Home / Kryesoret / UT fitues i projektit ,,Bashkëpunimi ndërkufitar për menaxhimin e mësimit të ekosistemit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Malin Sharr”

UT fitues i projektit ,,Bashkëpunimi ndërkufitar për menaxhimin e mësimit të ekosistemit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Malin Sharr”

Universiteti i Tetovës së shpejti do të fillojë me realizmin e projektit ,,Bashkëpunimi ndërkufitar për menaxhimin e mësimit të ekosistemit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Malin Sharr”. Pas thirrjes publike që është bërë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, në të cilën kishin aplikuar shumë subjekte, këtë grant të IPA fondeve të Bashkimit Evropian e fituan Universiteti i Tetovës dhe Universiteti i Prishtinës.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani, gjatë takimit të tij me drejtuesit e Universitetit  të Tetovës  u njoftua mbi zhvillimin e punëve përgatitore për realizimin e këtij projekti. ,,Ne sot jemi për vizitë në Universitetin e Tetovës, bashkërisht me Prorektorin për Shkencë, Prof. dr. Reshat Qahili, në vazhdën e aktiviteteve dhe të vizitave të mëhershme patëm një vizitë shumë produktive, ku patëm rastin që të shkëmbejmë shumë informacione mes vete. Qëllimi i kësaj vizite ishte që bashkërisht të shohim avancimin e punëve përgatitore për fillimin sa më të shpejtë të këtij projekti. U informuam nga udhëheqësit e projektit dhe prorektori, që të gjitha punët janë mbaruar dhe po ecin në bazë të planit aksional dhe presim që shumë shpejtë projekti të fillojë të realizohet. Ky nuk do të jetë projekti i vetëm që ne do të realizojmë me universitetin, por do të jemi në vazhdimësi në përkrahje të të gjithë projekteve të tjera. Ne në Republikën e Maqedonisë i përshëndesim iniciativat, qoftë për themelimin e Universitetit në Shkup, qoftë për të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me avancimin e arsimit në Republikën e Maqedonisë dhe asnjëherë nuk do ta harrojmë Universitetin e Tetovës, universitet i cili në vete përmban dhe ngërthen historinë e një sakrifice dhe një mundimi gjithëpërfshirës të të gjithë shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë”, tha ministri Lirim Shabani.

Udhëheqësi i Zyrës për përpilim dhe menaxhim me projektet në  Universitetin e Tetovës, Doc. dr. Festim Halili tha se gjatë takimit me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale është bërë prezantimi i punëve përgatitore të projektit dhe se së shpejti do të fillojë implementimi i tij. ,,Sot, në këtë takim, ne prezantuam progresin e deritanishëm të projektit, të cilin ne e kemi fituar nga IPA fondet dhe me krenarinë më të madhe mund të themi që është projekti i parë i IPA fondeve që është fituar nga Universiteti i Tetovës,  por sigurisht që falënderojmë edhe Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, respektivisht ministrin Lirim Shabani, për mbështetjen, si dhe delegacionin Evropian, të cilët janë bashkëfinancues, por edhe Universiteti i Tetovës, me një përqindje prej 17 përqind, është bashkëfinancues i këtij projekti. Projekti titullohet ,,Bashkëpunimi ndërkufitar për menaxhimin e mësimit të ekosistemit dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Malin Sharr”. Ne, deri më tani kemi pasur disa takime koordinuese me përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, pasi që këtë projekt e kemi të fituar së bashku dhe do të duhet bashkë edhe ta implementojmë.

Njëkohësisht, kemi shpallur edhe thirrje për përzgjedhje të ekspertëve të jashtëm që do të jenë si trajnues të stafit dhe studentëve tanë. Po ashtu edhe ekspertë lokalë do të jenë të kyçur në këtë projekt, domethënë ekspertë nga Universiteti i Tetovës, të cilët së bashku me ekspertët e jashtëm do të ndërthurin eksperiencat dhe idetë e tyre për implementim sa më të suksesshëm të këtij projekti”, tha Doc. dr. Festim Halili. Realizimi i këtij projekti kap vlerën prej rreth 350 mijë euro,  nga 175 mijë euro për të dy universitetet.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *