Ndryshe prej imazheve të xhihadistëve që u presin kokat njerëzve të pafajshëm, Islami nuk promovon dhunën e pakufishme. Madje në Kuran ka thirrje për paqe dhe mënyra e kufizime se kur duhet të luftohet.

Poovan Fakhraei, «The Independent»

Grupet e ashtuquajtura xhihadiste, që përbëhen prej myslimanëve ekstremistë të të gjitha fraksioneve: prej salafive, vahabistëve, «Al-Qaedas», talebanëve, ISIS-it dhe grupeve të shumta të tjera, e konsiderojnë veten avokatë të Islamit të Vërtetë. Këta terroristë pretendojnë se sulmet në Paris, Londër dhe New York janë mbështetur dhe justifikuar prej Kuranit

Për ata që nuk kanë fort haber me këtë debat, kjo mund të duket një situatë konfuze. Cila palë e thotë të vërtetën? A është islami religjion i rrezikshëm? Ja disa arsye pse Kurani nuk përkrah veprimet e grupeve terroriste edhe në kohë lufte, por edhe në raste kur myslimanëve u jepet e drejta për vetëmbrojtje në kohë lufte. Për të qenë të ndershëm, Zoti jep leje të kushtëzuar për myslimanët që të nisin luftën, por janë disa udhëzime strikte, të cilat nuk i bëjnë hesap as pesë pare xhihadistët. Këtu janë disa prej kushteve: së pari, myslimanët nuk mund të nisin luftën të parët.

Atyre u lejohet të veprojnë vetëm në vetëmbrojtje. Myslimanëve u lejohet prej Zotit të luftojnë vetëm kur të dëbohen prej shtëpive ose trojeve të tyre. Lufta mund të niset vetëm atëherë kur popullsia e pambrojtur sulmohet, dhe prej aleatëve të myslimanëve kërkohet që t’u dilet në ndihmë. Arsyeja e fundit për luftë të drejtë është kur plas lufta ndërmjet dy grupeve të besimtarëve dhe njëra palë nuk e ka ndërmend të ndalë luftën pavarësisht prej propozimit të armëpushimit. Madje edhe në fushëbeteja dhe luftime, Kurani ka përcaktuar kufizime dhe korniza të qarta.

Nëse armiku propozon marrëveshje për paqe, myslimanët menjëherë duhet t’i ulin armët. Së dyti, myslimanëve nuk u lejohet të hyjnë në gjynah me drejtësinë hyjnore: «luftoni për kauzën e Zotit, ata që ju luftojnë juve, por mos hyni në gjynah, sepse Zoti nuk i do mëkatarët». Nuk është aspak islamike ideja e proklamuar fuqishëm prej ISIS-it që të ketë luftë të pakufizuar dhe deri në kijamet. Së treti, myslimanët janë të detyruar t’i trajtojnë pengjet e luftës me dinjitet, e jo t’ua presin kokat, qysh është parë së fundi në videot e propagandës së përgjkashme të përhapur prej atij që po quhet «Shteti Islamik» Pengjet duhet të lirohen pas luftës, ose me këmbim të pengjeve myslimane, ose vetëm sa për të treguar anën humane.

Myslimanëve gjithashtu nuk u lejohet që të mbajnë pengjet e luftës, t’i skllavërojnë ose t’i përdorin si ushtarë të ardhshëm. Në fund, besimtarëve të islamit nuk u lejohet t’i detyrojnë me dhunë armiqtë që të besojnë në bindjet e tyre fetare. Sipas Kuranit, xhihadistët shkelin njërin prej udhëzimeve më të rëndësishme për raportet e myslimanëve me popujt e tjerë. Kurani tregon se myslimanët nuk duhet të deklarohen armiqësorë ndaj atyre që nuk kërkojnë të luftojnë kundër tyre. Ajetet kuranore përmendin se myslimanët duhet të krijojnë raporte të mira të përbashkëta me ata që nuk janë dëbuar, ose që nuk kanë ndihmuar për dëbimin e myslimanëve nga tokat e tyre. Kjo është dëshmia më e mirë se Kurani nuk ua ka ndaluar myslimanëve që të tregohen të drejtë dhe të sjellshëm ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe.

Lejimi i përfshirjes në luftë, në Kuran, parashikohet kryesisht për qëllime mbrojtëse dhe reaktive. Besimtarit të vërtetë të Kuranit nuk i lejohet të nisë luftën i pari, qoftë edhe kur plas një luftë e drejtë, myslimanit nuk i lejohet të vrasë njerëz të pafajshëm. Ky është islami që e zbatojnë e besojnë shumë besimtarë myslimanë; që në thelb është një udhërrëfyes që njerëzit e kombeve e feve të ndryshme të jetojnë në paqe të plotë krah për krah njëri-tjetrit.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *