Home / Lajme / Botë / “Në Turqi nuk ka asnjë qytet pa refugjatë”

“Në Turqi nuk ka asnjë qytet pa refugjatë”

Kryeministri turk, Ahmet Davutoğlu, ka deklaruar se për shkak të sulmeve ajrore në Halep 10 mijë refugjatë janë duke pritur në kufirin e Turqisë si dhe 60-70 mijë persona të tjerë që ndodhen në kampet në veri të Halepit janë nisur drejt Turqisë. Ndërkohë në kuadër të konferencës synohet që për krizën në Siri të mblidhen 9 miliardë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Davutoğlu ka mbajtur një fjalim në hapjen e konferencës së donatorëve për mbështetjen ndaj Sirisë, e cila po mbahet në qendrën e kongreseve “Queen Elizabeth” në Londër.

Në fjalimin e tij ai ka vënë në dukje se ky takim nuk është vetëm në mbështetje të Sirisë dhe të rajonit, por është edhe një takim për mbështetje ndaj ndërgjegjes njerëzore. Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen se në rast të dështimit brezi i ardhshëm këtë do ta vërejë si një dështim të njerëzimit dhe jo të Sirisë dhe rajonit.

Duke u shprehur se sot në mëngjes para se të nisej nga Turqia për këtë takim atij i ishte paraqitur një raport, Davutoğlu ka theksuar se: “Tani nuk po lexoj tekstin që kam përpara dhe po iu drejtohem zemrave tuaja. Për shkak të sulmeve ajrore në Halep 10 mijë refugjatë të rinj janë duke pritur para kufirit të Turqisë si dhe 60-70 mijë persona të tjerë që ndodhen në kampet në veri të Halepit janë nisur drejt Turqisë. Tani zemra ime është në kufirin e vendit tim. Po mendoj se si dhe ku ti strehojmë ato që po vijnë nga Siria”.

Davutoğlu ka tërhequr vëmendjen gjithashtu se në Halep janë edhe 300 mijë persona të cilët priten të kalojnë në Turqi dhe ka theksuar se teksa kryhen ndërmerren hapa, duhet të merren parasysh edhe ato që kryejnë krime njerëzore kundër popullit të Halepit dhe të Madaya.

– Bisedimet e Gjenevës-

Kryeministri Davutoğlu ka rikujtuar se faza e parë për bisedimet e paqes për Sirinë në Gjenevë ka përfunduar ka theksuar: “Pse? Sepse regjimi kur vajti në Gjenevë bombardimet ndaj shkollave, spitaleve dhe njerëzve të pafajshëm në Latakia në Siri vazhdonin. Duhet të jemi të drejtë. Refugjatët migrojnë që prej 5 vitesh dhe kanë hyrë në Turqi duke u larguar nga bombardimet e regjimit dhe forcave të huaja mbështetëse të tij. Gjithashtu doli në pah organizata terroriste e pa mëshirshme DAESH. Sot kundër njerëzimit ka dy armiq: terrorizmi i regjimit të Asadit dhe terrorizmi i DAESH-it. Duhet të qëndrojmë krah për krah me njëri-tjetrin kundër atyre që kryejnë krime njerëzore. Kush mund të më shpjegojë mua apo popullit të Sirisë logjikën e rrethimit të Madaya-s? Duhet të flasim për problemet e refugjatëve, por gjithashtu nuk duhet të neglizhojmë të zbresim në rrënjët e krizës së Sirisë”.

Davutoğlu ka tërhequr vëmendjen se po përjetohet kriza më e madhe njerëzore pas Luftës së Dytë Botërore dhe ka vazhduar më tej se: “Ditën e djeshme vizitove një spital në Ankara, u përballa me tre fëmijë sirianë, njëra vajzë dhe dy meshkuj të cilët ishin në reanimacion. Kishin të djegur të gjithë trupin nga bombardimet e ndërmarra javën e kaluar në Halepin verior dhe në Latakia. Ndërsa në dhomën ngjitur ndodhej një fëmijë tjetër turk, i cili edhe ky kishte fytyrën e djegur nga një sulm terrorist në Turqi. Fati i këtyre fëmijëve është i njëjtë. Vajza e vogël më vërejti, por nuk kishte asnjë shprehje në fytyrën e saj, sepse e kishte djegur. U përpoqa të imagjinoj fytyrën e saj të bukur para bombardimeve. Si një baba, gjysh dhe si baba i një vajze kjo është shumë përballje e vështirë”.

– “Në Turqi nuk ka asnjë qytet pa refugjatë”-

Davutoğlu ka vënë në dukje se në Turqi ndodhen 2.5 milionë refugjatë, statistikë kjo të cilën e bën Turqinë si vendin që strehon më shumë refugjatë në botë. Ai shprehet se “afërsisht 700 mijë fëmijë janë në moshën për shkollë, ku afërsisht 300 mijë e tyre arsimohen dhe ne dëshirojmë që edhe për pjesën tjetër për të gjithë të ofrojmë arsim. Mbi 250 mijë refugjatë sirianë qëndrojnë në kampe, ndërsa mbi trefishin e tyre ndodhen në qytete të ndryshme. Në Turqi nuk ka qytet që nuk ka refugjatë. Në qytetin Kilis vetëm 40 përqind e popullsisë janë qytetarë turq, pjesa tjetër janë sirianë. Mund ta parashikoni se çfarë vështirësish sociale dhe ekonomike krijojnë këto në vendin tonë”.

Ndër të tjera Davutoğlu ka theksuar se Turqia vetëm për refugjatët në kampe ka shpenzuar 10 miliardë dollarë, ndërsa sipas disa llogarive të tjera për refugjatët që ndodhen në qytetet e tjerë ka patur shpenzime ekonomike dhe sociale shtesë në vlerën 20 miliardë dollarëve.

– “Asnjëherë nuk ka patur protesta kundër refugjatëve”-

Davutoğlu ka theksuar se gjatë periudhës 5 vjeçare të krizës në Turqi nuk ka patur asnjëherë protestë kundër sirianëve, arabëve dhe refugjatëve dhe ka vazhduar më tej: “Unë jam krenar për kombin tim. Ne kemi hapur shtëpitë tona, shkollat, universitetet, spitalet. Sot në Turqi një person që ka kartë identiteti siriane mund të shkojë në universitet, mund të marrë shërbim shëndetësore në çdo spital. Javën e kaluar morëm një vendim në kabinetin qeveritar ku i hapet rruga punësimit të sirianëve në Turqi. Ato ndoshta nuk janë shtetasit tanë, por janë vëllezërit, fëmijët, nipërit tanë. Ne nuk do t’i lëmë të vetëm ato”.

Gjithashtu Davutoğlu ka dhënë informacionin se me iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki moon, samiti i parë do të mbahet më 23-24 maj në Turqi ku do të diskutohet jo vetëm situata në Siri, por e gjithë situata njerëzore në të gjithë botën.

Gjatë qëndrimit në Londër kryeministri i Turqisë është takuar me kancelaren gjermane, Angela Merkel, kryeministrin britanik, David Cameron dhe me emirin e Kuvajtit.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *