Home / Kryesoret / Në Universitetin e Tetovës u mbajt debat me temë ,,Çështja politike në vend dhe rajon”

Në Universitetin e Tetovës u mbajt debat me temë ,,Çështja politike në vend dhe rajon”

Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, e themeluar nga Universiteti i Tetovës dhe Universiteti Northern Illinois nga SHBA, sot në bashkëpunim me Fakultetin Juridik të universitetit tonë organizoi debat të hapur publik me temë: “Çështja politike në vend dhe rajon”. Në këtë debat morën pjesë profesorët universitarë, Ibish Kadriu, Mersel Bilalli, Bashkim Selmani, Ylber Sela, Aurora Karameti, Salajdin Saliu, si dhe Bekim Maksuti. Koordinatorja e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkuluturor, Artina Kamberi, në hapjen e këtij debate tha se, “zhvillimet politike në vendin tonë dhe rajon, që lidhen kryesisht me mosmarrëveshjet mes qeverive dhe forcave opozitare, marrëdhëniet ndëretnike mes etniteteve, kufizimin e i lirisë së medies, reformat në drejtësi, arsim, etj., të cilat kanë ngjallur debate të ashpra dhe kanë zgjuar vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Që nga përurimi i qendrës së lartpërmendur, më 3 dhjetor të vitit të kaluar, jemi zotuar se çështje të kësaj natyre që po i diskutojmë sot, do t’i trajtojmë me gjithë seriozitetin e duhur, duke hulumtuar problematika të caktuara në vend dhe rajon dhe të njëjtat t’i shtrojmë për debat, në punëtori, simpoziume dhe konferenca vjetore”, theksoi koordinatorja e kësaj qendre, Artina Kamberi.

Profesor Bashkim Selmani theksoi se, ky debat ka për qëllim trajtimin e ngjarjeve politike, si dhe qartësimin e tyre për opinionin. “Bota po pëson ndryshime konstante dhe të shpejta, andaj është e domosdoshme që të përshkruhet në mënyrë të saktë, të shpjegohen dhe të parashikohen evenimentet kryesore dhe çështjet që po shpalosen në marrëdhëniet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky detyrim intelektual duhet të qartësohet mirë, në mënyrë që qytetarët dhe politikëbërësit ta shfrytëzojnë këtë njohje dhe të ndërtojnë vendimet e tyre mbi qasjen më pragmatike në trajtimin e problemeve nacionale që janë të pranishme për çdo shtetas”, tha Prof.dr. Bashkim Selmani.

Profesori universitar, Mersel Bilalli tha se, Republika e Maqedonisë përballet me një krizë të thellë politike dhe si pasoj e kësaj vazhdon që të ngec në rrugën e integrimeve. Sipas tij, çështja e emrit nuk e pengon Maqedoninë që mos të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së, kurse profesori Bekim Maksuti vlerësoi se alternativë e vetme e Maqedonisë për anëtarësim mbetet zgjidhja e çështjes së emrit.

“Maqedonia nuk e ka pasur problem çështjen e emrit për integrimin e saj në NATO dhe BE, ngase ka pasur marrëveshjen e përkohshme të vitit 1995 me Greqinë, ku marrëveshja është shumë e qartë, ngase pala e parë nuk do ta pengojë palën e dytë në procesin integrues. Por këtu ka edhe një nen të veçantë dhe ekspertët ndërkombëtarë e dinë se të gjitha palët duhet ta respektojnë këtë marrëveshje, dhe mendoj se fajtor kyç për mos anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE nuk është Greqia, por është udhëheqësia e tanishme e Maqedonisë me në krye Nikolla Gruevskin”, deklaroi Prof. dr. Mersel Bilalli. “Nuk mund të themi haptas se nuk ka pasur tentativa për shbllokim të kësaj çështje, që Republika e Maqedonisë mos të jetë peng e proceseve euro integruese. Ftesa e kushtëzuar e 2008, e Samitit të Bukureshtit për Maqedoninë ngel, por ngel edhe përkushtimi i vendit tonë në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit”, vlerësoi Doc. dr. Bekim Maksuti.

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof.dr. Ylber Sela, interesi jetik i shqiptarëve të Maqedonisë është anëtarësimi i vendit në NATO dhe BE, si dhe pavarësimi i mediave, ndërsa profesoresha e katedrës së Gazetarisë, Doc.dr. Aurora Karameti vuri në dukje se në Maqedoni media është pjesërisht objektive dhe pjesërisht e paguar. “Maqedonia duhet sa më parë që të bëjë ndryshimin e emrit, sepse ndryshimi i emrit nënkupton anëtarësim në NATO dhe anëtarësimi i Maqedonisë në aleancë nuk do të lejojë që më të ndodhin as Sopota e as rasti Kumanovës, e as raste të tjera, sepse shërbimi inteligjent hyn nën kontroll të NATOS dhe interesi jetik i shqiptarëve është anëtarësimi në NATO dhe ndryshimi i emrit do të hapte rrugën e negociatave për anëtarësim në NATO. Ndërsa, sa u përket mediave, ato janë të kontrolluara këtë e thonë të gjitha indekset ndërkombëtare, veç asaj, këtë e thanë edhe ,,bombat” e Zaevit, andaj ne qytetarët, të gjithë duhet të kyçemi në mekanizmat vendimmarrëse”, u shpreh Prof.dr. Ylber Sela. “Mediat dhe demokracia ecin paralelisht dhe për fat të keq, në një vend ku demokracia është e prapambetur edhe mediat janë të prapambetura. Tash gjithmonë jemi në atë dilemën, deri ku interferojnë politika, media me reagimet e publikut. Në Maqedoni, media është objektive pjesërisht, por edhe e shitur apo e paguar pjesërisht. Ne të gjithë i dimë mediat të cilat përpiqen të ruajnë një shkallë objektiviteti, përpiqen të ruajnë pavarësinë, të bëjnë zërin opozitar, të jenë në një farë mënyre ato që do hetojnë punët e qeverisë dhe t’u shkojnë atyre deri në krye”, potencoi Doc.dr. Aurora Karameti.

Për sociologun Ibish Kadriu, politika në Maqedoni vazhdon të jetë në një krizë të thellë apo plotësisht e dështuar, dhe kur kjo ndodh, atëherë duhet që zërin ta ngrenë akademikët. Ndërsa publicisti Salajdin Salihu vlerësoi se problemi kryesor i politikës në Maqedoni është se partitë politike shqiptare nuk mund të shkëputen dhe të dalin nga matricat e politikës maqedonase. “Është e vërtet se situata politike në Republikën e Maqedonisë është në krizë të thellë, por nga politikëbërësit faktikisht mundohet të interpretohet në forma të ndryshme dhe të njëanshme, që vërteton se vetëm konstatohet një realitet dhe nuk ka ende alternativë dhe vizion se si të dalim nga kjo situatë. Duhet të jemi të kujdesshëm se edhe historia e deritanishme e ka dëshmuar se, kur dështon politika zërin duhet ta ngrenë akademikët dhe ajo kohë ka ardhur dhe ne duhet të bëjmë projekte shkencore konkrete se si duhet të dalim nga kjo situatë. Dhe mendoj se, akademikët tani duhet të jenë më të zëshëm dhe të jemi më realistë, sepse është shumë keq kur njeriu edhe nuk din, por edhe nuk dëgjon”, tha profesori universitar Doc.dr. Ibish Kadriu. “Mendoj se, teza kjo që partia e Gruevskit duhet të shkojë dhe të vijë një parti tjetër, e cila mund të jetë më e mirë se kjo e tanishmja, për mendimin tim si Gruevski si Zaevi i çojnë agjendat e tyre politike. Problem kryesor i politikës këtu në Maqedoni është se nuk mund të shkëputen dhe të dalin nga matricat e politikës maqedonase, domethënë, veprojnë sipas këtyre matricave. Unë kam përshtypjen se politika në Maqedoni nuk mund të del pikërisht nga këto matrica politike të maqedonasve dhe ky është problem kryesor, se këtu tek ne është krijuar një politikë me vetëdije, maqedonasin prej në fillim e projektojnë si padron”, shtoi Doc.dr. Salajdin Salihu.

Në këtë debat po ashtu u diskutua edhe mbi këndvështrimin e brendshëm politik në vendin tonë, çështjet politike dhe ndikimi i tyre në sferën e sigurisë, sfidat sociopolitike dhe çështjet politike të Maqedonisë në kontekst rajonal.Tv Koha

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *