Home / Kryesoret / Ostreni:MPB nuk respketon gjuhën shqipe

Ostreni:MPB nuk respketon gjuhën shqipe

Kryesia e UNITETIT, edhe pse u regjistrua në kohë rekorde pas përgatitjes së dokumenteve dhe mbledhjes së nënshkrimeve, nuk dëshironte që të ngelë e krijuar vetëm me Kuvendin themelues të saj dhe mbështetjen juridike, që ia siguronte ligji pas regjistrimit, por, u përcaktua për delegimin e autoritetit të anëtarëve të sajë në nivel republikan, ngase mbledhja e nënshkrimeve dhe përbërja e kuvendit nuk e përfshinin tërë territorin e republikës.

Për të arritur në këtë shkallë të zhvillimit, kryesia iu qas formimit të degëve të UNITETIT dhe përgatitjeve për mbajtjen e Kongresit të Parë, me qëllim të legjitimimit të Kryetarit të Partisë, Kuvendit Qendror, dhe në vazhdim Kryesisë të Kuvendit Qendror dhe zgjedhjes së Nënkryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Unitetit.

Për këtë qëllim, arritëm të bëjmë të gjitha përgatitjet dhe i ftuam delegatët që më datë 14 shkurt në ora 12.00, të mblidhen në hotelin Aleksandër Pallas për të mbajtur Kongresin e Parë, me të cilin shënojmë strukturimin e plotë të UNITETIT, duke zgjedhur organet legjitime dhe miratimin e Statutit dhe Programit politik.

Në Kongres janë të ftuar të marrin pjesë 540 delegatë.

Ky është një lajm, i cili na gëzon. Por, më duhet të theksoj edhe një lajm, i cili na dëshpëron dhe njëkohësisht flet për mosrespektimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Flet për statusin e saj përbuzës, në të cilin e ka katandisur koalicioni qeveritar i Bshkimit Demokratik për Integrim me VMRO DPMNE-në.

Këshilli i Kryesisë të UNITETIT për përgatitjen e Kongresit, në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, ndërmori veprim për të informuar organin e Ministrisë për Punë të Brendshme.

Shkresa e dedikuar për këtë qëllim ishte shkruar në gjuhën shqipe në pajtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe ky qe shkaku që ajo të mos pranohet nga Sektori për punë të brendshme – Shkup. Përgjigja nga punonjësi në sportele ishte se nuk e kuptonte se çka ishin duke i dorëzuar përfaqësuesit e UNITETIT. Kur ata i shpjeguan se çka përmbante shkresa dhe se është e shkruar në gjuhën zyrtare shqipe, punonjësi i është paraqitur zëvendës kryeshefit të Sektorit, dhe ai ka kërkuar të flasë me përfaqësuesin e UNITETIT.

Përgjigja e tij ishte sa ofenduese aq edhe arrogante. Në të vërtetë zotëria u përgjigj se ai me “qef” do ta kishte pranuar atë shkresë, por këtu nuk e merr vesh atë askush. Shkruajeni në gjuhën maqedonase dhe silleni. Edhe pse përfaqësuesit e UNITETIT provuan të thirren në ligjin në të cilin bazohet shkresa e shkruar në gjuhën shqipe, të cilin e bartnin me vete, përsëri organi refuzoi ta pranojë shkresën nga shkaku se ishte e shkruar në gjuhën shqipe.

Me këtë veprim, Ministria për punë të brendshme ka thyer Kushtetën dhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me çka është kryer vepër penale të sankcionuar me Kodin penal ku parashihet dënim me burg.

Ky rast është tepër i rëndësishëm, prandaj kërkojmë nga Prokuroria të ngrejë procedurë adekuate dhe nga Ministri për Punë të Brendshme të merr masa në përputhje me Ligjet dhe rregulloret për marrëdhënie pune, të cilat e rregullojnë këtë lëmi. Njëkohësisht e njoftojmë edhe opinionin publik për ta dënuar rastin që të mos përsëritet.

UNITETI do të vazhdojë të kërkojë që gjuha shqipe të përdoret në përputhje me normat juridike që vlejnë në Republikën e Maqedonisë dhe nuk do të lejojë të nëpërkëmbet gjuha shqipe nga punonjësit partiakë të BDI-së dhe VMRO-së, që sollën kaosin në Maqedoni.

Gjithashtu lexo

Përfaqësimi në ARM, reagon Lëvizja Besa – (FOTO & VIDEO)

Lëvizja BESA reagon ndaj deklarimeve të zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Bekim Maksuti i cili shprehu …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *