Home / Kryesoret / Pse nuk sheh dritë qendra tregtare e Tetovës? (Foto)

Pse nuk sheh dritë qendra tregtare e Tetovës? (Foto)

E errët, e fëlliqur dhe e boshatisur duket qendra e re tregtare në Tetovë. Kjo qendër që para disa vitesh ishte ndër të vetmet në Tetovë dhe dyqanet e saja ishin ndër më të frekuentuarat në qytet, sot shfrytëzohet shumë pak.

Kati i parë duket më i rregulluar. Aty është edhe pjesa më e madhe e dyqaneve të cilat punojnë me orar të shkurtër, jo si në qendrat tregtare moderne.

Ndërsa kati i dytë dhe i tretë është për të ardhur keq. Ka aq dyqane sa mund të numërohen me gishtat e dorës, njerëz ka shumë pak sepse duket vend i errët edhe në mes të ditës.

Inxhinieri i ndërtimtarisë Jeton Salihi, në një prononcim tregon se pse kjo qendër që nga fillimi ka qenë një “investim i keq”.

“Niveli i lartë i papastërtisë si dhe ndriçimi jo i mjaftueshëm është faktori kryesorë i mos shfrytëzimit të katit të parë dhe të dytë të qendrës së re tregtare. Edhe pse në katin e parë vërehet pastërti pak më e madhe, përsëri nuk është e mjaftueshme për një qendër moderne. Në kohën e sotme nuk projektohet qendër tregtare pa shkallë elektrike. Veç problemeve tjera, problemi më i madh është parkingu në këtë qendër, mund të them lirisht se nuk i përmbush kushtet”, tha Salihi.

Shumica e pronarëve të dyqaneve apo numri më i madh i tyre janë te vetëdijshëm se kjo qendër dita-ditës po humb myshterinjtë e dikurshëm.

“Te gjithë pronarët e dyqaneve e morëm përsipër që të vendosin nga dy drita, për arsye se natën qendra duket e frikshme por ngadalë u tërhoqën nga ajo iniciativë. Për këtë arsye dyqanet mbyllen shumë herët, është terr dhe njerëzit nuk preferojnë të frekuentojnë këtë qendër. Qendra vet nuk ka drita, ndërsa për arsye materiale dyqanxhinjtë nuk ndezin drita gjatë natës”, tha Agron Kamberi – pronarë dyqani në qendrën e re tregtare në Tetovë.

“Stagnimi i kësaj qendre është për shkak se kjo qendër ka shumë pronarë. Ato nuk mund të merren vesh për atë që është trend, prandaj kjo qendër ka mbetur kështu siç e shihni, e zbrazur” tha Sherif Shabani, pronar i një dyqani në katin e parë.

Ai përmendi edhe problemin me dritat duke shtuar se nga vet pronarët u iket pagesave që kanë karakter publik. Ai thekson se si rezultat i mospagesës së dritave shërbimet mungojnë. Ai thotë se faji është i vetë pronarëve për këtë gjendje sepse ata duhet të punojnë më shumë në të mirën e qendrës tregtare e jo të lihet pas dore deri në këtë shkallë.

Redaksia kontaktoi edhe Komunën e Tetovës duke i pyetur ata nëse kan ndonjë “plan shpëtimi” për këtë “bunker” mes qytetit.

“Duke pasur parasysh që lokalet afariste në Qendrën Tregtare në Tetovë tashmë janë në pronësi private të personave fizik dhe juridik, Institucioni Komuna e Tetovës në kuadradin e kompetencave dhe asistencës së sajë të shërbimeve komunale, ka bërë dhe do të bëjë aq sa disponon kompetenca ekzekutive në lidhje me këtë objekt. Ashtu si deri më tani, kemi kontribuar në mirëmbajtjen higjienike të këtij objekti, gjë që edhe në të ardhmen ngelemi të hapur si qeverisje vendore për çfarëdo bashkëpunimi produktiv”.

Ndryshe, përveç katit të parë të kësaj qendre që ditën duket se punon pak më shumë sepse ka dyqane që ende frekuentohen, kati i dytë dhe i tretë, hiq disa zyra dhe disa kafiteri, duket fare qartë se është shkelur nga koha pamëshirshëm.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *