Home / Kryesoret / Koru: Integrimi i Ballkanit në BE dhe NATO sjell qetësi dhe stabilitet në Evropë
PRISHTINË (AA) – Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Naci Koru, sot ka ligjëruar për ndërlidhjen e “Sfidave të Sigurisë Globale” në kontekst të Evropës Juglindore dhe Ballkanit, në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Gërmia Hill”, e cila po mbahet në Prishtinë. Foto: Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Naci Koru (C) ( Erkin Keçi - Anadolu Ajansı )

Koru: Integrimi i Ballkanit në BE dhe NATO sjell qetësi dhe stabilitet në Evropë

– Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Naci Koru, sot ka ligjëruar për ndërlidhjen e “Sfidave të Sigurisë Globale” në kontekst të Evropës Juglindore dhe Ballkanit, në kuadër të konferencës ndërkombëtare “Gërmia Hill”, e cila po mbahet në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendësministri i Jashtëm turk e ka cilësuar Ballkanin si pjesë shumë të ndjeshme të kontinentit evropian për shkak se ndodhet në udhëkryq të Evropës Qendrore, Mesdheut, rajonit të Detit të Zi dhe Lindjes së Afërt. Sipas Koru, përgjatë historisë, ky rajon ka vuajtur pasojat e zhvillimeve negative në rajonet më të afërta apo më të largëta, por sot Ballkani është duke kaluar në një periudhë historike sepse ndasitë politike, sociale dhe etnike, që në tri dekadat e kaluara kishin sjell copëtim ekonomik dhe shkatërrim të infrastrukturës, tash janë duke u zgjidhur me dialog dhe kooperim.

“Integrimi euroatlantik i rajonit është duke përparuar në mënyrë të qëndrueshme. Efekti transformues i këtij procesi inkurajon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të fqinjëve. Sidoqoftë, elementet e jostabilitetit dhe rrezikut potencial për siguri, në një rajon më të gjerë, kërkon nga ne që të kemi maturi dhe kujdes, në shqyrtimin tonë të rajonit”, thotë Koru.

Ai shtoi se, përkundër zhvillimeve të fundit pozitive, migrimi i pandalshëm i refugjatëve të dëshpëruar nga Lindja e Mesme, si pasojë e ikjes nga luftërat dhe konflikteve të tmerrshme në Siri dhe Irak, ka sjellë Ballkanin sërish në fokus të aspektit si “zonë e ndjeshme e sigurisë”.

Zëvendësshefi i diplomacisë turke, Naci Koru shprehu mendimin e qeverisë turke se zgjidhja e qëndrueshme për problemin e migrimit ilegal mund të gjendet vetëm në ndaljen e luftërave dhe shkatërrimit ekonomik, prej nga burojnë. Ai theksoi se rrjedha e migrimit në drejtim të Evropës Juglindore ka dëshmuar si të drejtë thirrjen e Turqisë, drejtuar miqve dhe partnerëve të saj, që të mos lihet e vetmuar në përpjekjet e saj për t’u ballafaquar me pasojat e kësaj tragjedie të madhe.

Duke thënë se konsekuencat e luftërave në Siri dhe luftimet në Irak kanë vërtetuar se, të gjitha vendet kanë përgjegjësi për të vepruar në këtë situatë, Koru iu referua Turqisë si shtet prijës në kontekst të ballafaqimit me krizën e migrimit. Në fakt, bazuar në statistikat e UNHCR-së (Komisariati i Lartë për Refugjatë i Kombeve të Bashkuara), Turqia është vendi nikoqir për numrin më të madh të refugjatëve në botë.

“Shteti ynë është shtëpi për më shumë se 2.5 milion sirianë. Numri i foshnjave siriane të lindura në Turqi është mbi 150 mijë. Turqia ka shpenzuar mbi 8 miliardë dollarë amerikan, për nevojat e sirianëve, kurse totali i kontributit që e kemi pranuar nga bashkësia ndërkombëtare deri tash, është vetëm 455 milion dollarë amerikan. Kjo nuk është e qëndrueshme”, tha Koru.

Përkundër kritikave ndaj një qasjeje të tillë të vendeve perëndimore, ai konfirmoi vendimin e Turqisë që të vazhdoj të ofroj siguri dhe ndihmë për refugjatët që janë në gjendje të mjerueshme, njëherësh duke numëruar veprimet konkrete të shtetit turk në aspekt të ngritjes së vetëdijes globale lidhur me tragjedinë e migrimit ilegal në Detin Mesdhe, temë kjo e cila u diskutua në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me 20 nëntor 2015, si dhe në Samitin Turqi – BE, në Bruksel, me 29 nëntor 2015.

Duke vlerësuar se kjo krizë globale e ka prekur sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit, zëvendësministri Koru shprehu mirënjohjen e tij për veprimeve e matura dhe të kujdesshme të shteteve ballkanike, përmes të cilave kanë ndihmuar në këtë situatë dhe njëkohësisht janë shmangur politikave që kanë mundur ta rrezikojnë stabilitetin e regjionit.

Duke folur për ndikimin e luftërave në Siri dhe Irak, zëvendësministri i jashtëm turk Koru tha se, një nga pasojat e prodhuara është rreziku permanent global nga terrorizmi, dukuri kjo që duhet të përcillet dhe për luftimin e së cilës ai kërkoi solidaritet global.

Ai përmendi sulmet e fundit terroriste në Ankara, Bejrut, Paris dhe Stamboll, duke thënë se ato kanë dëshmuar që terrorizimi është një kërcënim modern asimetrik i cili mund të shpërndahet kudo, pavarësisht nga origjina e vet.

Referuar në studimet e fundit, rreth 25 mijë luftëtarë terrorist të huaj nga 100 shtete, janë të lidhur me Al-Kaedën dhe DAESH-in. Zëvendësshefi i diplomacisë turke tregoi se në mesin e luftëtarëve terrorist të huaj ka edhe me prejardhje nga shtetet e Ballkanit.

Megjithatë, ai nuk foli për numrat e atyre që kanë shkuar nga ky regjion për të luftuar përkrah organizatave terroriste, por theksoi qasjen e drejtë të shteteve ballkanike për ta parandaluar zgjerimin e kësaj dukurie.

“Nuk dëshiroj të futem në numra apo sa luftëtarë terrorist të huaj kanë ardhur nga secili shtet, por do t’i referohesha masave të rrepta të cilat janë ndërmarr nga shtetet ballkanike për të parandaluar qytetarët e tyre në udhëtimet ndërkufitare me qëllime të lidhura me terrorizëm”, tha Koru.

Në pjesën e fundit të ekspozeut të tij, zëvendësministri i jashtëm turk iu kthye temës së marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, duke theksuar nevojën e BE-së që të ketë një qasje strategjike për të eliminuar shkaqet ekonomike dhe sociale të cilat qëndrojnë pas fenomenit të shkuarjes së qytetarëve të shteteve ballkanike për të luftuar në Lindjen e Mesme, përkrah organizatave terroriste.

Sipas Naci Koru, integrimi i vazhdueshëm dhe i plotë i Ballkanit në BE, është çelësi i zgjidhjes së problemit.

“Procesi i integrimit euroatlantik është kryesor për paqe të përhershme dhe zhvillim të qëndrueshëm të Ballkanit. Sa më shumë që Ballkani është i integruar në BE, më lehtë bëhet që të eliminohen rreziqet potenciale ndaj sigurisë”, tha Koru.

Në këtë aspekt, ai lavdëroi veprimet e BE-së gjatë vitit 2015, fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bosnjën e Hercegovinën dhe ratifikimin e saj për Kosovën, hapjen e kapitujve të ri për integrimin evropian të Malit të Zi, Serbisë dhe Turqisë.

Në fund të ligjërimit të tij në “Gërmia Hill 2016”, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Naci Koru theksoi edhe nevojën për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në NATO, duke iu referuar NATO-së si aspekt plotësues i integrimeve euroatlantike.

“Kooperimi me NATO-n është i rëndësishëm për përhapjen e sigurisë dhe stabilitetit në mbarë Evropën”, tha Koru dhe e cilësoi politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe kooperimin e shteteve aspiruese për anëtarësim, si mënyrën e duhur për t’u ballafaquar me sfidat e rrezikshme që janë shumë të mundshme në një të ardhme të afërt.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *