Home / Kryesoret / Vërshimet e lumenjve, probleme edhe në Kosovë

Vërshimet e lumenjve, probleme edhe në Kosovë

Reshjet e vazhdueshme të shiut që ranë ditët e fundit në Kosovë dhe shkrirja e dëborës kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit. Zonat më të prekura janë ato buzë lumenjve, niveli i të cilëve është rritur dukshëm, ndërkohë që disa prej tyre kanë dalë nga shtrati.

Situatë më e rëndë është në Malishevë, ku lumi “Mirusha” ka dalë nga shtrati duke bllokuar kështu të gjitha hyrjet në qytet. Ndërsa fshatrat më të prekura të kësaj komune janë Baja e Malishevës, Temeçina, Bellanica, Mirusha, Lubizhda, Turjaka.

Vërshime ka edhe në qytetin e Suharekës, në qendër të qytetit dhe disa fshatra përreth, si fshati Reshtan, ku uji ka depërtuar në brendësi të bodrumeve të shtëpive, ndërsa brenda qytetit uji ka depërtuar në disa prej lokaleve e bizneseve private.

Zonë tjetër e prekura nga vërshimet është Drenasi, ku është paraqitur problem nga rrjedha e ujit edhe në autostradë në fshatin Komoran, ndërsa janë përmbytur fshatrat rreth lumit Drenica, si Zabel i Ulët, Korroticë e Ulët, Shtrubullovë, Kizhnarekë dhe fshatra të tjera.

Ndërsa në Shtime, si pasojë e përmbytjeve, nga ora 14:00 është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm. Edhe në Kamenicë është raportuar për një nivel më të rritur të ujit. Vërshime ka pasur edhe në lagjen “Hajvalia” në Prishtinë, si dhe në lagjen “Apolonia” në Fushë Kosovë.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, lumi “Drini i Bardhë” në rrjedhën e tij në Gjonaj ka arritur nivelin 2.5 metra nga 1.6 metra normalisht, ndërsa rritje të dukshme ka pasur edhe Bistrica e Pejës, me 22 centimetra.

Osman Qerreti, koordinator në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kosovë, i kontaktuar nga Top Channel tha se gjendja në nivel vendi nuk është alarmante.

Osmani deklaroi gjithashtu se, AME është duke mbajtur kontakte të vazhdueshme me shefat e departamenteve të emergjencave në Kosovë. Në zonat ku është paraqitur nevoja, janë duke ndërhyrë ekipet e zjarrfikësve.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *