Home / Kryesoret / Jahjaga: E tashmja e Kosovës duhet të ndryshohet me punë, jo me dhunë
Pas intonimit të himnit shtetëror, nga bina ceremoniale e vendosur në sheshin Zahir Pajaziti, të pranishmëve iu drejtua Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila tha se sot është dita kur, para 8 viteve, u kurorëzua sakrifica shekullore e shumë gjeneratave që luftuan dhe angazhuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. ( Erkin Keçi - Anadolu Ajansı )

Jahjaga: E tashmja e Kosovës duhet të ndryshohet me punë, jo me dhunë

Manifestimi qendror për shënimin e 8 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, sot u shënua me ceremoninë e parakalimit të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, në qendër të Prishtinës.

Pas intonimit të himnit shtetëror, nga bina ceremoniale e vendosur në sheshin Zahir Pajaziti, të pranishmëve iu drejtua Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila tha se sot është dita kur, para 8 viteve, u kurorëzua sakrifica shekullore e shumë gjeneratave që luftuan dhe angazhuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Tetë vite që prej shpalljes së pavarësisë, ne përkujtojmë idealet që na bëjnë bashkë, përkushtimin për liri dhe për zhvillimin e vendit tonë, për demokracinë që ndërtohet çdo ditë dhe njëkohësisht, edhe për paqe. Prandaj, janë parimet që na përkufizojnë neve si komb, vlerat që krijojmë çdo ditë në themelet e diversitetit edhe kulturor, fetar dhe etnik, edhe aspirata që synojmë t’i realizojmë për të qenë pjesë e pandashme e botës së përparuar”, tha presidentja Jahjaga, në adresimin e fundit si e para e vendit, para skadimit të mandatit të saj në prill.

Ajo rikujtoi se shtet ndërtimi kërkon dashuri, vullnet dhe sakrificë, duke apeluar që të tejkalohen dallimet politike, për t’u bërë bashkë dhe për ta shkruar një kapitull të ri të shtetit të Kosovës, atë të integrimit evropian.

Në fund, duke iu uruar qytetarëve Ditën e Pavarësisë, ajo porositi se festat duhet t’i bashkojnë njerëzit për të ndërtuar shtetin, me dialog dhe pa dhunë.

“Sot është festë për tërë Kosovën, kur secili prej nesh ndjejmë se e ardhmja duhet të jetë më ndryshe, ku na duhet më shumë punë për të treguar se të tashmen e ndryshojmë vet, por jo me dhunë dhe me forcë, jo me fuqinë e grushtit që sjell dhimbje dhe rinim, që sfidon institucionet e shtetit dhe luhat besimin në të”, tha presidentja e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se pavarësia e Kosovës sot është një realitet i pranuar nga 111 shtete të botës, ndër të cilat janë shtetet më të fuqishme, më demokratike dhe më të zhvilluara. Ai shprehi falënderimet e përhershme për miqtë dhe aletatët që e ndihmuan Kosovën në shtet ndërtim, proces ky i cili është në konsolidim e sipër.

“Kjo qeveri e ka mandatin e qartë, ka legjitimitetin dhe legalitetin që t’iu shërbej qytetarëve të tij, atyre të cilët ia dhanë besimin me shumicën e votave në një proces demokratik dhe të pranuar nga gjithë spektri politik kosovar dhe asnjëherë nuk do të devijon nga ky mision”, tha Mustafa.

Manifestimet e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, sot do të vazhdojnë me homazhe në varrezat e dy figurave ikonë të Pavarësisë së Kosovës, presidentit të parë të vendit, Ibrahim Rugovës dhe në Prekaz, në varrezat e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit dhe familjes së tij, si dhe varrezat e dëshmorëve të luftës së UÇK-së.

Po ashtu, në mbarë Kosovën do të ketë edhe manifestime kulturore të cilat do ta shënojnë ditëlindjen e 8-të të Kosovës. Nga ana tjetër, opozita e bashkuar parlamentare, për sot në ora 14 ka paralajmëruar protestën mbarëpopullore në kundërshtim të dy marrëveshjeve, me Serbinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, si dhe me kërkesë për dorëheqjen e koalicionit aktual qeveritar.

Rikujtojmë se etapa e fundit në rrugën e shpalljes së Kosovës shtet filloi gjatë viteve të 90-ta, kur shqiptarët e Kosovës u ngritën kundër regjimit serb të udhëhequr nga Slobodan Millosheviqi, që ndërmori një fushatë të egër të spastrimit etnik të Kosovës, përmes ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serb.

Në vitin 1999, pas dështimit të proceseve dialoguese ndërmjet të bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë, lufta në Kosovë u përshkallëzua. Forcat ushtarako-policore dhe paramilitar serbe ndërmorrën një fushatë të egër të vrasjeve, përdhunimeve, djegieve të vendbanimeve shqiptare dhe nga Kosova depërtuan mbi 800 mijë njerëz.

Bashkësia ndërkombëtare e udhëhequr nga forcat e NATO-së nuk e duroi këtë gjendje të spastrimit etnik dhe ndërmori fushatën e bombardimeve ajrore, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës e bënte luftën në terren.

Më 12 qershor 1999, Serbia kapitulloi dhe pas tërheqjes së forcave serbe, Kosova u vendos nën administrimin e misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të njohur si UNMIK. Me këtë u themeluan edhe institucionet e quajtura në atë kohë, institucionet e përkohshme të Kosovës, me Kuvend, President dhe qeveri.

Nga viti 1999 deri më 2005, Kosova kaloi nëpër fazën e tranzicionit dhe konsolidimit të institucioneve dhe erdhi në fazën kur, në nëntor 2005, filloi procesi për definimin e statusit përfundimtar. Dialogu tripalësh në Vjenë të Austrisë, ndërmjet të Prishtinës, Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare, rezultoi me propozimin e të dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaarit.

Sipas Planit të Ahtisaarit, të dorëzuar në Prishtinë dhe Beograd, më 2 shkurt 2007, për Kosovën parashihej pavarësi e kushtëzuar.
Ishte ky hapi i parafundit, para se Kuvendi i Kosovës e shpalli pavarësinë e vet, 8 vite më parë.

Më 17 shkurt 2008, saktësisht në ora 15:40 minuta, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi kishte deklaruar: “Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, ne udhëheqësit e popullit tonë të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”.

Ishin këto fjalët me të cilat Kosova shpalli pavarësinë e saj në sallën e Kuvendit të Kosovës, pamje këto që u transmetuan në çdo cep të planetit, ndërsa qindra mijëra shqiptarë nga mbarë bota kishin ardhur në Prishtinë, për të qenë dëshmitar dhe për ta përjetuar këtë çast historik.

Tetë vite më vonë, Kosova është shtet i njohur nga 111 prej 193 shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në mesin e të cilave janë 23 nga 28 shtete të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu lexo

Aksidentohen dy autobusë dhe dy makina, 15 të lënduar në Strumicë

15 persona janë lënduar dje në një aksident rrugor në rrugën lokale në fshatin Bansko …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *