Home / Kryesoret / Vdes burri që fali gjakun e dy djemve pas vrasjes së djalit të tretë nga policia serbe

Vdes burri që fali gjakun e dy djemve pas vrasjes së djalit të tretë nga policia serbe

Ka vdekur në moshën 79-vjeçare Nezir Vojvoda, nga Llausha e Skenderajt, që ua kishte falur fqinjëve gjakun e dy djemve të tij pas vrasjes së djalit tjetër nga forcat serbe në protestat e “të martës së përgjakshme” në vitin 1990 në Mitrovicë, shkruan Koha Ditore.

I ndjeri Vojvoda i kishte rrëfyer gazetës pothuajse dy vjet më parë se si nuk kishte si t’i kthente burrat pa e falur gjakun e Misimit, që ishte shkelur për vdekje në moshën dhjetëvjeçare teksa po kalonte rrugën prej mikut të familjes, Misim Geci më 1982. Dy vjet më vonë, të vrarë do t’ia sillnin në shtëpi të birin tjetër, Arifin në moshën 20-vjeçare pas një zënke në mal me fqinjët. Gjakun e Arifit do t’ia “falte kombit”, siç deklaronte Vojvoda pasi më shumë se 200 mijë vetë kishin marrë pjesë në varrimin e të birit tjetër, martirit Selman Vojvoda, në moshën 22-vjeçare në protestat ne sheshin e Mitrovicës.

“Ia fala kombit”, thoshte Vojvoda.

Varrimi i Vojvodës bëhet nesër në ora 14 00 në Llaushë.

Dy vjet më parë gazeta “Koha Ditore” pati shkruar për fatin e Vojvodës. Më poshtë është versioni i shkurtuar i reportazhit me titull “Falja gjakun kombit”.

Falja gjakun kombit

Llaushë, 12 shkurt, 2014 – Gjorg Berisha shpeshherë kishte kaluar momente vetmie para këmishës me njolla të kuqrremta gjaku në katin e sipërm të kullës. Pas një viti e gjysmë, këmisha e Mëhillit të vrarë kishte nisur të zverdhej, një shenjë se gjakmarrja e vëllait po vonohej. Më në fund, më 17 mars, Gjorgu kishte vrarë Zefin e familjes së Kryeqyqeve. Përsëri, kryeprotagonisti i “Prillit të thyer” të Ismail Kadaresë, ishte ngjitur në katin e sipërm të kullës. Kësaj here me babanë, bashkë kishin hedhur shikim poshtë në oborr te nëna që po e lante këmishën e Mëhillit. Ishte larë gjaku në Brezftohtin e Rrafshnaltës së Mirditës. Gjorgu e donte jetën, por forca e kanunit e detyronte “të mirëpriste” vdekjen.

Xhemperi flamur

Xhemperi i kuq me shqiponjën e zezë në gjoks i Selman Vojvoda, të vrarë më 20 shkurt në protestat e Mitrovicës prej snajperistëve serbë, ishte një prej faktorëve kryesorë pse babai Nezir Vojvoda ia kishte shtrirë dorën e pajtimit fqinjit që ia kishte vrarë të birin në një ngatërresë në mal më 1984, Arif Vojvoda.

Falja e gjakut ishte bërë në të pamen e Selmanit, i cili ishte vrarë në moshën 22-vjeçare në vitin e dytë të studimeve në protestat e “Të martës së përgjakshme”.

“Ia fala rinisë, ia fala kombit”, kujton babai Vojvoda. “Pasi armikut nuk kisha si me i ardhë hakesh, me temin pse me u vra?”
Kryefamiljari thotë se mbi dyqind mijë qytetarë kishin marrë pjesë në varrimin e Selmanit martir. Ai kujton sesi vargu i pjesëmarrësve zgjatej prej shtëpisë së tij deri në qytetin e Skënderajt.

“Pikë loti nuk i ka pa askush, as këtij, as nënës së Selmanit”, thekson Xhafer Murtezi, i cili ishte kryetar Këshillit lokal për Pajtimin e Gjaqeve. Babai i viktimës së dhunës së represionit të regjimit të Slobodan Milosheviqit duhej të mbante veten në krye të kortezhit. Të birin e vrarë po ia nderonin qytetarë të trevave të ndryshme të Kosovës.

“Vallahi, si me kanë dasmë më dukej”, thotë Vojvoda. “Si me m’pas pru nuse për djem, thoshte”, kujton Murtezi fjalët që do t’ia thoshte Vojvoda, tash 77-vjeçar.

Murtezi dhe Kadri Kadriu, tash pensionistë, e njihnin mirë Selmanin pasi katër vjet i kishin dhënë mësim në gjimnazin e atëhershëm, “Ramiz Sadiku”, tash “Hamëz Jashari” në Skenderaj.

Selmani shquhej për mirësjelljen e tij. Murtezi ishte me Vojvodën në momentin kur një i ri do ta njoftonte se “Selmani nuk është mirë”. Më vonë do ta kuptonin se Selmani ishte vrarë prej një plumbi të snajperisti serb në qytetin e minatorëve.

Dy misionet e Anton Çettës

Murtezi dhe pajtuesit e gjaqeve në qytezën e Drenicës kishin folur edhe më herët për rëndësinë e faljes së gjaqeve pasi vlerësonin se shqiptarët duhet të dëshmonin para regjimit serb se shqiptarët nuk kishin pushkë për njëri-tjetrin. I biri i Vojvodës, Arifi 20-vjeçar, ishte ngatërruar me një shok të fshatit teksa po prenin dru.

Vojvoda thotë se herën e parë, i biri ishte mbrojtur me thikën e sulmuesit dhe nuk besonte se familjet fqinje do të hasmoheshin. Herën e dytë, sulmi me thikë e kishte lënë të vdekur Arifin.

Gjashtë vjet, hasmëria nuk ishte shuar, edhe pse Vojvodët nuk e kishin ndërmend ta merrnin gjakun e të birit. Ata konsideronin se nuk ishte koha që të zbatohej Kanuni i Lekë Dukagjinit, megjithëse Drenica njihej si rajon ku respektoheshin traditat kanunore.
“Ka qenë shumë vështirë me shku m’i thanë fale gjakun”, kujton Murtezi, i cili me pajtuesit e Drenicës kishin ndërmjetësuar ardhjen krerëve të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve.

Anton Çetta, i cili i printe nismës së ndërmarrë prej të rinjve të Dukagjinit, që kishin vuajtur nëpër burgjet serbe në vitet tetëdhjetë, ia kishte mësyrë konakut të Vojvodës në fund të shkurtit. Çetta, Zekirja Cana, Muhamet Pirraku dhe të tjerët, kishin mision të dyfishtë. Së pari e inkurajuan Vojvodën ta mbante kokën lart për të birin martir dhe pastaj të shtrinte dorën e pajtimit për faljen e gjakut të Arifit.

Pajtuesit e gjaqeve ishin të njoftuar me të gjitha detajet e hasmërive. Por, kur kërkohej shtrirja e dorës së pajtimit përmendeshim vetëm arsyet e interesit kombëtar. Kosovës i ishte suprimuar autonomia në marsin e ’89-s prej Serbisë dhe minatorët kishin mbajtur greva në horizontet shtatë-tetë qind metra në thellësi të tokës. 32 demonstrues ishin vrarë prej policisë serbe. Nga zgafellat e minatorëve kishte jehuar edhe thirrja për faljen e gjaqeve, shkruan historiani i ndjerë, Muhamet Pirraku, në përmbledhjen ”Lëvizja e pajtimit për liri: 2 shkurt 1990 – 17 maj 1992”.

Dy faljet e Nezir Vojvodës

Vetëm në komunën e Skënderajt ishin falur 74 gjaqe në emër të lëvizjes shekullore për pavarësi, tregojnë Murtezi e Kadriu. Nismëtarët kërkonin që të mos hapeshin varre të reja prej hasmërive të shqiptarëve që po fillonin të ndërtonin institucione paralele pasi Jugosllavisë e dominuar prej lidershipit serb nisi të shkatërrohej.

“As që kisha ditur t’i thosha ato fjalë, por kemi qenë të bashkuar, i madh e i vogël, saqë më të bashkuar s’kemi qenë asnjëherë tjetër”, kujton Vojvoda.

Kjo ishte falja e dytë e gjakut e familjes së fshatit Llaushë. Vojvodës në vitin 1982, miku Misim Geci, nga po i njëjti fshat, ia kishte shkelur për vdekje djalin tjetër, Misimin. Aksidenti kishte ndodhur në vitin 1982. Dhjetëvjeçari ishte në klasë të tretë kur, teksa po këpuste rrugën, ishte goditur prej makinës së fqinjit.
Vojvoda kishte varrosur tre djem. Tani i ka tre të tjerë dhe një vajzë. Pas faljes së gjakut në “emër të kombit”, do t’i bashkohej Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.

“Nuk ka lanë vend pa ardhur. Edhe kur iu thoshim të hasmuarve se duhet me falë gjakun se Neziri ka falë gjakun e dy djemve, dhe Selmanin ia ka vra policia serbe, na e lehtësonte punën”, thekson Murtezi, i cili kujton një rast kur një burrë para se të falte gjakun e dy familjarëve kishte shpërthyer në vaj. Kishte shtrirë dorën e pajtimit dhe kishte humbur vetëdijen. “Nuk mund ta merrni me mend qysh ka bërtitur malsorçe, ‘o Ahmet, o Ferat, po dojnë me jua fal gjakun’”, kujton me emocione Murtezi. Por argumenti “kombëtar” më në fund ishte kurorëzuar me sukses. Murtezi mbledh veten para se të vazhdojë: “E fali gjakun dhe i ra të fikët. Krejt shpërthyem në vaj”.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *