Home / Kryesoret / Analistët e ekonomisë: Qytetarët kanë ëndërruar një Kosovë më ndryshe
PRISHTINË (AA) –Tetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është shtet i njohur nga 111 prej 193 shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në mesin e të cilave janë 23 nga 28 shtete të Bashkimit Evropian. Por, a është sot Kosova shteti të cilin e kishin ëndërruar dhe dëshiruar qytetarët e saj, tetë vite më parë? Foto: Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. ( Erkin Keçi - Anadolu Ajansı )

Analistët e ekonomisë: Qytetarët kanë ëndërruar një Kosovë më ndryshe

Tetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është shtet i njohur nga 111 prej 193 shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në mesin e të cilave janë 23 nga 28 shtete të Bashkimit Evropian. Por, a është sot Kosova shteti të cilin e kishin ëndërruar dhe dëshiruar qytetarët e saj, tetë vite më parë?

Analisti i çështjeve të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRASS, për Anadolu Agency (AA) thotë që Kosova po ngec në aspektin e zhvillimit ekonomik, papunësia është e madhe dhe mungesa e perspektivës ka reflektuar negativisht tek popullata me moshën mesatare më të re në Evropë.

“Nëse e marrim një vështrim të përgjithshëm, së paku edhe nga aspekti emocional, para vitit 2008, para momentit të shpalljes së pavarësisë, ka qenë një kohë e shpresës, një kohë e entuziazmit dhe një kohë e pritjeve të mëdha. Ndërkaq tani, 8 vite pas, kemi një kohë të zhgënjimit. E zhgënjimit meqenëse nuk u përmbushën ato pritje që i kishte qoftë masa e popullit apo edhe disa prej pritjeve dhe synimeve të cilat janë premtuar nga ata që kanë përgjegjësi për menaxhim dhe udhëheqje të shtetit” vlerëson Rexhepi.

Sipas tij, rritja ekonomike apo rritja e bruto prodhimit vendor nuk është pasqyrë reale e ekonomisë kosovare sepse ajo ka të bëjë me rritjen e shpenzimeve dhe jo me krijimin e vendeve të reja të punës që, sipas tij, do të ndikonin në tejkalimin e krizës ekonomike dhe sociale.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, konsideron se Kosova ka dështuar në aspektin ekonomik, në veçanti pas shpalljes së pavarësisë, për çka fajëson dominimin e axhendës politike karshi asaj ekonomike. Duke folur për AA, Gërxhaliu shpjegon se dominimi i politikës në raport me ekonominë ka prodhuar rezultate zhgënjyese dhe ka pamundësuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe stabilitetin social, ku Kosova do të kishte edhe stabilitet politik dhe proceset integruese evropiane do të ishin më të shpejta.

“Për fat të keq, në këtë periudhë kohore shumë më tepër është folur për ekonomi se sa është punuar për ekonomi, shumë më tepër është humbur kohë në kërkim të arsyeve për dështim se sa në gjetjen e rrugëve për të dal nga dështimi, shumë më tepër është fol për investime dhe investitorë të huaj të cilët më shumë kanë ik nga Kosova se sa që kanë mbetur në Kosovë dhe nuk është bërë për ta. Në këtë drejtim e kemi këtë shkallë të lartë të papunësisë e cila është alarmante dhe e kemi këtë varfëri ekstreme e cila është shqetësuese”- tha kryetari i OEK-ut.

Ajo për çka Gërxhaliu shprehu më së shumti keqardhje është fakti se, sipas tij, kosovarëve nuk iu pëlqen t’i pranojnë tri të vërteta: që Kosova është edhe produkt i bashkësisë ndërkombëtare, që lufta bëhet nga trimat dhe e treta, që shteti ndërtohet nga të mençurit.

“Ajo çka nuk i falet Qeverisë së Kosovës që nga viti 2008 e këndej, është fakti që krahas moszhvillimit ekonomik dhe vobektësisë në sundimin e rendit dhe ligjit , e kanë mbjell një shterës analfabetësh me diploma nëpër pozita kyçe në institucionet vendore , që është një sëmundje kancerogjene që për fat të keq të Kosovës po shndërrohet në metastazë e cila do të kërkojë shërim dhe kurim ndoshta edhe 40 vitet e ardhme” konstaton Gërxhaliu.

Ai nuk preferon të bëjë krahasimin e ekonomisë kosovare para dhe pas 17 shkurtit 2008, sepse periudha e parë kohore ka qenë periudhë e krijimit të themeleve të funksionimit të ekonomisë së tregut, qoftë në aspektin legjislativ dhe institucional, apo të funksionimit të shtetit dhe ekonomisë në përgjithësi, duke mos harruar faktin se ajo ishte periudhë kur përgjegjësinë ekzekutive e kishte faktori ndërkombëtarë (UNMIK-u).

Lidhur me këtë, Gërxhaliu thekson se shumë prej tyre që kanë qenë në Kosovë nuk kanë qenë dashamirës të proceseve pozitive në Kosovë, në veçanti e përmend Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) që tani është Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), që sipas kryetarit të OEK-ut, me qasjen dhe me aktivitetet e veta më shumë i ka dëmtuar proceset ekonomike se sa që i ka forcuar.

Si element tjetër negativ, Gërxhaliu e përmend edhe miratimin e ligjeve të përkthyera dhe të huazuara nga jashtë e jo të adaptuara në indikatorët ekzistues në Kosovë, me çka është dëmtuar bazamenti i zhvillimit ekonomik në Kosovë. Që kjo të mos mjaftoi, pas shpalljes së pavarësisë, në vend se gabimet nga e kaluara të korrigjohen, sipas Gërxhaliut, ka ndodh një qasje ndoshta edhe më e dëmshme se sa ajo e para shpalljes së pavarësisë. Ai rrëfen se si udhëheqësit e shtetit më tepër kanë luftuar për marrjen e kompetencave dhe bartjen e përgjegjësive nga institucionet ndërkombëtare, mirëpo shton se për kompetenca dhe përgjegjësi profesionale duhet pasur ekspertizë shkencore dhe sundim të rendit dhe ligjit.

Fjalët e Gërxhaliut i vërteton analisti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi nga STRASS, duke treguar për trendin e vazhdueshëm negativ të normës së rritjes ekonomike të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.

Ai shpjegon se, në vitet e para pas pavarësisë, GDP-ja ka pasur një rritje graduale dhe ka shkuar deri në 5,5 përqind dhe sado që kjo rritje nuk ishte e mjaftueshme për të zbutur dukshëm papunësinë, megjithatë garantonte mos përkeqësim të situatës ekonomike. Por, mungesa e strategjisë së duhur për zhvillim ekonomik, investimet publike pa efekte në hapjen e vendeve të qëndrueshme të punës dhe krizat politike, kanë ndikuar në rënien e vazhdueshme të normës vjetore të rritjes ekonomike e cila, në vitin 2014 të njohur si “vit zhgënjyes”, ra në fund të fundit.

“Kemi investime enorme të cilat, në këtë periudhë, sigurisht kanë kaluar 1 miliardë apo 1,5 miliardë, në infrastrukturën rrugore. Mirëpo, ta zëmë, kur ka filluar ndërtimi i autostradës kemi pasur një rritje ekonomike prej 5,5 përqind, ndërkaq kur ka përfunduar, rritja ka ra në 3 përqind. Atë që e thashë, në vitin 2014 ka rënë edhe në 1 përqind , çka do të thotë se këto investime nuk kanë reflektuar aq shumë në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe kjo na sjell situatën të shpenzojmë paratë” tha për AA, Ibrahim Rexhepi nga STRASS.

Duke folur për ekonominë e periudhës pas shpalljes së pavarësisë, ai konsideron se rritja e investimeve të brendshme është fiktive ngaqë burim kryesor i kësaj rritjeje janë kreditë e bankave komerciale, me kosto shumë të lartë dhe strukturë të investimeve aspak të favorshme për interesin e përgjithshëm. Për më keq, shfrytëzuesit më të mëdhenj të këtyre kredive janë ndërmarrjet tregtare që i shfrytëzojnë këto kredi për import të mallrave dhe jo për hapjen e vendeve të punës. Gjitha këto kanë ndikuar në ngecjen e zhvillimit ekonomik, në papunësi dhe zhgënjimin e popullatës, 8 vite pas shpalljes së pavarësisë.

Si problem tjetër serioz, analisti ekonomik nga STRASS thekson mungesën e energjisë elektrike dhe reduktimet, si pasojë e mungesës së investimeve serioze gjatë periudhës 2008-2014. Rexhepi e konsideron si shumë normale mungesën e zhvillimit ekonomik në një vend ku mungon energjia elektrike, importi i të cilës ka çmim të lartë dhe mund të kushtëzojë me përdorimin e burimeve alternative të energjisë elektrike që risin koston e prodhimit dhe e bëjnë jo konkurrent në tregun e brendshëm.

Megjithatë, Rexhepi konsideron se problemi më i madh është kriza politike.

-“Rroli i diasporës është jetik për Kosovën”-

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe analisti Ibrahim Rexhepi janë të një mendimi që diaspora kosovare mbetet burim kryesor i qëndrueshmërisë ekonomike në Kosovë. Gërxhaliu konsideron se meritat më të mëdha për mbijetesën e Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës, i ka diaspora kosovare dhe çka do që të bëjë Qeveria e Kosovës ose çka do që ka bërë pas vitit 1999, nuk mund t’ia kthej borxhin. Mirëpo, sipas tij, diaspora e cila e ndanë kafshatën e gojës për ta ndihmuar Kosovën, sot është e zhgënjyer.
Ai shton se Qeveria e Kosovës duhet të marrë mësim nga Kroacia dhe Sllovenia, ku kontributi i diasporës është kthyer në një reflektim pozitiv për ekonomitë e atyre vendeve, ndërsa në Kosovë një gjë e tillë nuk ndodh.

Duke folur për remitenca të dërguara përmes kanaleve zyrtare, Rexhepi tregon se diaspora çdo vit dërgon rreth 700 milion euro në Kosovë, ndërsa përmes kanaleve jo zyrtare, ai konsideron se kjo shifër është për 50 përqind më e lartë. Sipas tij, ky është një potencial i madh financiar sepse paraqet dyfishin e eksporteve totale vjetore të Kosovës, por problemi qëndron në mënyrën e shpenzimit të këtyre parave.

Sipas tij, roli i diasporës është jetik për Kosovën, mirëpo i vetmi problem qëndron në mënyrën e shpenzimit të tyre nga shfrytëzuesit në Kosovë, pasi që ato nuk po investohen për hapje të vendeve të reja të punës, por për mbulimin e nevojave ditore.

Me këtë pajtohet edhe Gwrxhaliu të cilin e shqetëson fakti se ato para përsëri shumë shpejtë dalin jashtë Kosovës. “Në vend që ajo para të jetë një burim i pashtershëm i qëndrueshmërisë së Kosovës, ajo është e dedikuar që të mbështesë stabilitetin social dhe zhvillimin ekonomik qoftë në Serbi, Maqedoni apo vendet tjera nga të cilat Kosova importon më së shumti. thotë Gërxhaliu .

Sipas kryetarit të OEK-ut, diaspora kosovare në Gjermani, Austri dhe Zvicër ka një kapital të deponuar me vlerë mbi 2,5 miliardë euro, por, sipas tij në Kosovë po mungon mirënjohja, kultura dhe aftësia e pushtetit për t’i ofruar kushte të volitshme diasporës, për të investuar në vendlindjen e tyre.

“Për fat të keq, ne i kemi duart e lidhura, nuk kemi mundur të bëjmë aq sa e meriton dhe që është më e keqja, Kosova është shndërruar në një shtet të varfër të njerëzve të pasur, nga njerëzit e pasur prej të cilëve nënçmohet edhe vlera e diasporës kosovare” shprehet Gërxhaliu për të cilin, pasuria e një shteti nuk matet me resurse natyrore por me faktorin njeri.

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *