Home / Kryesoret / Baily: Nuk janë plotësuar kushtet e marrëveshjes për zgjedhje të lira
SHKUP (AA) – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Jess Baily (foto) pas takimit disa orësh me përfaqësuesit dhe liderët e partive më të mëdha në Maqedoni deklaroi se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet nga Marrëveshja e Përzhinos për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokraitke. ( Besar Ademi - Anadolu Ajansı )

Baily: Nuk janë plotësuar kushtet e marrëveshjes për zgjedhje të lira

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Maqedoni, Jess Baily pas takimit disa orësh me përfaqësuesit dhe liderët e partive më të mëdha politike në Maqedoni deklaroi se nuk janë plotësuar të gjitha kushtet nga Marrëveshja e Përzhinës për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokraitke, raporton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori Baily theksoi se BE-ja dhe SHBA-ja nuk mund të vendosin për datën e mbajtjes së zgjedhjeve, por do të vazhdojnë të ndihmojnë në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Vendimi për ndryshimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare natyrisht i mbetet Parlamentit të Republikës së Maqedonisë”, nënvizoi Baily.

Baily pas takimit me përfaqësuesit dhe liderët e partive më të mëdha në Maqedoni, i cili u zhvillua në Klubin e deputetëve, i dorëzoi raportin e vlerësimit të BE-së dhe SHBA-ve mbi kushtet për zgjedhjet kryeministrit teknik Emil Dimitiriev. Ai theksoi se rezultatet e bisedimeve me Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në lidhje me verifikimin e listës zgjedhore nuk janë të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme më 24 prill të këtij viti.

“Fuqishëm i inkurajojmë të gjithë liderët politik, edhe qeverinë, edhe opozitën, por edhe institucionet që të mbeten plotësisht të angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së qershorit/korrikut, si dhe në hapat e ndërmarra deri më tani. Nëse zgjedhjet nuk mund të mbahen në datën e përcaktuar, presim që partitë politike të punojnë në sigurimin e kushteve të cilat do të mundësojnë zgjedhje të besueshme në datën më të hershme të mundshme, si dhe presim respektimin e plotë të detyrimeve dhe përgatitjen e Komisionit Shtetëror Zgjedhor”, deklaroi Baily.

Ambasadori amerikan tha se liderët e partive politike propozojnë 5 qershorin si një alternativë të mundshme, ndërsa në vijim shtoi se nevojiten përpjekje serioze nga të gjithë zyrtarët për arritjen e kushteve, që do të mundësonin zgjedhje të lira dhe demokratike, në të cilat të gjithë qytetarët dhe partitë do ta marrin pjesë në mënyrë të lirë.

Ai theksoi se udhëheqësit e partive politike kanë për obligim për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e vendit në rrugën e integrimit në BE, siç tha ai, me zbatimin e prioriteve urgjente të reformave në interes të të gjithë qytetarëve, si dhe me zbatimin e plotë të marrëveshjes politike të nënshkruar mes katër liderëve të partive më të mëdha në vend, e cila ka për qëllim daljen e vendit nga kriza aktuale politike.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *