Home / Lajme / Maqedoni / Partitë jashtëparlamentare: Data e re nuk është garanci për zgjedhje fer dhe demokratike

Partitë jashtëparlamentare: Data e re nuk është garanci për zgjedhje fer dhe demokratike

Partitë shqiptare jashtëparlamentare në Maqedoni – Uniteti, Lëvizja për Reforma – Partia Demokratike Shqiptare (LR-PDSH), BESA dhe Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK), vlerësojnë se data për zgjedhje nuk është garanci e zgjedhjeve fer dhe demokratike.

Sipas tyre është gabim që prapë po theksohet data dhe jo përmbushja e kritereve. Ato porosisin që prioritet i institucioneve të jetë plotësimi i standardeve për krijimin e hapësirës së mirëfilltë demokratike, raporton Portalb.

Nënkryetari i partisë Uniteti, Muhamed Ismaili kujton se partia Uniteti kishte votën e vetme “kundër” shpërbërjes së Kuvendit dhe caktimit të 24 prillit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, meqë dihej se nuk do mund të plotësoheshin te gjitha kushtet e përcaktuara me Marrëveshjen e Përzhinos.
“Ne e përshëndesim revidimin e vendimit për shpërbërjen e Parlamentit dhe ndryshimin e datës për zgjedhjet, por kjo nuk është garanci se do të rregullohet çështja e listës zgjedhore, e mediumeve dhe çështjet tjera të nevojshme për zgjedhje të lira dhe demokratike. Uniteti do të përcjell me kujdes zhvillimet dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar organet partiake do të sjellin vendime adekuate”, tha për Portalb Ismaili.
Nga RDK nëpërmes një komunikate publike janë shprehur se Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka mbajtur qëndrim konzistent se vendit i duhen zgjidhje dhe jo zgjedhje, dhe ky qëndrim përfundimisht u konfirmua mbrëmë vonë edhe nga ana e Kuvendit të vendit.
“Tërheqja e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit është një hap që duhet përshëndetur, por partitë politike duhet të jenë shumë të kujdesshme që mos e fusin vendin në një vrimë të zezë duke caktuar sërish një datë tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve, pa zgjidhjen e një sërë problemesh që e ka ngulfat vendin për një periudhë të gjatë kohore”, thuhet në mes tjerash në komunikatën e partisë.
Në një linjë të mendimit janë edhe nga Lëvizja për Reforma- PDSH. Numri një i kësaj partie Ziadin Sela në deklaratën e tij për Portalb thekson se ata janë konzistent në qëndrimet tyre.
“Jemi pro zgjedhjeve me standarde. Kuptohet nuk mund të jetë data prioritet, por duhet të plotësohen kushtet. Duhet të punojë KSHZ dhe gjitha institucionet e ngarkuara për këtë çështje që të krijojnë kushte që më 5 qershor te mbahen zgjedhje. S’ka dilemë që zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt, por që edhe standardet duhet të plotësohen sa më shpejt”, tha Sela.
Edhe për Lëvizjen Besa nuk është problem dita kur mbahen zgjedhjet, por e rëndësishme është se a janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Arsyet pse zgjedhjet e caktuara për 24 prill mbrëmë në Kuvend u shtynë ishin pikërisht kushtet e paplotësuara, andaj po bëhet gabimi i njëjtë, sepse sërish pa u siguruar se do të pastrohet lista zgjedhore dhe pa u marrë vesh për ligjin e ri për media, përsëri po caktohet data e zgjedhjeve. Pra, Gruevski mbrëmë sërish e caktoi ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që nënkupton se edhe këtë kohë ai do ta harxhojë kot duke i bllokuar këto dy kushte për zgjedhje, ndërsa u sigurua edhe nga shërbëtorët e tij politikë shqiptarë, BDI dhe PDSH, por edhe nga faktori ndërkombëtar, se zgjedhjet do të mbahen më 5 qershor”, është shprehur për Portalb nënkryetari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi.
Mbrëmë pas mesnate me 73 vota pro, asnjë kundër, dhe 7 abstenime, Kuvendi i Maqedonisë votoi ndryshimet e Kodit Zgjedhor, që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 5 qershor të këtij viti. Për datën e re votuan deputetët e VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, deputetët e PDSH-së votuan të abstenuar, ndërsa LSDM-ja nuk votoi fare.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *