjes së bizneseve të këtyre komunave, krijimit të lehtësirave për funksionimin e tyre dhe në veçanti, tërheqjes së investimeve të huaja ( Presidenca e Kosovës - Anadolu Ajansı )

Presidentja Jahjaga vizitoi kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka vizituar komunën e Prishtinës dhe është pritur nga kryetari Shpend Ahmeti, në kuadër të turneut të vizitave të saja së bashku me kryetarët e tri odave ekonomike, nëpër gjitha komunat e Kosovës, me qëllim të njoftimit me gjendjen e përgjithshme dhe të diskutimit të problemeve të zhvillimit ekonomik që kanë komunat.
Sikurse edhe në gjitha takimet paraprake, Presidentja Jahjaga u shoqërua nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi, të cilët po ashtu diskutuan me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, për mundësinë e përkrahjes së bizneseve të kësaj komune, krijimit të lehtësirave për funksionimin e tyre, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja.
Pas takimit, Presidentja Jahjaga deklaroi se është në interes të përgjithshëm që të ngritët niveli i zhvillimit ekonomik i komunës së Prishtinës përmes krijimit të rrethanave më të mira për investime, pa pengesa administrative dhe me sundim të plotë të rendit e të ligjit, si dhe me një konkurrencë të barabartë.
“Qëllimi i këtyre vizitave të mia së bashku edhe me odat ekonomike është që t’i adresojmë këto në mënyrë të drejtpërdrejtë, t’i adresojmë sa më parë që është e mundur, në mënyrë që t’u ofrojmë një mundësi investitorëve, të shohim potencialet e investimeve të tyre në Republikën e Kosovës, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës dhe po ashtu që të intensifikojmë edhe koordinimin ndërinstitucional për gjetjen e zgjidhjeve institucionale të të gjitha këtyre vështirësive me të cilat po ballafaqohemi”, tha presidentja Jahjaga.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e falënderoj Presidenten Jahjaga dhe përfaqësuesit e odave ekonomike për vizitën dhe theksoi se, edhe në të kaluarën ka pasur diskutime dhe takime të rregullta me presidenten, ku janë diskutuar problemet më të cilat ballafaqohet Prishtina, si kryeqytet i Republikës së Kosovës dhe nikoqir i administratës përfshirë këtu edhe Presidencën.
“Kemi dëgjuar nga përfaqësuesit e odave ekonomike shqetësimet të cilat bizneset i kanë, secila me anëtarësitë e tyre i kanë grupuar këto shqetësime dhe zakonisht disa janë të përgjithshme që vlejnë për krejt komunat e disa janë specifike për komunën e Prishtinës. Mendoj se kjo është një iniciativë e mirë, e cila duhet të përcillet edhe me aktivitete të tjera, me rekomandime dhe dialog të përhershëm me odat ekonomike, në mënyrë që disa prej rekomandimeve të tyre natyrisht t’i vëmë në funksion”, tha Shpend Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës theksoi nevojën që, komunat duhet të marrin një rol shumë më të madh në zhvillimin ekonomik sepse janë vija e parë e frontit, e lejeve të para që bizneset i marrin për të vepruar. Ai potencoi nevojën që komunat duhet të kenë rol më të madh edhe në politik bërje nacionale për shkak se komunat i dinë, më për së afërmi, të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen bizneset lokale dhe janë po ashtu vija e parë e frontit të punësimit dhe zgjidhjes së çështjeve të strategjive ekonomike.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu u shpreh se Kosova ka nevojë të madhe për një komunikim më të mirëfilltë ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal.
“Është koha kur decentralizimi politik duhet të shndërrohet në decentralizim ekonomik dhe vërtet të fillojë një komunikim i mirëfilltë. Informacionet që vijnë nga poshtë, nga komunat, janë ato që do të jenë vërtet të dëgjuara në nivelin qendror dhe për ekonomi, është koha kur duhet të bëhet më tepër dhe jo vetëm të flitet” tha Gërxhaliu.
Pas bisedës së sotme me kryetarin Shpend Ahmeti, ku u diskutuan sfidat dhe aktivitet në të ardhmen e komunës së Prishtinës, Gërxhaliu shprehu gëzimin e tij që Prishtina e ka si prioritet, edukimin dhe aftësimi profesional.
“Eliminimi i barrierave është po ashtu, por vlen të theksohet se një mision i tillë i presidentes Jahjaga e ka një vlerë të pakontestuar, sepse po bëhet një skenim substancial dhe strukturor i sfidave dhe i proceseve me të cilat po ballafaqohem komunat. Në këtë drejtim besoj se do të jetë një kontribut që gjitha proceset politike do ta marrin një vulë ekonomike që do të jetë një garanci e ekonomisë së Kosovës” përfundoi Gërxhaliu.
Pas këtyre vizitave pasojnë vizitat dhe diskutimet me kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës, ndërkohë që do të pasoj raundi i ardhshëm i vizitave të presidentes Jahjaga dhe tre kryetarëve të odave ekonomike me përfaqësuesit e bizneseve, në të gjitha komunat ku paraprakisht është biseduar me udhëheqësit komunal.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *