Home / Kryesoret / Piktori me famë botërore Omer Kaleshi e vizitoi Fakultetin e Arteve të USHT-së

Piktori me famë botërore Omer Kaleshi e vizitoi Fakultetin e Arteve të USHT-së

Piktori me famë botërore, Omer Kaleshi, i cili jeton dhe vepron në Paris të Francës, e vizitoi Universitetin Shtetëror të Tetovës, respektivisht Fakultetin e Arteve. Gjatë vizitës së tij në USHT, piktori Omer Kaleshi ishte i shoqëruar edhe nga sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi. Ato realizuan një takim me dekanin e Fakultetit të Arteve, Prof. dr. Miftar Memeti, si dhe stafin akademik të këtij fakulteti.

Dekani i Fakultetit të Arteve të USHT-së, Prof. dr. Miftar Memeti tha se vizita e piktorit Omer Kaleshi në USHT është një nder i madh për vetë institucionin, por edhe për studentët dhe stafin akademik të Fakultetit të Arteve të USHT-së. “Është nderë dhe respekt që Omer Kaleshi ndau kohë që të vijë ta vizitojë USHT-në, e posaçërisht Fakultetin e Arteve. Gjatë vizitës së tij nëpër klasat e Fakultetit të Arteve, profesor Omer Kaleshit iu kujtua rinia e tij, por më shumë u emocionua tek klasa e vizatimit, pasi që i kujtoi kohën kur edhe ai ka punuar si student. Unë po ashtu gjatë takimit e njoftova piktorin Omer Kaleshi me të gjitha aktivitetet që i organizon fakulteti ynë; e njoftova edhe për ekspozitën ,,Ura me Tri Harqe”, si dhe për shumë aktivitete tjera që realizohen në fakultetin tonë”, tha dekani i Fakultetit të Arteve të USHT-së, Prof.dr. Miftar Memeti.

Piktori Omer Kaleshi u shpreh mjaftë i kënaqur nga vizita në Fakultetin e Arteve të USHT-së. Ai tha se kënaqësi të vërtetë ndjeu në atelietë dhe klasat të cilat i pa të mbushura me studentë, të cilët e duan artin. “E falënderoj dekanin Miftar Memeti për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që më bëri. Vërtet ndjehem shumë i lumtur kur shoh se si i janë përvjelë punës këta studentë. Në atelietë që i vizitova, e sidomos në klasën e vizatimit ndjeva emocione të veçanta, pasi që më përkujtoi rininë time, kohën kur unë isha student. Dua t’i përgëzoj profesorët dhe studentët dhe dëshiroj që t’i inkurajoj që t’i përkushtohen edhe më shumë artit figurativ. Nga kjo që pashë sot, mendoj se Universitetin tuaj do ta vizitoj edhe në të ardhmen dhe shpresoj që të realizojmë ndonjë projekt të përbashkët me profesorët dhe studentët e artit figurativ”, deklaroi piktori Omer Kaleshi.

Ndërsa Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi tha se në të ardhmen do të iniciojë ndonjë projekt të përbashkët mes Fakultetit të Arteve të USHT-së dhe piktorit Omer Kaleshi. ,,Ne shpresojmë se edhe Universiteti Shtetëror i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Arteve, në të ardhmen do të realizojë projekte të ngjashme me Omer Kaleshin. Ne një kohë shumë të shkurtër ne do të organizojmë një ekspozitë edhe në Tetovë. Omer Kaleshi do të vazhdojë të mbetet një inspirim për të gjithë studentët dhe gjeneratat e reja në përgjithësi”, u shpreh Behixhudin Shehapi.

Piktori Omer Kaleshi veprimtarinë e tij artistike e ushtron në Paris të Francës, ndërsa me origjinë është nga Kërcova. Ai deri më tani për arritjet e tij në pikturë është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare.

Zyra për Informim

Gjithashtu lexo

Armata e Maqedonisë shënon 25 vjetorin e formimit të saj

Armata e Republikës së Maqedonisë sot shënon 25 vjet nga formimi i saj. Solemniteti qendror është …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *