Home / Kryesoret / Thaçi: Nëse PDSH-ja i fiton zgjedhjet te shqiptarët, do të shihni sa i dobët është Gruevski

Thaçi: Nëse PDSH-ja i fiton zgjedhjet te shqiptarët, do të shihni sa i dobët është Gruevski

Dëshirat e mia janë që të fitojë bindshëm VMRO-ja dhe Nikolla Gruevski dhe të fitojë bindshëm PDSH-ja dhe Menduh Thaçi. Pse e kam këtë dëshirë? Sepse e bënë këtë Gruevskin dhe VMRO-në aq të fuqishëm dhe aq të fortë, prandaj kam dëshirë të madhe për të dëshmuar brenda 24 orëve se kjo nuk është e vërtetë dhe se do të ndryshojë gjithçka. Se Gruevski do të jetë krejt ndryshe, VMRO-ja krejt ndryshe dhe se situata e shqiptarëve do të ndryshojë brenda natës. Çka dua të them me këtë? Dua të them që zotëri Ahmeti të mos ja hedhë fajin as Gruevskit, as bashkëpunëtorëve të vetë, e as ministrave, por ai e mban fajin kryesor për shkak të mungesë së forcës politike ndaj partnerit të vetë. Mendoj se gjasat janë shumë reale që PDSH-ja të ngadhënjejë në raport me BDI-në, megjithatë po të kemi zgjedhje fer dhe demokratike unë do ta pranoj menjëherë rezultatin, brenda minutës”, thotë në intervistën e tij të fundvitit për “Lajm”, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi në intervistën e fundvitit për gazetën “Lajm” premton se të gjitha pyetjeve do t’i përgjigjet sinqerisht. Zaten ky ishte edhe kushti për të bë intervistën. Në kuadër të këtyre përgjigjeve, Thaçi e hedh poshtë mundësinë për koalicionim parazgjedhor me BDI-në. Përkundrazi ai thotë se i konsideron aleatë të gjitha partitë shqiptare që do të punojnë në drejtim të marrjes së legjitimitetit të BDI-së, pa marrë parasysh nëse ato do të pranojnë ose jo koalicion me PDSH-në. Lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ai thotë se ka marrë garanci të plota se nga bashkësia ndërkombëtare se do të jenë të rregullta dhe të lira, duke theksuar se nëse ndodh e kundërta PDSH jo vetëm që do të bojkotojë zgjedhjet, por edhe do të organizojë protesta masovike. Në këtë megaintervsitë ekskluzive ai për herë të parë flet lidhur me frazën “Veren do smrt”, që u paraqit në  “bombat” opozitare, si dhe për dorëheqjen e mundshme në rast se PDSH i humb zgjedhjet. Përkundër përshtypjes së krijuar në opinion, Thaçi përjashton çdo mundësi për koalicionim me BDI-në. Thaçi flet edhe për Konfliktin e Kumanovës, duke premtuar se çështja e shqiptarëve të arrestuar në këtë konflikt do të zgjidhet vetëm nëse fiton PDSH-ja.

Nëse fiton PDSH-ja, do të zgjidhet problemi i personave të arrestuar në Kumanovë

 

Lajm: Ngjarjet e Kumanovës. Si do t’i vlerësonte një politikan me mbi 20 vite eksperiencë politike, këto ngjarje

 

Thaçi: nuk i pranoj sqarimet që i japin të tjerët, për grupe kriminale, për interesa kriminale, edhe pse mund të ketë të tilla. Kumanova është një eksplodim klasik i zhgënjimit politik të disa luftëtarëve të cilët kanë menduar se përfundimisht e kanë çliruar atë pjesë të vendit dhe popullit të vet, shqiptarëve, ua kanë siguruar të gjitha të drejtat. Njerëzit të cilët janë të implikuar në rastin e Kumanovës janë njerëz të njohur, nuk janë të panjohur. Pjesa më e madhe e tyre janë drejtues të luftës së vitit 2001 në zona të caktuara. Një pjesë tjetër janë njerëz që kanë qenë tërë kohën rreth liderit të BDI-së. A ka mundur të bëjë më shumë politikisht? Gjithsesi. Mendoj se BDI-ja, edhe qeveria gjithsesi, Gruevski ka pasur dëshirë të madhe të dëshmojë një superforcë dhe këtë ia mundësoi z. Ali Ahmeti, sepse BDI nuk ka lëvizur as me gishtin më të vogël të këmbës që këtë situatë ta menaxhojë politikisht. Krejt kjo, çon në konkludim se ka pasur interes të përbashkët për likuidim fizik të atij grupi. Më kanë pyetur shumë njerëz se si do të kishit vepruar ju në situata të tilla. Unë ju sjell shembuj se në raste të tilla ne kemi vepruar politikisht, edhe në rastin e Kondovës edhe në rastin e Brodecit. Mund të thoni se edhe atje kishte ndërhyrje. Kjo është e vërtetë dhe shprehi shumë keqardhje për atë ndërhyrje, por nuk ishte ndërhyrje e përmasave të mëdha siç ishte në rastin e Kumanovës. Nuk ishte një demonstrim spektakolar i forcës së njësiteve policore maqedonase. Definitivisht mendoj se ky ishte një mësim i madh për BDI-në dhe Ali Ahmetin se kur koketon me struktura të caktuara ‘underground’, ato struktura duhet të menaxhohen edhe mbi tavolinë. Nuk mund të flas me saktësi të plotë, por ose nuk patën dëshirë, ose patën dëshirë që kjo të ndodhë dhe përfundimisht ët lirohen politikisht dhe të jenë të qetë tani e tutje.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *